Rama premton “revolucion” në Kadastra: Do t’i mbyllim zyrat, shërbimet do japen online

Shqipëria

Rama premton “revolucion” në Kadastra: Do t’i mbyllim zyrat, shërbimet do japen online

Më: 5 qershor 2023 Në ora: 18:10
Edi Rama

 Kryeministri Edi Rama, gjatë turit të falënderues në qytetin e Fierit u shpreh se do të mbyllen dyert e kadastrave dhe se qytetarët do të marrin shërbimet online. Ai e pranoi se Kadastra mbetet një nga “turpet” e PS, por tha se shumë shpejt do të përmbyset rendi i punës që është aktualisht në këto institucione.

“Do përmbysim rendin që mbizotëron në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës. Njësoj siç kemi vepruar me shërbime të tjera, duhet të bëjmë edhe me kadastrën. Duhet ti mbyllim dyert e kadastrave. Nuk ka nevojë që qytetarët të shkojnë nëpër dyert e kadastrës. Duhet të mjaftojnë që qytetarët të aplikojnë online dhe ta marrin po online shërbimin që i takon brenda afateve, pa pasur nevojë të takojë njëri. Besoj se brenda qershorit ne do ta bëjmë prezantimin e këtij transformimi dhe për t’ua hequr njerëzve këtë barrë të tmerrshme.”, tha ai.

Shefi i qeverisë shqiptare po ashtu shtoi se do bëhen transformime në procesin e prokurimeve publike.

“Ashtu sikur duhet të vazhdojmë të transformojmë procesin e prokurimeve të fondeve publike. Aty është bërë një ndryshim, por duhet akoma më shumë. Duhet të transformojmë edhe gjëra të tjera që kemi folur dhe njerëzit”, tha Rama.

Në fund, Rama bëri një mesazh të drejtpërdrejtë për të gjithë socialistët:

“Kurrë mos lejoni që një dru i shtrembët, që ndeshni rrugës dhe që dalin nga mes nesh t’ua cenojë krenarinë legjitime për Partinë Socialiste”, theksoi Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat