Zhdukja e “Koçoles” dhe Sulovarit - Zbulohet ndërtesa ku mendohet se i mbajtën peng

Shqipëria

Zhdukja e “Koçoles” dhe Sulovarit - Zbulohet ndërtesa ku mendohet se i mbajtën peng

Më: 29 prill 2023 Në ora: 15:39
Të zhdukurit

Edhe pse policia e Sarandës në bashkëpunim me atë të Vlorës po punojnë fort për të rënë në gjurmët e dy personave të zhdukur që prej 6 prillit, ende jo vetëm nuk ka mundur të gjejë gjurmë po as ndonjë autor të dyshuar.

Në pranga është vendosur një i ri i cili dyshohet se ka gënjyer në dëshminë e tij në lidhje me një objekt, të cilin e ka dhënë me qira dhe ku dyshohet se janë mbajtur peng para se sa të zhdukeshin dy burrat nga Saranda. Ngjarja e rëndë aktualisht ka në pranga vetëm këtë të ri, i cili është lënë në arrest me burg deri në përfundim të hetimeve, por ai nuk është se ka hedhur dritë mbi ndonjë detaj të vlefshëm për hetimin e aq më pak për të ndihmuar në gjetjen e të zhdukurve.

Masa

Ditën e djeshme ka dalë para Gjykatës së Sarandës, 28-vjeçari Sofokli Baxheri, i njohur shkurt me emrin Sofo. Ky i fundit u ndalua në orët e para të mëngjesit të së enjtes pas një urdhër arresti të lëshuar nga Prokuroria, si person i dyshuar për veprat penale “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “deklarata e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”. Baxheri dyshohet se i ka dhënë me qira një banesë në fshatin Nivicë, personave të dyshuar si autorë të rrëmbimit e ndoshta vrasjes së 46-vjeçarëve Leonard Thodhori i njohur si “Koçole” dhe Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi dhe të vendosjes së eksplozivit në banesën e 54-vjeçarit, Lefter Lefteri.

Baxheri akuzohet gjithashtu se kë gënjyer gjatë deklarimeve të tij kur është marrë në pyetje nga policia. Siç bëhet me dije, disa ditë më parë Baxheri është shoqëruar nga policia bashkë me disa të rinj të tjerë nga Saranda, si persona që mund të kenë dijeni mbi ngjarjen e rëndë. Ata janë kryesisht lidhje shoqërore të disa personave me precedentë penalë që dyshohet se fshihen pas rrëmbimit të dy 46- vjeçarëve. Burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se Baxheri ka “kyçur” gojën para oficerëve të policisë gjyqësore duke mos qenë bashkëpunues. Këta të fundit kërkojnë prova se kush fshihet pas automjetit që u gjet në garazhin e banesës së Baxherit në Nivicë, automjet i cili rezulton i përfshirë në ngjarjen e rrëmbimit dhe tritolit. Në fakt për rastin e shpërthimit me eksploziv, rezulton çuditërisht që Baxheri të jetë shok me djalin e Lefter Lefterit.

Hetimet

Gjatë hetimeve nga policia, janë gjetur banesa dhe automjete që dyshohen se janë përdorur nga persona të ndryshëm që fshihen pas zhdukjes së dy personave. Dy ditë më parë, në komisariatin e Sarandës është shoqëruar 28-vjeçari Sofokli Baxheri, i cili ka një aktivitet tregtar për shitjen dhe dhënien me qira të pronave. Rezulton se në një nga këto banesa, në fshatin Nivicë, është përdorur nga autorët e zhdukjes së 46-vjeçarëve. Në oborrin e kësaj banese është gjetur një automjet “Benz”, me të cilën dyshohet se janë transportuar të rrëmbyerit.

Nga të dhënat e deritanishme, rezulton se gjurmët e dy të zhdukurve të çojnë në Vrinë, por nuk dihet asgjë për fatin e tyre. Familjarët vetë dyshojnë se Sulovari dhe Theodhori janë ekzekutuar, pasi kanë kaluar më shumë se tri javë dhe nuk ka asnjë gjurmë të tyre. Sipas tyre, rrëmbimi i dy personave lidhet me shitjen e një prone, por policia po heton pistën se pas kësaj ngjarjeje fshihen konflikte për shkak të trafikut të drogës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat