Berisha: Sot ishte një ditë beteje në Parlament, ngrihuni si deputetët tuaj pa kthim

Shqipëria

Berisha: Sot ishte një ditë beteje në Parlament, ngrihuni si deputetët tuaj pa kthim

Më: 15 janar 2024 Në ora: 19:11
Berisha mbajti fjalën si përherë në dritaren e banesës së tij

Ditën e sotme në seancën plenare në Kuvend mungoi ish-kryeministri Sali Berisha, i cili ndodhet në “arrest shtëpie”, me akuzën për korrupsion në dosjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.

Pas seancës plenare, Berisha mbajti fjalën si përherë në dritaren e banesës se tij, përpara dhjetëra të pranishmëve të mbledhur poshtë banesës së tij.

Gjatë fjalës së tij Berisha tha se dita e sotme ishte një ditë beteje në Parlament dhe u bëri thirrje shqiptarëve që të ngrihen kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

“Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta! Miqtë e mi, përulem me nderimin më të thellë para jush qëndrestarë të pamposhtur në ditët e vështira për këtë vend.

Shqipëria sot është e gjunjëzuar. Por ajo nuk është e rrëzuar përdhe dhe kjo vetëm për një moment, sepse ju në emër të saj, jeni këtu çdo natë, të pamposhtur dhe në këmbë.

Jeni këtu për t’i dëshmuar Shqipërisë se ajo nuk do të rrëzohet përdhe kurrë!

Jeni këtu për t’u bërë thirrje shqiptarëve të ngrihen sepse Shqipëria që ju përfaqësoni, është Shqipëria që do fitojë, është Shqipëria që do ngrihet!

Le të bëjmë pak së bashku një udhëtim në memorien tonë dhe të kujtojmë se pak vite më parë, vendi ynë i gjunjëzuar ishte Shqipëria e fitores.

Liberalizoheshin vizat, integrohej në NATO, priste me dinjitet presidentin e SHBA, merrte rekomandimin për statusin e vendit kandidat. Nga Tirana, shpallej pavarësia e Kosovës.

Shqipëria bëhej çdo ditë një vend më i pëlqyer, më i dashur për shqiptarët, më i respektuar në rajon, në Europë dhe në botë.

Shqipëria bëhej vendi në të cilin popullata rritej nga viti në vit. Dhe po kështu dashuria, shpresa dhe besimi i shqiptarëve rritej nga viti në vit.

Por përsëri, me qëndresën tuaj, me guximin tuaj, kam bindjen absolute se Shqipëria falë jush, falë të rinjve të këtij vendi, falë luftëtarëve, falë misionarëve që mblidhen çdo natë në këtë rrugë, rrezatojnë shpresë në mendjet dhe zemrat e shqiptarëve, përsëri ajo do jetë në këmbë. Përsëri ajo do jetë Shqipëria e fitoreve.

Luani i fjetur i shqiptarëve po zgjohet çdo ditë e më shumë. Autokracinë, diktaturën e bandave, krimit dhe drogës e pret fundi i merituar.

Miqtë e mi, sot ishte një ditë beteje në parlament. Një ditë beteje këtu në Rrugën e Shpresës.

Opozita, e cila qe parashikuar të mos ekzistonte, të ishte thjesht një stoli e armikut më të egër të qenies së shqiptarëve, regjimit të Edi Ramës, sot është më në këmbë se kurrë.

Opozita kaloi, mbijetoi skenarë nga më antidemokratikët, më antishqiptarët, por e veshur me idealet më fisnike të popullit opozitar, ajo është sot këtu në këmbë, e gatshme për çdo betejë pa kthim, gjer në fitore.Këto të vërteta janë të vërtetat e lirisë, të shtetit ligjor, të një rendi demokratik. Një thirrje kam për të gjithë bizneset e vendit, ju që jetoni çdo ditë nën taksidarët e patronazhistëve, ngrihuni t’i japim fund këtij tmerri pa fund për ju. Të dalim në rrugën e drejtësisë e të barazisë. Nuk ka paq mbi dhunimin e ligjit. Me armë kundër armikut të përbashkët, Edi Rama.

I bëj thirrje fermerëve ngrihuni të përmbysim këtë regjim. Këtë regjim që po shndërron fermat në një zbrazëtirë të vërtetë”, tha Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat