GJKKO dënon me burg policin, pranoi 2 mijë euro ryshfet për të lejuar ndërtimin pa leje!

Shqipëria

GJKKO dënon me burg policin, pranoi 2 mijë euro ryshfet për të lejuar ndërtimin pa leje!

Më: 5 korrik 2022 Në ora: 16:35
Foto ilustrim

Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit ka shpallur vendimin lidhur me çështjen penale në ngarkim të të pandehurve Levzat Veselaj dhe Enver Rada.

Veselaj akuzohet se ka marrë 2 mije euro nga një shtetas në mënyrë që ta lejonte atë të ndërtonte pa leje. Në hetim për këtë aferë janë edhe efektivë të tjerë të komisariatit numër 6 në Tiranë.

GJKKO e ka shpallur atë fajtor për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 3 vjet burgim.

Njoftimi i plotë:

Komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, më datë 01.07.2022, në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, është shpallur vendimi lidhur me çështjen penale në ngarkim të të pandehurve L.V. dhe E.R., ku trupi gjykues i përbërë nga gjyqtare Atalanta Zeqiraj, vendosi:

1. Deklarim fajtor të të pandehurit L.V. për kryerjn e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 vjet burgim.
2. Në bazë të nenit 406 të K.Pr.Penale ulet 1/3 e dënimit me burgim për të pandehurin L.V. duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) vjet burgim.

3. Vuajtja e dënimit për të pandehurin L.V. fillon nga dita e ndalimit dhe do kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
4. Në aplikim të nenit 35 të Kodit Penal të pandehurit L.V. i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë kohe prej 5 (pesë) vjetësh.
5. Deklarimin fajtor të të pandehurit E.R. për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 244/2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
6. Në bazë të nenit 406 të K.Pr.Penale ulet 1/3 e dënimit me burgim për të pandehurin E.R. duke u dënuar përfundimisht me 8 (tetë) muaj burgim.
7. Në bazë të nenit 59 të Kodit Penal, pezullohet ekzekutimi i dënimit me burgim për të pandehurin E.R., duke e vënë në provë të pandehurin për një periudhë kohe prej 16 (gjashtëmbëdhjetë) muaj, me kusht që të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat