“Dubai Wanted”, vendi që është kthyer në strehë për “kokat” e krimit të organizuar shqiptar

Shqipëria

“Dubai Wanted”, vendi që është kthyer në strehë për “kokat” e krimit të organizuar shqiptar

Më: 18 shkurt 2024 Në ora: 23:11
Foto ilustrim

“DUBAI WANTED”

Dikur ishte një ndër tokat më djerrë dhe jomikpritëse në planet.

Sot është shndërruar në një metropol ekstravagant ku policia drejton Lamborghini e Buggati.

Me qiellgërvishtës spektakolarë e me stil luksoz jetese.

Po flasim për Dubain, një nga 7 emiratet Arabe. Një vend që tashmë ka një histori të lidhur pazgjidhshmërisht me globalizimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Një histori, pjesë e të cilës janë edhe shqiptarët.

Nga një bazë të dhënash, që u publikua në vitin 2020, u zbuluan emrat e shumë personave që “fshihen” në Dubai, shkruan ABC news emisioni Gjërat tona. Kjo bazë të dhënash që rrodhi dhe u shpërnda gjerësisht në internet përmbante afro 800 mijë prona të 274 mijë individëve dhe kompanive private nga e gjithë bota. Pra, pronari mesatar atje, posedon më shumë se tri prona. Në listën e publikuar, rezultoi që edhe 17 shtetas shqiptarë, kanë prona atje, konkretisht 19 të tilla.

Baza e të dhënave përmban gjithashtu një numër të madh personash me precedentë penale, figura të krimit të organizuar, të arratisur nga ligjet e vendeve të tyre. Kjo shpjegon në një farë mënyre shkallën, në të cilën Dubai është kthyer në një strehë për personazhet e dyshimtë.

Mungesa e transparencës, rregulloret e lehta dhe mosinteresimi në dukje për origjinën e parave që zbarkojnë atje, e kanë bërë Dubain si një dyqan me një ndalesë ku të pasurit e botës mund të shmangin taksat, t’i shmangen sanksioneve, të pastrojnë paratë ose të fshehin pasuritë e tyre nga Policia.

Në vitet 1990, të ardhurat nga nafta ranë dhe udhëheqja e Dubait filloi të kërkonte investime jashtë vendit. Gjeti rrugën në pasuri të paluajtshme, duke ndërtuar një sërë zhvillimesh të reja rezidenciale, ndërtesën më të lartë në botë dhe dy gadishuj artificialë në formë palmash.

Që atëherë, zhvillimi i pasurive të paluajtshme ka qenë një burim i rëndësishëm të ardhurash për Emiratin, duke tërhequr kapital të huaj dhe njerëz të pasur nga e gjithë bota. Sot, Dubai ka 3 milionë banorë, por vetëm 500 mijë janë shtetas të Emirateve. Ekonominë e ka ndërtuar rreth të qenit një shtëpi për emigrantët.

Të dhënat dhe studimet ekzistuese konfirmojnë se në vendin arab, shumë drejtues të grupeve të krimit të organizuar, apo edhe kapo të mafias bëjnë biznes dhe investojnë në ekonominë e tyre legale. Emiratet e Bashkuara Arabe nuk kanë krim të organizuar autokton, megjithatë ka mafian italiane, me prezencë të vërtetuar nga arrestimet e shumta të anëtarëve të “Ndrangheta” dhe “Camorra”. Atje ka përfaqësues organizatash kriminale pothuajse nga të gjitha vende. E sigurisht që ka edhe nga Shqipëria. Të kërkuar ose jo, të dënuar apo thjeshtë në hetim, tashmë është fakt që edhe kokat e krimit të organizuar shqiptar, apo edhe korrierë të tyre kanë gjetur strehim atje.

PAMUNDESI EKSTRADIMI

Emiratet e Bashkuara Arabe ku bën pjesë edhe Dubai, janë pjesë e Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër krimit të organizuar, por për ekstradimin e personave të kërkuar, pa pasur një marrëveshje, mund të veprohet vetëm me reciprocitet. Pra, që një person i kërkuar nga drejtësia shqiptare, të vijë nga Dubai në Shqipëri, duhet që në këmbim, autoritetet tona t’i dorëzojnë Emirateve të Bashkuara Arabe një të kërkuar për llogari të drejtësisë së tyre.

Por nga ana tjetër shqiptarët e kërkuar në vendin tonë, të cilët strehohen në Dubai, atje jetojnë të lirë, për aq kohë sa nuk përfshihen në krime të dhunshme apo përplasje mes bandave, pasi ligjet janë shumë të ashpra dhe mund t’u rrezikohet qëndrimi.

Emiratet e Bashkuara Arabe nuk kanë një traktat ekstradimi me Bashkimin Europian, Shtetet e Bashkuara, apo shumë vende të tjera. Në praktikë, kjo do të thotë që të kërkuarit si të dyshuar për krime të rënda mund të fshihen në Dubai për të shmangur përballjen me drejtësinë.

Por në një vend ku mblidhen kriminelë nga e gjithë bota, mblidhen edhe oficerë të agjencive ligjzbatuese nga e gjithë bota. Në jo pak raste janë kryer edhe operacione të rëndësishme atje, duke bashkëpunuar me Policinë vendase. Megjithatë ngërçi qëndron tek ekstradimi. Ashtu sikurse edhe me Shqipërinë.

Ekstradimi i shqiptarëve të inkriminuar që gjejnë strehë në Dubai, në mungesë të një marrëveshjeje ekstradimi, ka qenë në qendër të bisedimeve gjatë takimit që ministri i Brendshëm, Taulant Balla zhvilloi në Lion të Francës më 13 nëntor të vitit 2023, me sekretarin e përgjithshëm të Interpolit.

Gjatë takimit Balla evidentoi listën e personave në kërkim nga drejtësia shqiptare për krime të rënda të cilët fshihen prej vitesh, në Emiratet e Bashkuara apo në Amerikën Latine, ndaj të cilëve së bashku me Interpol kërkon t’i jepet fund pandëshkueshmërisë. Sipas Ballës, ekstradimi i tyre drejt Shqipërisë duhet të realizohet sa më shpejt.

Ndërsa më 9 shkurt 2024, pas një takimi që zhvilloi në Policinë së Dibrës, ministri i Brendshëm, Taulant Balla tha se Shqipëria i ka dorëzuar Emirateve të Bashkuara Arabe draft-marrëveshjen për ekstradimin e personave të kërkuar nga autoritetet shqiptare.

Duke komentuar arrestimin e fundit në Dubai, që ishte ish-anëtari i bandës së Durrësit, Julian Meçaj, Balla u shpreh optimist për të finalizuar operacionin për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

“I është dorëzuar Emiratave të Bashkuara draft-marrëveshja që do të mundësojë ekstradimet. Shpresoj të kemi mundësi të nënshkruajmë një marrëveshje që të bëhet e mundur që çdo person i kërkuar nga drejtësia shqiptare të arrestohet dhe ekstradohet. Falë bashkëpunimit të shkëlqyer mes Interpol Tirana dhe Interpol Abu Dabi kemi arritur të identifikojmë dhe ndalojmë një person të shumëkërkuar nga drejtësia shqiptar”

SHQIPTARET NE DUBAI

Disa kanë ikur vetëm pak orë para se Gjykata të caktonte një masë sigurie e t’i shpallte në kërkim. Të tjerë thjeshtë u gjendën atje ku kishin shkuar të investonin milionat e përfituara nga trafiku i kokainës, pasi askush nuk u kërkonte llogari për origjinën e parave. Disa u arrestuan e u lanë të lirë. Dikush për kalim afatesh e dikush sepse pagoi një garanci pasurore. Por kishte edhe nga ata që vendosën të kthehen vetë dhe u arrestuan sapo mbërritën në Shqipëri.

Po flasim për shqiptarët që jo pa qëllim kanë zgjedhur Dubain për t’i shpëtuar burgut në vendin tonë. Madje jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë. Ata e dinë shumë mirë që ekstradimi është i vështirë. Mjafton që të mos jenë të akuzuar për terrorizëm, të mos kryejnë krime atje dhe askush nuk i pengon që të jetojnë të qetë mes luksit që ofron Dubai, madje edhe duke blerë prona e hapur biznese.

Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit ka informacion për të paktën 20 shtetas shqiptar që strehohen në Dubai, por ka dyshime se mund të jenë edhe më shumë se kaq. Por 9 prej tyre janë më të njohurit publikisht, kjo për shkak të historikut të tyre kriminal.

17 Shtator 2020

Arrestohet Eldi Dizdari

Eldi Dizdari, i njohur ndryshe edhe si Denis Matoshi, ishte një nga të arrestuarit si pjesë e kartelit të kokainës që u godit nga Europol gjatë operacionit “Los Blancos”, 17 shtatorin e vitit 2020.

Dizdari, emri i të cilit u përfol në nëntor të vitit 2018, kur edhe u shpall në kërkim policor për vrasjen e ndodhur në ish-Bllok, u arrestua në Dubai. Policia e Dubait dha detaje për arrestimin e tij, si person i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës midis Amerikës së Jugut dhe Europës. Mediat vendase citojnë Policinë e Dubait, sipas të cilës shqiptari, Eldi Dizdari, i kërkuar nga autoritetet italiane u arrestua në kudër të operacionit të koduar “Los Blancos”. Ai akuzohej për bashkëpunim kriminal dhe drejtim të bandës të trafikut të drogës në nivel ndërkombëtar. Eldi Dizdari konsiderohet nga Policia e Dubait si një udhëheqës i bandës shqipfolëse “Kompania Bello”, një sindikatë transnacionale e krimit të organizuar e përfshirë në trafikimin e drogës dhe operacionet e kontrabandës midis Amerikës së Jugut dhe Europës me një vlerë prej 350 milion euro. Kreu i kësaj organizate kriminale ishte Dritan Rexhepi, i cili aktualisht ndodhet i arrestuar në Turqi, në pritje të ekstradimit. Duke zbuluar detajet e arrestimit, koloneli Saeed Al Qamzi, drejtori i Departamentit të Personave të Kërkuar në Policinë e Dubait, tha se ata e vendosën shqiptarin nën një vëzhgim të ngushtë për disa ditë, para se të merrnin “njoftimin e kuq” kundër tij.

Saeed Al Qamzi: “Së bashku me drejtuesit e tjerë të bandave, i dyshuari arriti të kontrabandonte dhe transportonte qindra ton drogë në Europë përmes porteve detare dhe t’i shiste ato te përdoruesit e drogës.”

Në Dubai, Eldi Dizdari u arrestua për llogari të Italisë, por nga ana tjetër ishte person i shpallur në kërkim edhe nga drejtësia Shqiptare. Afro dy muaj pas vrasjes në ish-Bllok që ndodhi 4 tetorin e vitit 2018, ku viktië mbeti Fabiol Gaxha dhe u plagos Ervis Martinaj e Elion Hato, hetimet nisën të përqendrohen tek prishja e pazareve të drogës. Grupi hetimor u fokusua aty pasi arriti të mbledhë të dhëna të dobishme që konfirmonin një konflikt për çështje kokaine mes Ervin Matës dhe një biznesmeni që u shpall në kërkim nëntorin e atij viti. Bëhej fjalë për Eldi Dizdarin. Ai ishte identifikuar nga grupi hetimor prej disa javësh, por vetëm më 27 nëntor të vitit 2018 Prokuroria urdhëroi ndalimin e tij e për rrjedhojë Policia e shpalli në kërkim, ndonëse nuk arriti ta ndalonte asnjëherë për atë çështje. Burimet thanë në atë kohë se Dizdari kishte lidhje farefisnore edhe Arbër Çekajn, pronarin e kontenierit me banane ku u zbulua sasia prej 613 kg kokainë në Portin e Durrësit. Nga ana tjetër, oficerët që në atë kohë kryen verifikimet në kuadër të hetimit për vrasjen e ndodhur më 4 tetor 2018 në ish-Bllok, kishin siguruar të dhëna që flisnin për një krisje marrëdhënie mes Ervin Matës dhe Eldi Dizdarit. Dikur miq të ngushtë, ata ishin përfshirë në një konflikt për çështje kokaine. Të paktën në këtë përfundim patën arritur oficerët e Policisë së Tiranës.

Në dosjen e Prokurorisë theksohej se para vrasjes, para lokalit të Redi Popeskut, kishte pasur një konflikt, në kohën kur Elvana Gjata kishte shkuar të takonte të fejuarin e saj, Ervin Mata. Bëhej fjalë për disa persona që ndodheshin brenda një automjeti që kishte ndaluar paralel me makinën e këngëtares, për drejtuesin e të cilës Ervin Mata ishte shprehur se ishte mik i tij. Ndonëse nga këqyrja e kamerave të sigurisë, nuk ka rezultuar të ketë pasur sjellje miqësore mes këtyre dy personave. Më vonë burimet thanë se ishte identifikuar personi që drejtonte këtë automjet dhe ishte pikërisht biznesmeni Eldi Dizdari, i cili ishte shpallur në kërkim.

Dubai ka refuzuar ekstradimin e tij, si në Shqipëri ashtu edhe në Itali

11 Dhjetor 2020

Arrestohet Plaurent Dervishaj

Plarent Dervishaj, i cili ishte në kërkim për vrasjen e biznesmenit Valdin Lamajt dhe Klodian Saliut në vitin 2005 është arrestuar në Dubai më 11 dhjetor të vitit 2020.  Policia e Shtetit deklaronte zyrtarisht seishte duke punuar me autoritetet për ekstradimin e Plaurent Dervishajt nga Abu Dabi, ku u arrestua pas akuzave të ngritura nga SPAK.

Policia e Shtetit

Arrestimi i tij është bërë nga homologët e Interpol Abu Dhabi në Emiratet e Bashkuara Arabe, pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar nga ana e Interpol Tiranës, mbi urdhër-arrestin ndërkombëtar të lëshuar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bazë të shkëmbimit të informacionit me Policinë e Shtetit, ku pas verifikimeve ligjore rezultoi se personi i kapur është Plaurent Dervishaj. Nga ana e Interpol Tiranës, agjencive të tjera ligjzbatuese dhe zyrës homologe do të vijojnë procedurat e mëtejshme për ekstradimin e tij drejt vendit tonë.

Ish-anëtari i bandës së Durrësit ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar mbi bazën e vendimit të datës 2 dhjetor 2020 nga Gjykata e Posaçme, e cila ka vendosur caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” në mungesë ndaj tij. Dervishaj akuzohet për “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtje e paligjshme e armëve të zjarrit me pasoja të rënda”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Vrasje në rrethana të tjera specifike ndaj dy ose më shumë personave e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Dosja për vrasjen e bujshme të Klodian Saliut ndodhur në 26 shkurt të vitit 2005 u hap pas rrëfimit të bashkëpunëtorit të drejtësisë Luftar Reçi, i cili deklaroi se ekzekutimi i ndodhur në autostradën Tiranë-Durrës është bërë nga Dervishaj dhe Indrit Taullai me urdhër të Lulzim Berishës. Sipas Reçit, Dervishaj ka qenë bashkëpunëtor edhe në përgatitjen e bombës së vendosur për një tjetër vrasje të bujshme të ndodhur në vitin 2005, atë të biznesmenit Vajdin Lamaj. Pas hetimeve të përfunduara nga SPAK për këto dy dosje, Lulzim Berisha u shpall në kërkim ndërkombëtar dhe u arrestua pak kohë më parë në Spanjë, ndërsa ishin të arrestuar Plaurent Dervishaj, Indrit Taullai, Luftar Reçi, Viktor Ymeri dhe Emiljano Shullazi.

Megjithatë, paraburgimi në Dubai zgjati shumë pak edhe për Plaurent Dervishajn, ashtu sikurse edhe për shqiptarët e tjerë. Ai u lirua menjëherë pas përfundimit të afatit 40 ditor në burg. Autoritetet e drejtësisë kishin nisur procedurat për ekstradimin e tij, por shkak për lirimin e Dervishajt u tha se ishte bërë vonesa në letërporosinë e mbërritur në Dubai nga Shqipëria. Një shkresë me siglën “Urgjent” mbërriti në Tiranë nga Interpol Abu Dhabi. Në këtë dokument që mban datën 21 Janar 2021, kujtohej pala shqiptare se për ekstradimin e të arrestuarit, duhej dërguar në Dubai e gjithë dosja për Plaurent Dervishajn, e përkthyer në arabisht. Dervishaj ishte arrestuar atje më 11 dhjetor të vitit 2020 dhe po mbahej në paraburgim në pritje të ekstradimit drejt vendit tonë. Sapo mori këtë shkresë nga Dubai, Interpol Tirana ia përcolli kërkesën e arabëve Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme. E-mail-i, të cilit i bashkëngjitej kërkesa e Interpol Abu Dhabi-t, kërkonte që dokumentet e ekstradimit të dërgoheshin brenda 30 ditëve në Emiratet e Bashkuara. Kërkesa e arabëve mbërriti në Ministrinë e Drejtësisë një ditë më pas, më 22 janar. Për zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë kishte diçka që nuk shkonte, pasi ata e kishin përgatitur dosjen e Plaurent Dervishajt dhe ia kishin dërguar Emirateve të Bashkuara Arabe. Për këtë arsye, nisi kontrolli i komunikimeve të mëparshëm mes njëri-tjetrit dhe rezulton se dosja e Palurent Dervishajt kishte mbërritur në Ministrinë e Jashtme të Emirateve të Bashkuara. Në një e-mail të datës 30 dhjetor 2020 që ishte dërguar nga Ministria e Drejtësisë për Ministrinë e Jashtme, kërkohej një verifikim, nëse dosja për Plaurent Dervishajn ka mbërritur për autoritetet arabe dhe nëse jo, të dërgohen materialet në formë elektronike, nëse nuk kanë mbërritur fizikisht. Dosja mbërriti në ambasadën tonë atje më datë 27 dhjetor 2020 dhe u dorëzua pranë autoriteteve të Emirateve më datë 28 dhjetor. Komunikimi kishte ndodhur para datës 21 janar 2021, kohë kur Interpol Abu Dabi informoi autoritetet shqiptare për mungesën e dosjes. Kjo ishte arsyeja pse Ministria e Drejtësisë kërkoi që oficerët e Interpolit në Tiranë të komunikonin zyrtarisht me ata në Abu Dabi për të mësuar problemin. Megjithatë kjo vonesë solli lirimin e tij.

Nga ana tjetër, Plaurent Dervishaj u shpall në kërkim edhe për një tjetër atentat, atë të datës 1 nëntor 2019, afër mbikalimit të Shkozetit në Durrës, ku mbetën të plagosur, ish-prokurori Arjan Ndoja, miku i tij Aleksandër Laho dhe humbi jetën shoferi, Andi Maloku. Në një operacion të gjerë policor të koduar “Komploti” u arrestuan Genti Ndërjaku alias Kili Ndërjaku, i cili i ka shpëtuar një atentati me snajper më 12 shtator 2022 në zonën e plazhit në Durrës, Marsel Deçka, agjent doganor, i afërm i Plaurent Dervishajt, Endrit Sinani, Julian Pjetri, dhe Bashkim Haxhija. SPAK shpalli në kërkim atë që e konsideron organizator të ngarjes, Plarent Dervishaj. Më 20 qershor 2019, Dervishaj i shpëtoi breshërisë së plumbave që u lëshuan ndaj makinës së tij, ku ndodhej bashkë me Bashkim Haxhijan, i arrestuar në operacionin “Komploti” dhe me Julian Meçen.

27 Mars 2021

Arrestohet Florenc Çapja

Më 27 mars, agjentet e zyrës së Interpol Abu Dabi, në Emiratet e Bashkuara Arabe, në bashkëpunim me Policinë e Dubait, kanë arrestuar Florenc Çapjan. Pasi janë kryer verifikimet Policia atje ka konfirmuar faktin se, personi i ndaluar ishte i shpallur në kërkim nga Prokuroria shqiptare.

Prokuroria e Elbasanit e kishte shpallur në kërkim Florenc Çapjan, pasditen e datës 16 mars 2021. Por pak orë para se të firmosej urdhër  – arresti, Çapja ishte larguar nga Shqipëria. Ai kishte fluturuar fillimisht drejt Stambollit, në orët e para të mëngjesit e më pas në Dubai. Rastësi apo jo, kjo nuk thuhet me siguri, por nuk përjashtohet mundësia që ai të jetë informuar se do të arrestohej e ka vendosur të arratisur drejt vendit nga ku nuk mund të ekstradohej.

Florenc Çapja qëndroi vetëm një muaj në paraburgim duke u liruar kundrejt garancisë pasurore prej 55 mijë eurosh, ashtu siç kishin bërë shumë emrat të tjerë të njohur të krimit në Shqipëri, duke iu shmangur në këtë mënyrë përballjes me drejtësinë. SPAK i ka dërguar autoriteteve të Dubait një kërkesë ekstradimi për Florenc Çapjan, por ende nuk ka një përgjigje, ku pritet të refuzohet ashtu siç është bërë edhe me të kërkuar të tjerë.

Çapja kërkohej për një ngjarje që ishte hetuar e rihetuar nga Prokuroria e Elbasanit, për të cilën akuzohej edhe Ardian Çapja, por gjithmonë përfundonte duke u pushuar hetimet. Ndërsa në fund dosja e kësaj ngjarje, që bën fjalë për vrasjen e babë e bir, Nezir e Gentian Beqiri, i kaloi SPAK-ut.

Më 15 nentor të vitit 2023, Gjykata e Posaçme e Apelit, dënoi 6 personat që ishin përfshirë në vrasjen e vitit 2012 në Elbasan. Apeli la në fuqi vendimin e shkallës së parë, duke caktuar dënim të përjetshëm për Ardian e Florenc Çapjan dhe Olsi Lekun. Ata u shpallën fajtorë për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”. 25 vite heqje lirie u vendos për Etjen Canin dhe Klajdi Dokolin. Bashkëpunëtori i drejtësisë Ervis Bardhi u dënua me 15 vite burg.

Florenc Çapja akuzohet për porositjen e vrasjes së Nezir dhe Gentian Beqirit, më 15 gusht të vitit 2012. Ky i fundit akuzohej se në bashkëpunim me të tjerë kishte ekzekutuar Sokol Çapjan në dhjetor të vitit 2005 në Elbasan. Dosja u rikthye edhe njëherë në duart e drejtësisë pas dëshmisë së dhënë në vitin 2020 nga i penduari Ervis Bardhi, i cili pranoi se kishte qenë ai që tërhoqi këmbëzën e armës që vrau në gjumë Gentjan Beqirin. Ervis Bardhi mori statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, ndërsa rrëfeu se porosinë për të vrarë Gentjan Beqirin e morën pikërisht nga Ardian dhe Florenc Çapja.

Florenc Çapja ishte arrestuar edhe më herët në Elbasan për vrasje, por ishte lënë i lirë në rrethana të dyshimta. Më 19 nentor të vitit 2019, Gjykata e Elbasanit vendosi ta lirojë atë nga burgu, edhe pse konsiderohej me rrezikshmëri të lartë dhe ishte me precedentë të theksuar kriminal në fushën e krimeve ndaj personit. Gjyqtari vendosi pushimin e çështjes penale nr. 40, viti 2006, për veprat penale “Vrasja me paramendim mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, në ngarkim të të pandehurit Florenc Çapja, në dëm të viktimës Fadil Mema, me argumentin se nuk provohej se ai e kishte kryer këtë vepër penale. Policia reagoi në lidhje me lirimin e tij në atë kohë.

Policia e Shtetit

Florenc Çapja është arrestuar në datën 14 qershor 2019, gjatë operacionit policor “Krasta”, zhvilluar në Elbasan, pasi gjatë hetimeve të kryera nga Njësia Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale, bazuar në provat e administruara në bashkëpunim dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit rezultoi se ishte autor i vrasjes së mbetur në tentativë të ish-punonjësit të Policisë, shtetasit Fadil Mema, ngjarje e ndodhur në vitin 2006.

Në të njëjtën ditë ku në Elbasan u lirua Florenc Çapja, Gjykata për Krimet e Rënda Tiranë, shpalli të pafajshëm edhe Suel Çelën, të njohur edhe me emrin Marjus Lulaj. Sipas Policisë, Çela gjatë gjithë kohës i është shmangur këtij hetimi dhe është hetuar dhe gjykuar në mungesë. Policia e kishte shpallur atë në kërkim për ngjarjen e datës 10 shtator 2017, kur pranë derës së tregut agroushqimor në Kusarth, të Elbasanit, në bashkëpunim me dy persona të tjerë kishin goditur me makinë punonjësit e Policisë. Në seancën e datës 4 nëntor 2019, nga ana e Prokurorisë janë paraqitur konkluzionet përfundimtare. Akuza ka kërkuar dënimin e tij me 7 vjet burgim, por Gjykata ka vendosur ta shpallë të pafajshëm.

Policia e Shtetit

Ky shtetas (Suel Çela) është një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, drejtues i një grupi kriminal të rrezikshëm që operon në qarkun e Elbasanit, por edhe më gjerë, i hetuar dhe i arrestuar disa herë për një sërë veprash të rënda kriminale, por që dyshohet se me forma korruptive ka arritur të depërtojë në sistemin e drejtësisë dhe t’i shpëtojë ndëshkimit ligjor.

Dhjetor 2021

Arrestohet Mikael Qosja

Dhjetorin e vitit 2021, një tjetër i kërkuar u arrestua në Dubai, ku u la i lirë shumë shpejt. Bëhet fjalë për Mikale Qosjan, nga Elbasani, i njohur edhe si “Keli i Kicit”. Është ndaluar në Dubai dhe më pas liruar sërish, nga autoritet e policisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, Mikael Qosja, ose siç njihet ndryshe në Elbasan me emrin Kel Kamami apo Keli i Kiçit. Qosja akuzohet nga Prokuroria e Elbasanit si pjesëmarrës në vrasjen e trefishtë, rë datës 29 dhjetor 2019, ku mbetën të vdekur Enea Alibej, Albert Dylgjerit dhe shtetasi turk, Erdal Duranaj.

Pasi u ndalua e më pas u la i lirë në Dubai, Policia atje i bllokoi vetëm pasaportën, duke i ndaluar daljen nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Nga ana tjetër as nuk mund të ekstradohet në Shqipëri.

Mikael Qosja rezulton të jetë person i skeduar nga Policia e Elbasanit, për çështje droge, kryesisht heroinë e kokainë, ndërkohë në vitin 2013 është arrestuar dhe më pas shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Elbasanit, për akuzën e shpërndarjes së lëndëve narkotike. Mikael Qosja, për shkak të problemeve me drejtësinë ka ndryshuar dy herë mbiemrin në Kamami dhe Stefo. Sipas Policisë ai është anëtar i një grupi kriminal, që drejtohet nga dy vëllezër, rezidentë në Dubai. Konfliktet e këtij grupi me atë që drejtohej nga Enea Alibej, për shkak të grabitjes së 50 kg kokainë në Angli, dyshohet se sollën vrasjen e trefishtë në kryqëzimin e Bradasheshit në fundvitin e 2018. Për këtë ngjarje është identifikuar dhe shpallur në kërkim, Mikael Qosja, i cili mësohet të jetë zbuluar nga bashkëpunimi që ka bërë me policinë, vëllai i Eneas, Erjon Alibej, i cili momentalisht ndodhet në burg si njeriu i dyshuar për organizimin dhe financimin e vrasjes së Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt. Por problemet me drejtësinë shqiptare për Mikael Qosjën, kanë nisur që prej vitit 2008, kur së bashku me mikun e tij, Emiljano Ramazani, kryenin shpërndarjen e lëndëve narkotike.

Ai është dënuar fillimisht me 8 muaj burgim për “Moskallëzim krimi” dhe më pas ka marrë pafajësi. Ndërkohë ka dhe dy dënime të tjera me gjobë, pasi ka goditur dhe nuk u është bindur punonjësve të Policisë.

Vrasësi i penduar, Nuredin Dumani në deklarimet e tij para SPAK, ka thënë se një person i quajtur Kel Kamami ose siç thirret ndryshe “Keli i Kiçit” që tashmë qëndron në Dubai, i ka kërkuar vrasjen e Erjon Alibejt dhe për këtë i ka ofruar 2 milionë euro.

23 Shkurt 2023

Arrestohet Dritan Shkëmbi

Më 23 shkurt të vitit 2023, në Dubai u arrestua një tjetër i shumëkërkuari i drejtësisë shqiptare, Dritan Shkëmbi, i njohur edhe me emrin Amar. Ai akuzohet si i përfshirë në atentatin e ndodhur më 1 nëntor të vitit 2019 te mbikalimi i Shkozetit, ku mbetën të plagosur, ish-prokurori Arjan Ndoja, miku i tij Aleksandër Laho dhe humbi jetën shoferi, Andi Maloku.

Në lidhje me këtë ngjarje janë arrestuar më herët Redjan Rraja, me 5 nëntor 2019 dhe Arjol Halilaj me 5 maj 2020. Ndërkohë më 20 janar 2023 u arrestuan Genti Ndërjaku, Marsel Deçka, Endrit Sinani, Julian Pjetri dhe Bashkim Haxhija, më vonë edhe Ramazan Rraja. Gjykata e Posaçme ka caktuar për Dritan Shkëmbin masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, “Vrasja në rrethana cilësuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve luftarake dhe i municionit, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.

Dritan Shkëmbi, është personazh i njohur për drejtësinë shqiptare. Emri i tij u lakua për herë të parë në vitin 2008 kur u shpall në kërkim me vendim të Gjykatës, pasi u akuzua për çështje droge. Në atë kohë, Policia e Tiranës zhvilloi një operacion në zonën e Kinostudios, ku u arrestuan tre persona me lëndë narkotike në makinë. Shkëmbi arriti t’i shpëtonte policisë gjatë operacionit dhe u shpall në kërkim ndërkombëtar. Më pas Shkëmbi u arrestua në Amsterdam të Holandës, ku në vitin 2018 u kap me një sasi prej 60 kg heroinë.

Përveç pohimit se SPAK kishte nisur dosjen në ngarkim të tij në Ministrinë e Drejtësisë, për të nisur procedurat e ekstradimit, nuk u mësua më asgjë rreth fatit të tij. Ajo që dihej ishte se gjithçka duhej të përfundonte brenda 40 ditëve, por fakti që as sot, kur po bëhet një vit nga arrestimi, ai nuk është ekstraduar, do të thotë që edhe Dritan Shkëmbi mund të jete liruar si shumë të tjerë. Apo ekstradimi mund të jetë refuzuar, për aq kohë sa nuk ka një njoftim zyrtar.

Ndërkohë, më 8 shkurt 2024, në Dubai është arrestuar një tjetër i kërkuar për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja. I arrestuari është 47-vjeçari Julian Meçe, për të cilin Policia e Shtetit thotë se kanë nisur procedurat e ekstradimit.

Policia e Shtetit

Finalizohet si rezultat i bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Abu Dhabi, operacioni policor i koduar “Tentativa”. Pas shkëmbimit të informacioneve mes dy palëve, kapet në Dubai dhe arrestohet me qëllim ekstradimin në Shqipëri, një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për disa vepra të rënda penale. Vijojnë procedurat për ekstradimin në Shqipëri, të 47-vjeçarit të akuzuar si pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal.

19 Prill 2023

Arrestohet Ramazan Rraja

Një nga shtetasit shqiptar që pasi ka qëndruar për disa muaj në Dubai ka vendosur të kthehet vetë në Shqipëri, ndonëse ishte në kërkim, është Ramazan Rraja. Ai ishte shpallur në kërkim për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja është arrestuar nga Policia më 19 prill të vitit 2023. Rraja kishte pak ditë që ishte kthyer nga Dubai, kur u prangos nga Policia e Shtetit, me pistoletë në brez, në afërsi të Urës së Gjolës. SPAK ka mundur të sigurojë informacione se ai ka mbërritur në Shqipëri, e ka mbajtur nën vëzhgim dhe më pas është vënë në pranga.

Më 4 janar 2024 Apeli i Gjykatës së Posaçme ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për Ramazan Rrajën, i akuzuar si i përfshirë në atentatin e 1 nëntorit 2019, ku mbeti i vrarë Andi Maloku, shoferi i ish-prokurorit Ndoja. Rraja i ishte drejtuar Gjykatës së Apelit për ndryshim të masës së sigurisë e vendimi ka qenë i njëjtë me atë të shkallës së parë.

Ramazan Rraja, ishte arratisur drejt Dubait, bashkë me dy shokët e tij në dhjetor të vitit 2021, pasi u shpallën në kërkim në lidhje me një ngjarje të ndodhur në një lokal në Lezhë. Ata shkuan të maskuar dhe me automatik duke kërkuar pronarin e lokalit e kur nuk e gjetën aty, ushtruan terror ndaj personave që gjendeshin në atë ambient.

6 Shtator 2023

Arrestohet Alban Bengasi

Një tjetër i kërkuar që strehohej në Dubai dhe u kthye vetë në Shqipëri, është edhe ish-avokati Alban Bengasi. Ai u arrestua më 6 shtator të vitit 2023 sapo zbriti në Aeroportin e Rinasit.

Më 9 shkurt 2024 Prokuroria e Posaçme ka dërguar për gjykim Alban Bengasin. Bengasi u arrestua si pjesë e dosjes “Plumbi i Artë”. Ai akuzohet se ka porositur Nuredin Dumanin dhe Elio Bitrin për të dhunuar ish-bashkëshorten. SPAK thotë se Alban Bengasi, ish-bashkëshorti  i të dëmtuarës Blerta Ruçi, për shkak të konflikteve familjare, ka qenë porositësi i aktit të dhunës ndaj saj.

Ndërsa Festim Qoli, është personi që ia ka ofruar si “punë”, të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani dhe më pas ka mundësuar takimin e Alban Bengasit  me Dumani. Ky i fundit është personi që ka kryer ndjekjen e Blerta Bengasit, për të mësuar lëvizjet dhe përditshmërinë e saj dhe i dyshuari tjetër Eljo Bitri është ekzekutori, personi i cili ka goditur ish-bashkëshorten e Bengasit më 30 janar të vitit 2020.  Nga hetimet është evidentuar përfshirja në krim edhe e një personi tjetër, shok i Eljo Bitri, i paidentifikuar deri më tani, i cili shfaqet në rolin e ndihmësit pasi  ka qenë drejtues i mjetit, me të cilin është larguar Bitri nga vendi i ngjarjes. Këta persona kanë bashkëvepruar në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, duke e shtrirë në kohë dhe vende aktivitetin e ndjekjes së të dëmtuarës, si dhe duke pasur një ndarje të qartë rolesh në kryerjen e veprës penale.

30 Dhjetor 2023

Ekstradohet Franc Çopja

Shqiptari i parë që ka thyer mitin e të paprekshmëve në Dubai, është 31-vjeçari nga Elbasani, Franc Çopja, i njohur edhe me emrin Franc Gergely. Më 30 dhjetor të vitit 2023 ai është ekstraduar drejt Belgjikës, ku është i akuzuar për vrasje. Çopja njihet si lideri i një klani që konsiderohet përgjegjës për të paktën nëntë vrasje. Franc Çopja drejtonte biznesin e tij të paligjshëm nga një vilë në Dubai, por u ekspozua nga mesazhet që shkëmbente me bashkëpunëtorët e tij në aplikacionin “Sky”. Ai u dërgua në Bruksel nën masa të rrepta sigurie ku tashmë pritet të përballet me akuza, të cilat nëse provohen mund ta çojnë drejt burgimit të përjetshëm. Ai është i akuzuar për ekzekutimin e shqiptarit Arjan Spahia, më 27 nëntor të vitit 2020. Spahia, 38 vjeç, po dilte nga një kafene në Condorlaan, në orët e mbrëmjes, kur një makinë “Golf 6” e zezë kaloi pranë tij. Një person zbriti nga makina dhe hapi zjarr me automatik. U qëllua 18 herë në drejtim të tij. Spahia u godit nga 8 plumba dhe vdiq në vend. Hetimi zbuloi se urdhri fillestar ishte vrasja e të gjithë familjes së tij. Dy ekzekutorët u arrestuan në Spanjë dhe Gjermani. Por organizatori sipas autoriteteve belge ishte Franc Çopja. Ai dhe Arjan Spahia nuk ishin të huaj me njëri-tjetrin. Ata i përkasin dy klaneve rivale shqiptare të përfshira në trafikun e kokainës. Franc Çopja sipas Prokurorisë belge është mbreti absolut i mjedisit shqiptar të drogës dhe i përket klanit “Çopja”, me bazë në Dubai.

Kriminologu dhe njëherësh juristi italian Vincenzo Musacchio ka rrëfyer se si mafia shqiptare dhe ajo italiane kanë gjetur parajsën në Emiratet e Bashkuara Arabe. Në një intervistë për ‘Rai News’ Vincenzo Musaçhio thekson se vendet si Dubai janë shndërruar në pikën më strategjike të trafikantëve të drogës, të cilët kontrollojnë gjithçka që andej dhe madje investojnë në këtë vend, ku vetë drejtësia arabe është neglizhente në këtë drejtim, por edhe mungesa e marrëveshjes së ekstradimit është një problem më vete.

Vincenzo Musacchio

Të dhënat dhe studimet aktuale konfirmojnë se në Emiratet e Bashkuara Arabe, shumë organizata kriminale bëjnë biznes dhe investojnë në ekonominë e tyre legale. Në Emiratet e Bashkuara Arabe nuk njihet krimi i organizuar vendas, por aty gjallojnë mafiozët italianë, gjë e cila është vërtetuar nga arrestimet e shumta të ‘Ndranghetistëve dhe Camorras. Aty veprojnë grupe mafioze afgane, indiane, pakistaneze, turke, nigeriane dhe shqiptare. Të gjitha këto organizata pastrojnë paratë e pista dhe depërtojnë në ekonominë e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Pra Shqipëria nuk është vendi i vetëm që nuk mund të tërheqë kriminelët e strehuar në Dubai, për shkak të mungesës së marrëveshjeve të ekstradimit. Por ekstradimi i Franc Çopjas në Belgjikë, mund të shihet si një mundësi për hapjen rrugë të kthimit të të kërkuarve në vendet ku kanë hesape të pa mbyllura me drejtësinë.

Një fjalë e urtë arabe thotë “Daba Dubai”, që do të thotë: “Ata erdhën me shumë para”. E duket se edhe shqiptarët mund të kenë dëgjuar për këtë shprehje arabe. Ata kanë shkuar atje jo vetëm me akuza të rënda të mbartura nga Shqipëria, por edhe me shumë para. Para që u kanë shërbyer, qoftë si garanci për të fituar lirinë me kusht, qoftë për t’i investuar aty, duke u bërë të paprekshëm… të paktën deri tani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat