Berisha mbledh Kryesinë për kandidatët

Shqipëria

Berisha mbledh Kryesinë për kandidatët

Më: 25 mars 2023 Në ora: 20:05
Sali Berisha

Partia Demokratike që drejtohet nga Sali Berisha u jep mbrëmjen e sotme dorën e fundit listave të kandidatëve dhe këshillave bashkiakë që do të garojnë në zgjedhjet vendore të 14 Majit.

Duke qenë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk pranoi ta regjistrojë këtë forcë, kandidatët e dalë nga Primaret pritet të regjistrohen nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë” pjesë e të cilit janë edhe Partia e Lirisë, Partia Demokristiane dhe ajo Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Do të jetë kryesia e partisë e thirrur në orën 21:00 që do të finalizojë listën përfundimtare.

Më herët, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi një takim me të rinjtë demokratë ku vlerësoi kandidaturën e Belind Këlliçit për Tiranën si ndryshuese të jetes se metropolit shqiptar. Duke ju folur me siguri për fitoren në 14 Maj, Berisha bëri një sërë akuzash për rivalin e Këlliçit në këtë garë, kryebashkiakun aktual Erjon Veliaj.

“Ky kryebashkiak mashtron nga mëngjesi dhe në darkë. Merr 1 pëmë, e shkul dhe e mbjedh duke ju thënë qytetarëve se kam mbjellur 1 milionë pemë. Nuk ka personazh më fantazmagonik në çdo aspekt se kundërshtari i Belind Këlliçit”.

Vetë Këlliçi zbuloi edhe premtimin kyç të programit të tij elektoral për t’ju siguruar qytetarëve të kryeqytetit transport publik tërësisht falas.

“Me Belind Këlliçin në krye të Bashkisë Tiranë, transporti publik për të gjithë qytetarët e Tiranës do të jetë falas.”

Berisha ripërsëriti akuzat në adresë të kryeministrit Edi Rama për korrupsion dhe përqëndrimin e të gjitha pushteteve në duart e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat