Ja pse anija "Iliria" u zgjodh për të mbajtur të palëvizur 'Norman Atlantic'

Shqipëria

Ja pse anija "Iliria" u zgjodh për të mbajtur të palëvizur 'Norman Atlantic'

Më: 30 dhjetor 2014 Në ora: 22:38

Televizioni A1 Report mëson se anija “Iliria” e cila u përfshi në rimorkimin e tragetit italian “Norman Atlantic” për ta mbajtur atë larg shkëmbinjve të brigjeve të Vlorës, ishte kontraktuar nga kompania private italiane në pronësi të tragetit që u përfshi nga flakët, për shkak të një çmimi më të lirë.

Burime për A1 Report kanë bërë të ditur se anija “Iliria” ishte rimorkiatori i dytë i kontraktuar privatisht nga kompania italiane, dhe zgjedhja e një kompanie shqiptare, mendohet të jetë bërë për shkak të një çmimi më të lirë. Sipas të njëjtave burime mësohet se fillimisht nga ana e kompanisë në pronësi të “Norman Adriatic” ishin kontaktuar më herët kompani holandeze dhe italiane.

Por mesa duket për arsye financiare, kompania private italiane ka zgjedhur të kontraktojë kompani shqiptare, e cila ka pranuar të përfshihet në operacionin e mbajtjes të palëvizur të tragetit “Norman Atlantic”, me një çmim më të lirë se sa ai i kompanisë holandeze apo italiane.

Anija “Iliria” ishte rimorkiatori i dytë i kontraktuar privatisht nga kompania italiane e cila ka në pronësi tragetin “Norman Atlantic”. Kjo pasi mbrëmjen e djeshme, kompania në pronësi të tragetit që u përfshi nga flakët kishte kontraktuar një kompani rimorkiatore nga Durrësi, e quajtur “Adriatik”.

Detyra e saj ishte caktuar që të mbante të palëvizuar tragetin “Norman Atlantic”, për shkak se ky i fundit, duke qenë në gjendje të lirë, dhe jashtë kontrollit, rrezikonte që nga era e fortë dhe dallgët të përplasej me shkëmbinjtë në brigjet e Vlorës.

Gjithashtu mësohet se që mbrëmjen e djeshme, kompania rimorkiatore “Adriatik” fillimisht kishte arritur ta lidhte me kavo tragetin “Norman Atlantic”. Megjithatë gjatë operacionit, litari dhe kavot janë shkëputur.

Në këtë situatë, është kontraktuar rimorkiatori i dytë, dhe pikërisht anija “Iliria” e cila do të duhej të mbante të lidhur dhe të palëvizur tragetin “Norman Atlantic”.

Pikërisht, në këtë situatë, dy marinarët civilë shqiptarë kanë humbur jetën gjatë përpjekjes për të lidhur kavot, ato janë shkëputur dhe kanë goditur dy shqiptarët 59-vjeçari Petrit Jahaj dhe 57-vjeçari Edmond Hilaj.

Trageti “Norman Atlantic” i cili dha alarmin SOS rreth orës 04:30 të mëngjesit të së dielës, ndodhet prej 3 ditësh pranë brigjeve shqiptare, përkatësisht 5 milje larg ishullit të Sazanit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat