“Një histori e përmbledhur e Shqipërisë”, publikohet në shqip studimi i Fischer dhe Shmitt

Shqipëria

“Një histori e përmbledhur e Shqipërisë”, publikohet në shqip studimi i Fischer dhe Shmitt

Më: 26 shtator 2022 Në ora: 19:48
Studiuesit e njohur Bernd J. Fischer dhe Oliver Jens Shmitt

Studiuesit e njohur Bernd J. Fischer dhe Oliver Jens Shmitt publikuan sot në Tiranë librin e tyre “Një histori e përmbledhur e Shqipërisë”, në gjuhën shqipe, përkthyer në gjuhën shqipe nga botimi anglisht “A Concise History of Albania”.

Gjatë një takimi mes kolegësh historianë shqiptarë, drejtues dhe autorë të njohur të Institutit të Historisë, ata diskutuan mbi sfidat dhe këndvështrimet e larmishme, që autorët kanë mbi ngjarjet e Shqipërisë në shekujt XIX dhe XX, nga Pavarësia prej Perandorisë Otomane, te ngritja dhe rrëzimi i diktaturës komuniste, si dhe deri në ditët e sotme.

Autorët shpjeguan përmbajtjen e librit në dy pjesë nga osmanizimi i popullit shqiptar pas pushtimit ottoman dhe deri në deri rrëzimin e regjimit komunist.

Bashkautori i librit, Oliver Shmitt, thotë se ky libër u përgatit për lexues të huaj, që nuk e njohin Shqipërinë, por që dëshirjnë të kenë një vështrim të përgjithshëm për historinë e saj.

Për fat të keq, Shqipëria ka qenë dhe vazhdon të mbetet një vend i panjohur në botë, thotë ai, dhe kjo është një vështirësi e madhe për studiuesit e historisë, që i drejtohen lexuesit të painformuar.

“Ne merremi me historinë e shqiptarëve dhe të Shqipërisë prej një lloj dashurie, që kemi për këtë vend, për këtë kulturë dhe këtë shoqëri. Qëllimi i këtyre librave është që shqiptarët dhe Shqipëria të bëhen më të njohur jashtë vendit. Ndërkohë, është i nevojshëm zhvillimi i një diskutimi mes historianëve mbi çështjet më të debatueshme të historisë, si dhe mbi dallimet mes autorëve shqiptarë dhe atyre të huaj” - thotë zoti Shmitt.

Një nga pjesët me shumë interes në libër janë ngjarjet e Shqipërisë në shekullin nga shpallja e pavarësisë prej perandorisë osmane në Vlorë nga Ismail Qemali dhe patriotë të tjerë, vitet e qeverimit të Esad Toptanit dhe Ahmet Zogut dhe deri në dekadat e diktaturës komuniste.

Bashkautori i librit, Bernd Fischer, thotë se ende duhen studiuar në thellësi ngjarjet e Shqipërisë pas Luftës së Dytë Botërore dhe gjatë Luftës së Ftohtë, ku një ndikim të fortë kishte kreu i regjimit komunist Enver Hoxha.

“Mendoj se pa Enver Hoxhën Shqipëria mund të zhvillohej krejt ndryshe në shumë nivele, krahasuar me shtetet e tjerë europianë si Rumania e Bullgaria, ose edhe si Greqia. Kushdo që e vizitonte Shqipërinë më 1989 shihte ndryshime jashtëzakonisht të madhe në çdo fushë midis gjendjes, ku e la atë regjimi i Hoxhës dhe vendeve të tjera ish komuniste” - thotë zoti Fischer.

Në takimin mes kolegëve historianë me rastin e këtij studimi u diskutua se një tjetër vështirësi e tyre e autorëve është që lexuesit shqiptarë i afrohen një libri të tillë me paragjykimet mbi ato që di dhe shkruan një autor i huaj, ndërkohë që shqiptarët kanë lexuar shumë për historinë e tyre, ku disa çështje ende perceptohen si delikate.

Pas 45 vjet historiografi të regjimit komunist dhe 30 vjet të historiografisë në demokraci, në Tiranë ende vazhdon të mbetet një çështje e nxehtë që debatohet me tone të ngritura nevoja për rishkrimin e historisë së Shqipërisë, për të zhveshur nga shtrembërimet e qëllimshme dhe gjysmë të vërtetat, që hartuan historianët e gjysmës së dytë të shekullit 20./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat