Ambasada amerikane reagon për raportin e DASH: Gjyqësori në Shqipëri i frikësuar

Shqipëria

Ambasada amerikane reagon për raportin e DASH: Gjyqësori në Shqipëri i frikësuar

Më: 13 prill 2022 Në ora: 15:09
Foto ilustrim

Ambasada amerikane në Tiranë reagoi në lidhje me kritikat për Shqipërinë në raportin e departamentit të shtetit për të drejtat e njeriut gjatë vitit 2021.

Sipas deklaratës, SHBA mbështesin reformën në drejtësi për t’i dhënë fund pa-ndëshkueshmërisë, llogaridhënien e zyrtarëve të korruptuar dhe për forcimin e sundimit të ligjit në vend.

Ambasada amerikane në Tiranë reagoi me disa postime në Twitter lidhur me raportin e departamentit të shtetit për të drejtat e njeriut që adreson kritika të forta për Shqipërinë gjatë vitit 2021.

Në komentin shoqërues të raportit, ambasada thekson se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë të përkushtuara për të vënë demokracinë dhe të drejtat e njeriut në qendër të politikës së jashtme dhe se mbështesin fuqimisht reformën në sistemin e drejtësisë.

Duke iu referuar gjetjeve të raportit në lidhje me vendin tonë, ambasada amerikane thekson se të drejtat e njeriut duhet të përfshijnë një gjyqësor të pavarur, të lirë nga presioni politik, frikësimi apo korrupsioni.

Në këtë kontekst, ambasada amerikane vë në dukje se SHBA mbështesin me forcë reformën në drejtësi për t’i dhënë fund pa-ndëshkueshmërisë, për llogaridhënie të zyrtarëve të korruptuar dhe krimit të organizuar, dhe për forcimin e sundimit të ligjit në Shqipëri.

Raporti i Departamentit të Shtetit i publikuar të martën theksonte se “gjatë vitit 2021 korrupsioni ishte i përhapur në të gjitha degët e qeverisë dhe zyrtarët shpesh u përfshinë në praktika korruptive pa u ndëshkuar”.
Departamenti i Shtetit thotë se megjithëse disa agjenci qeveritare hetuan rastet e korrupsionit, burimet e kufizuara, rrjedhjet hetimore, presioni real dhe i perceptuar politik dhe një sistem emërimi i paorganizuar mirë, i penguan hetimet.

Departamenti nënvizon se korrupsioni në polici vazhdoi të përbënte problem.

Më konkretisht, në këtë kapitull theksohet se: “Policia nuk e ka zbatuar gjithmonë ligjin në mënyrë të barabartë. Lidhjet personale, politike ose kriminale, infrastruktura e mangët, mungesa e pajisjeve dhe mbikëqyrja e pamjaftueshme shpesh patën pasoja në zbatimin e ligjit”.

Më tej, DASH shprehet se presioni politik, frikësimi, korrupsioni dhe burimet e kufizuara e penguan gjyqësorin të funksiononte plotësisht, në mënyrë të pavarur dhe efikase”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat