Rama pas mbledhjes së Kryesisë së PS-së: Nisim punën për zgjedhjet vendore

Shqipëria

Rama pas mbledhjes së Kryesisë së PS-së: Nisim punën për zgjedhjet vendore

Më: 27 shtator 2022 Në ora: 22:33
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste se “kemi nisur punën për zgjedhjet vendore dhe tani kemi hyrë në fazën e dytë të procesit të organizimit, për të cilin kemi folur sot”.

Në një prononcim për mediet, Rama tha se “kjo vjen në një kontekst shumë të jashtëzakonshëm për shkak të situatës ku ndodhet bota, por në mënyrë të posaçme sidomos Evropa, por edhe rajoni ynë si pjesa më vulnerabël e Europës në raport me krizën e shkaktuar nga lufta dhe mbi të gjitha me inflacionin që ka sjellë lufta”.

“Natyrisht që inflacioni i luftës është një forcë e madhe, që ka marrë hov duke prekur absolutisht të gjithë, por ne kemi detyrën të bëjmë gjithçka që është e mundur që pa shkatërruar ekuilibrat financiarë të vendit të lehtësojmë maksimalisht këtë dhimbje, pjesë e kësaj është edhe komunikimi i vazhdueshëm dhe sqarimi i vazhdueshëm për shumëçka kërkon sqarim dhe nga ana tjetër për të vazhduar me masat që kemi marrë duke pasur parasysh njerëzit e zakonshëm dhe ata që kanë më pak mundësi. Ata që kanë mundësi më shumë duhet të mbajnë më shumë barrë në këtë përpjekje”, nënvizoi Rama duke shtuar se ky ishte thelbi i takimit të mbajtur sot.

Rama tha se “këto janë ndryshime të natyrës organizative dhe nuk kanë ndonjë peshë të posaçme për interesin publik. Të gjithë kanë detyra, kanë pozicionet e tyre dhe ndryshimi i pozicioneve në kushtet kur ne jemi në rrugën drejt një fushate tjetër zgjedhore janë gjëja më e natyrshme që e kemi bërë gjithmonë, s’ka asgjë të re”.

I pyetur nga gazetarët përse Arben Ahmetaj nuk është më drejtues politik i qarkut të Vlorës për PS, Rama tha se “nuk ka asnjë rëndësi të hyjmë në emra, të gjithë jemi këtu shërbëtorë të këtij misioni dhe secili ka rolin dhe pozicionin e vet, kjo është një skuadër dhe në çdo skuadër, lojtarët kanë role të ndryshme dhe secili bën rolin e tij, se po bënë të gjithë të njëjtin rol, nuk do ishte skuadër”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat