​Berisha: Rama, kërcënimi më i madh për sigurinë kombëtare

Shqipëria

​Berisha: Rama, kërcënimi më i madh për sigurinë kombëtare

Më: 22 gusht 2022 Në ora: 13:07
Sali Berisha

Kryetari i PD-së, Sali Berisha deklaroi sot se Edi Rama është përgjegjësi kryesor për kërcënimin e sigurisë kombëtare në vend.

Në një deklaratë për mediat duke folur për ngjarjen në uzinën e Gramshit, Berisha u shpreh se hedhja e lëndëve djegëse ndaj ushtarëve komprometon thellësisht ‘misionin’ e tyre turistik.

“Agresorët e ushtarëve në detyrë, u ndaluan dhe janë hetim. Cila është lidhja e tyre me shërbimet duhet të qartësohet. Por e vërteta është se përdorimi i lëndëve djegëse dhe neuroparalizuese dhe toksike, kundër ushtarëve, komprometon thellësisht ‘misionin’ e tyre turistik. Unë sot jam këtu për të deklaruar, se kërcënimin më të madh në këto vite ndaj sigurisë kombëtare, me akte madhore e ka bërë personalisht, Edi Rama. Po ju rikujtoj këtu se 5 vite më parë në një mënyrë të pashembullt në historinë e një vendi, të lirë apo jo, mediat shqiptare publikuan të gjithë organigramën e shërbimit shtetërore, emër, mbiemër, degë dhe funksion. Ata publikuan dhe rrogat e tyre, duke ekspozuar kështu këtë shërbim ndaj të gjitha shërbimeve të tjera, jo miqësore. Deklaroj këtu se këtë e ka bërë Edi Rama, pasi askush tjetër në Republikën e Shqipërisë, përveç kryeministrit që firmos çdo vit strukturën e SHISH, ka të drejtë të njihet me të, apo ta kërkojë atë”, tha ai.

Berisha duke folur për “Ballkanin e Hapur”, deklaroi se Rama është mbështetës i projektit ruso-serb, i cili është kërcënim madhor i sigurisë.

“Tani vijmë pak tek problemet e sotme. Sot ka një konfrontim mes NATO-s, BE-së dhe Rusisë së Putinit dhe aleatëve të tij. Sot sikundër dhe më parë, Shërbimet serbe dhe ruse janë në sintoni të plotë, në bashkëpunim të ngushtë. Për ata të cilët vënë gjë këtu në dyshim, po ju rikujtoj deklaratën e Aleksandër Vuçiç, i cili gjatë vizitës së tij në Uashington do të thoshte se Shërbimet më kishin njohur, dhe këtu është fjala për shërbimet ruse, me tekstin e marrëveshjes që do na servirej. Por kjo nuk është një risi. Putini i madh dhe i vogël, Rusia e madhe dhe e vogël janë një unitet, ndofta përjetësisht i pazgjidhshëm. Ajo për të cilën unë jam këtu është se ka një projekt tjetër, madhor për Ballkanin, projektin Serbo-rus dhe ky është ‘Ballkani i Hapur’. Shqiptarët e dinë që ky projekt u mbështet gjatë dy muajve publikisht nga ministri i Jashtëm rus, Lavrov. Dhe ky projekt mbështetet po kaq fuqimisht dhe verbërisht nga vasali i Vuçiç në Tiranë, Edi Rama. Më thoni tani ju, a nuk është madhor kërcënimi i sigurisë kombëtare nga Edi Rama? Pra ata që kërkojnë agjenturë në tunele dhe bunkerë, duhet të dinë se problemi madhor i sigurisë kombëtare është në krye të qeverisë së vendit”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat