Meta: Tirana pasqyrë e korrupsionit, këshilltarët e PL në fokus kanë uljen e kostove të jetesës

Shqipëria

Meta: Tirana pasqyrë e korrupsionit, këshilltarët e PL në fokus kanë uljen e kostove të jetesës

Më: 11 tetor 2023 Në ora: 11:58
Ilir Meta

Në një takim me strukturat, Ilir Meta, rreshtoi problematikat me të cilat, sipas tij, hasen qytetarët e Tiranës, ndërsa tha se Partia e Lirisë në këshillin bashkiak do të vazhdojë të kërkojë uljen e kostove të jetesës për banorët e kryeqytetit, përmes reduktimit të tarifave të taksave vendore.

Ekonomia e familjeve në kryeqytet është vështirësuar jo vetëm prej taksave që vendos qeveria e Edi Ramës, por për fat të keq edhe për shkak të taksave të larta që vendos Bashkia e Tiranës. Kjo bashkia mbledh rreth 200 milionë euro nga taksat të cilat më pas për fat të keq shpërdorohen dhe grabiten me qindra tenderë e kontrata korruptive duke i lënë qytetarët pa shërbime të domosdoshme. Rasti më flagrant ka qenë disa javë me parë me shtesën prej 5 milionë Euro të fondeve për inceneratorin e Tiranës, i cili nuk ekziston fare dhe këto miliona euro u hoqën nga fondet e miratuara më parë për arsimin, duke u mohuar kështu fëmijëve të kryeqytetit mundësitë për një arsim më cilësor, për shkolla pa turne dhe të pajisura me infrastrukturën e duhur”, deklaroi Meta në nisje të fjalës së tij.

“Uji i pijshëm pas rritjes drastike të çmimit me 40 % mungon edhe në qendër të Tiranës, ndërsa në periferi situata është mjaft më e rëndë. Është e qartë që fondet shpërdorohen dhe vidhen dhe nuk shkojnë atje ku janë nevojat më të ngutshme dhe të përditshme të qytetarëve. E njëjta gjë ndodh me shërbimin e transportit urban, ku situata është e paimagjinueshme për një kryeqytet, sepse mungesa e mbulimit të mjaft zonave, frekuenca e ulët si dhe aksidentet e kanë shndërruar në një problem të përditshëm dhe pa zgjidhje për dhjetëra-mijëra banorë të Tiranës. Besoj se të gjithë e keni vënë re trafikun e mëngjesit se si është. Një qytet që stresi nis që në mëngjes, vetëm për shkak të keqmenaxhimit të transportit, kushteve shumë të dobëta të transportit urban dhe padyshim edhe të katrahurës  të ndikuar nga ndërtimet pa kriter. Ambienti urban është përmbytur nga kulla dhe betoni dhe mungesa e hapësirave të gjelbra është në gjendje skandaloze”, tha Meta.

Dendësia e ndërtimit, ngjitur e ngjitur, ka bërë të pamundur edhe marrjen e shërbimeve siç është ai zjarrfikëses ku makinat nuk arrijnë as të hyjnë dot në ndërtesat e prekura në disa raste. Zero politika për strehimin social, problemin më kryesor të mijëra familjeve të reja, por edhe mijëra familjeve në nevojë, ku pasja e një banese për ta është bërë totalisht e pamundur dhe e parealizueshme duhet 30 vite punë për një çift të ri për të blerë një banesë në kryeqytet. Funksionimi i bashkisë po edhe këshillit bashkiak është orientuar nga interesat e klientëve të qeverisë dhe bashkisë dha aspak nga ato të qytetarëve”, tha kreu i Partisë së Lirisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat