Rindërtimi në Gjykatë/ Nuk ka bazë në tendera, ta rishikojë Kushtetuesja

Shqipëria

Rindërtimi në Gjykatë/ Nuk ka bazë në tendera, ta rishikojë Kushtetuesja

Më: 28 nëntor 2021 Në ora: 19:24
Foto

Gjykata Kushtetuese nuk ka caktuar ende një datë për shqyrtimin e padisë për procedurat e tenderave të organizuar nga institucionet për projektet e rindërtimit. Padia kërkon shfuqizimin e ligjit për prokurimet për rindërtimin pas tërmetit, pasi sipas ‘Open Data’ akti normativ cenon lirinë ekonomike dhe krijon terren për favorizim dhe korrupsion.

Tenderat e rindërtimit, të cilat janë objekt i një padie të depozituar në Gjykatën Kushtetuese nuk janë marrë ende në shqyrtim nga ky institucion. Padia është depozituar më shumë se 2 muaj më parë dhe ende nuk ka një datë për shqyrtimin e një ligji të qeverisë, i cili sipas Institutit Shqiptar të Shkencave ka pasoja të rënda financiare në buxhetin e shtetit.

Sipas kësaj agjencie, fondet e rindërtimit me vlerë rreth 100 miliardë lekë po tenderohen me procedurë klienteliste.

Gjykatës Kushtetuese i është kërkuar të bëjë shfuqizimin e aktit normativ për procedurat e prokurimit publik për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Referuar padisë, akti normativ cenon të drejtën kushtetuese për liri ekonomike dhe krijon terren për klientelizëm, favorizim, kontraktim preferencial dhe veprime korrupsioni në dëm të fondeve publike.

Ky akt normativ ka vendosur me ligj llojin e procedurës, afatet për pjesëmarrje, afatet për ankimim dhe vlerësim duke anashkaluar Legjislacionin Kombëtar për Prokurimet Publike dhe duke kufizuar të drejtën për garë dhe barazi.

Në dokument thuhet se në rastin në fjalë po tenderohen ndërtime kryesisht banesa dhe objekte arsimore dhe natyra e prokurimit në raport me gjendjen e tregut shqiptar të kompanive që operojnë në fushën e ndërtimit është shumë e favorshme dhe procedura e përshpejtuar dhe e kufizuar nuk janë të nevojshme.

Ndër të tjera, në padi bëhet me dije se diskriminohen edhe bizneset e huaja. Kjo pasi afati i vendosur është shumë i shkurtër për të dorëzuar dokumentet. Po ashtu, theksohet se afati vetëm 2 ditë për ankimin ndaj kritereve të procedurës së prokurimit është jashtëzakonisht kufizues për operatorët ekonomikë. Deri tani janë tenderuar 33.14 miliard lekë për 337 kontrata me 192 bashkime operatorësh, ndërsa rindërtimi i plotë pritet të përfundojë në shtator të vitit 2022.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat