Basha uron Mustafën: Pavarësia e Kosovës, vendimi i duhur për mbarë rajonin

Shqipëria

Basha uron Mustafën: Pavarësia e Kosovës, vendimi i duhur për mbarë rajonin

Më: 17 shkurt 2013 Në ora: 15:34

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha i ka dërguar një mesazh urimi, me rastin e 5 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Kryetarit të Komunës së Prishtinës Isa Mustafa:
“ I nderuar zoti Mustafa,
Në këtë ditë të shënuar për Kosovën dhe kombin shqiptar, dua t’ ju uroj përzemërsisht Ju dhe popullin e Kosovës, “Gëzuar ditën e madhe të Pavarësisë!” Sot mbarë kombi përulet me nderim përpara rolit dhe kontributit të presidentit Ibrahim Rugova, komandantit legjendar Adem Jashari të cilët janë gurët e themelit mbi të cilët u ngritën pavarësia e Kosovës dhe lufta e saj çlirimtare. Udhëheqësit politikë të Kosovës, populli i Kosovës ia doli në këto 5 vite, t’ i dëshmojë miqve, partnerëve dhe mbarë botës, se Pavarësia e Kosovës ishte vendimi i duhur jo vetëm për shqiptarët por edhe mbarë rajonin. Ky vit shënoi zhvillime historike për Kosovën. Shteti më i ri i dëshmoi botës se është i aftë të menaxhojë të tashmen dhe të projektojë drejt të ardhmen e tij evropiane si dhe të qytetarëve të tij, pa dallim përkatesie etnike apo fetare. Arritjet e Kosovës i dhanë fund mbikëqyrjes së Pavarësisë dhe e konsoliduan paprekshmërinë e tërësisë territoriale të saj. Në këto 5 vite, Kosova ka ecur përpara në konsolidimin e institucioneve demokratike, ne zhvillimin ekonomik e rritjen e mirëqënies për qytetarët e Kosovës.
I nderuar zoti Mustafa,
Më lejoni që në këtë ditë të veçantë për historinë e kombit tonë, t’ ju percjell në emër të qytetarëve të Tiranës përshëndetjet vëllazërore për qytetarët e Prishtinës dhe mbarë Kosovës”përfundon Basha në urimin drejtuar Mustafës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat