“Pokeri i spiunëve” si histori gossipi: Cilat shtete i duan sekretet e Shqipërisë?!

Shqipëria

“Pokeri i spiunëve” si histori gossipi: Cilat shtete i duan sekretet e Shqipërisë?!

Ylli Pata Nga Ylli Pata Më 1 korrik 2022 Në ora: 18:41
Foto ilustrim

Këto ditë po gjallon në opinion një material që duket se ka dalë nga një material i shërbimit sekret shqiptar, mbi aktivitetin e katër personave, që kanë tentuar të japin informacion mbi sekretet shqiptare ndaj vendeve “jo mike” të Shqipërisë.

Është hera e parë në 30 vjet, që është hapur realisht kjo temë, ndërkohë që prej 14 vjetësh jemi vend i NATO-s, e logjikisht pjesë e një rrjeti informativ të rëndësishëm i një prej organizmave ushtarake më të sofistikuar të botës.

Për historinë në fjalë, po flitet si për një ngjarje rozë më shumë sesa një ngjarje shumë serioze, e realisht shqetësuese për sigurinë kombëtare.

Me arsye, shumë prej njerëzve që kanë pasur qasje me informacionet thonë se në këtë vend nuk se ka mbetur gjë për tu mbajtur sekret, pasi prej vitesh gjërat këtu janë më shumë se hapur.

Plus formën e tragjikomedisë që kanë marrë ndër vite “dossier”-ët tallava në lidhje me kundërzbulimin, ku janë thënë gjëra e histori që natyrisht nuk i ka kapur as fantazia e lartë krijuese e Ian Flaming-krijuesit e James Bond-it apo shkrimtarit të verdhë të spiunazhit-francezit Gerard de Villers, që ka publikuar një bes seller mbi spiunazhin shqiptar, ky si personazh kryesor ka profesor Fatos Klosin, natyrisht të shoqëruar me asteriksin: “Ngjarjet e personazhet që përkojnë me realitetin, janë thjesht rastësi”. E nuk kishte si të ndodhte ndryshe, pasi De Villers, fizikantin që drejtonte shërbimin sekret shqiptar e portretizon një lloj Sean Coneri apo të paktën një James Moor-i shqiptar që ha byrek me kafe në mëngjes, por më pas bredh me një makinë shpëjtësie si e 007 dhe aventuron me bukuroshet më të njohura të rajonit.

Gjithsesi, ngjarja me Katërshen e “pokerit të spiunave” që sipas SHISH kanë pasur lidhje me shërbime të huaja, sjell në skenë një grangrenë të frikshme, e që natyrisht dikush duhet të jetë përgjegjës.

Keqpërdorimin apo shpërdorimin e sekreteve të shtetit shqiptar, prej shthurjes së ushtrisë së agjentëve dhe rrjetit të tyre.

Shqipëria e Enver Hoxhës, edhe pse nuk ka pasur një shërbim si ai bullgar apo STAS-i gjermanolindor, e që shumë nga historitë e kundërzbulimit fryheshin siç ka ndodhur me trimëritë e Herkulit, ka pasur rrjet agjenturor në vendet fqinje. Bëhet fjalë në territorin e Jugosllavisë së kohës, e natyrisht në Greqi, gjithashtu edhe në Turqi, ku ndodhej si një asnjë vend tjetër një konsullatë në Stamboll që kishte edhe sektorin e saj të kundërzbulimit.

Çfarë ndodhi me rrjetin agjenturor të kundërzbulimit shqiptar në territorin jugosllav, Greqi dhe Turqi pas vitit 1990? Ku shkuan referentët e këtij rrjeti dhe agjentët e tyre? Është thënë, por nuk ka asnjë raportim të plotë mbi fatin tragjik të rrjetit shqiptar të kundërzbulimit. Janë vrarë e masakruar, së bashku me familjarët e tyre. Kush ka shpëtuar nuk u zbulua kurrë. Madje edhe kur në 1997, u largua Bashkim Gazidede, i cili e shkriu rrjetin, asnjëherë nuk u bë “recovery” i këtij arsenali informativ të shtetit shqiptar.

Pjesa më e madhe e kontigjentit të shërbimit të jashtëm të Sigurimit të Shtetit u largua pas kërcënimit me jetë, apo frikës për një persekutim ndaj tyre. Nuk u larguan vetëm disa ish-agjentë shumë të vjetër, që ishin kthyer në fosile të historive tallava, që natyrisht kishte shumë, shumë ekzagjerime. Siç është rasti i Pal Mëlyshit, i cili vetëm një vit u infiltrua në grupet antikomuniste e në fund i vra nga përplasja mes policisë dhe bandave.

Gjithsesi, të vijmë në kohën e sotme. Kush janë ata shtete që kanë interes për sekretet e Shqipërisë. Pas 1990 është e qartë se kanë qenë Serbia dhe Greqia, të cilat kanë pasur e kanë pretendime ndaj Shqipërisë. Mund të futet këtu edhe Turqia, që ka qenë shtet partner por që ka interesa të rëndësishme, në lidhje me influencën e saj në Ballkan. Me hyrjen e vendit tonë në NATO, Greqia e Turqia, nuk e kanë më atë mundësinë e infiltrimit malinj me kundërzbulim toksik, nëse ndodh ndëshkohen. Sot vendet që kanë interesa janë ato që NATO-n apo vendet e aleancës në rajon i shohin si kundërshtar. Rusia, mbetet kryesorja dhe më këtë shtet ka pasur mjaft raste kur diplomatë dhe zyrtarë, apo të dyshuar janë në shërbim të Moskës. Rusia në Shqipëri ka një rrjet të gjerë njerëzish që i nderon, u jep dekorata, pensione, bursa falas studimi, i thërret në takime, e madje ka edhe OJF që kanë marrë burime të tërthorta financimi. A e ka hetuar ndonjëher SHISH e organet shqiptare këtë veprimtari? Sipas gjasave jo, përveç kur ka pasur ndonjë alert nga shërbimet partnere.

Një vend tjetër i interesuar direkt është Irani, një aleat i ngushtë i Rusisë, i cili nuk ka pasur probleme politike me Shqipërinë. Por kur vendi ynë ka streguar opozitën e ajatullahëve-muxhahidinët Khalk, Teherani ka shtuar shumë veprimtarinë ndaj Shqipërisë. E këtu është deklaruar nga institucione të shtetit shqiptar se është zbuluar edhe atentate në territorin tonë. Kur muxhahidinët erdhën në Shqipëri, ka pasur më shumë se një, madje shumë njerëz, organizata e media, që i kanë cilësuar terroristë. Kur në fakt, muxhahidinët janë thjesht njerëz që kanë qenë opozitarë të regjimit të ajatollahut, kanë luftuar dikur kundër tyre, më pas kanë bashkëpunuar me amerikanët për të zbuluar sekretet bërthamore të regjimit por në fund janë persekutuar, vrarë e prerë masivisht gjatë kohës kur u strehuan në Irak. Me mbërritjen në Shqipëri, disa ente, nisën shpifjen ndaj tyre duke thënë që janë ushtarakë, bëjnë stërvitje, nuk kanë gra, por ata fundi i I fundit, prej 2013-s asnjë të keqe s’i kanë sjellë Shqipërisë.

Madje të shkretët, janë lodhur të bëjnë miq në klanet e Berishës e Metës për të mos i sulmuar, duke paguar shtrenjtë, edhe pse lekër ata i marin vetëm nga donacionet. Çfarë s’skanë thënë për ta “njohësit e hatashëm të gjeopolitikës” kur asnjëherë nuk e përballin akuzën e tyre me atë çfarë është regjimi i ajatollahëve. Muxhahidinët iranianë janë vërtetë një grupim politik paranojak, por realisht edhe publikisht kërkon një Iran që të ketë votime universal, gjë që sot me ajatollahët se ka. Kaq e thjeshtë është çështja.

Përveç Iranit, ka edhe një faktor tjetër, që nuk se ka lidhje të fortë apo direkte, por që konsiderohet si një “faktor i tretë”. Është Kina, një vend që sot kur në Shtëpinë e Bardhë është Joe Biden, por edhe dje kur President ishte Donald Trump, konsiderohet si kundërshtari kryesor i SHBA, e automatikisht edhe i Shqipërisë që është partneri strategjik i Uashingtonit në Ballkan. Kina nuk ka lidhje direkte në shtysën e saj influente në rajon. Ajo përdor “fuqinë e butë”, me anë të njerëzve që janë pjesë e një mekanizmi që propagandojnë për fuqinë kineze ndaj asaj perëndimore. E drejtues të soft powerit kinez janë drejtues të rëndësishëm të shtetit shqiptar, diplomatë, e zyrtarë me certefikatë sigurie, që asnjëherë nuk kanë pasur rol më të ulët sesa “kryedrejtor”. Këta propogandues të “soft powerit” kinez i shikojmë si analistë, diplomatë, panelistë etj.

Po cili është dallimi i të gjithë këtyre që nuk se janë agjentë po njerës të qartë, të paguar majmërisht nga Teherani e Pekini, e sot flitet për disa persona që kanë mbi 25 vjet që kanë ikur nga shërbimet e sigurisë, e janë zbuluar se janë takuar e shkëmbyer informacione. Shumë mirë, do ishte perfekte, madje shtete të zhvilluara të NATO-s këtë e bëjnë në mënyrë të qartë, të paktën duke u hequr rrogëns shtetërore apo pensionin këtyre që konsiderohen njerëz të “faktorëve të tretë”. Po kur këta njerëz, siç kanë dalë nga mediat, familjarët e tyre i kanë jo vetëm në administratë, por edhe në institucione sensitive?

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat