Ligji në Parlamentin shqiptar: Komentet fyese në internet do të fshihen - Bota Sot
Ligji në Parlamentin shqiptar: Komentet fyese në internet do të fshihen

Shqipëria

E martë, 20 nëntor 2018

Ligji në Parlamentin shqiptar: Komentet fyese në internet do të fshihen

Më: 2 prill 2015 Në ora: 00:00

Opozita çon draftin në Kuvend: Dëmet e shkaktuara nga komentet fyese do të përbëjnë dëm pasuror në cënimin e nderit ose reputacionit të personit, dhe do t’i ngarkohen administratorit të portalit. Mazhoranca shtyn shqyrtimin: Duhet treguar kujdes me këtë projektligj Me kërkesë të opozitës, Parlamenti shqiptar po shqyrton një projektligj i cili detyron të gjithë administratorët e hapësirave mediatike apo sociale në internet, që të fshijnë çdo koment denigrues. Po ashtu dëmet e shkaktuara nga këto publikime do të përbëjnë dëm pasuror në cënimin e nderit, personalitetit ose reputacionit të personit, dhe do t’i ngarkohen administratorit të portalit.

Projektligji u prezantua sot te Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut ku ishte i pranishëm edhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi. Komisioni shqyrtoi projektligjin e propozuar nga deputetja e PD, Majlinda Bregu, ku ishin renditur disa ndryshime në Kodin Civil. Në thelb të ndryshimeve ishte se administratorët e mediave online do të kenë detyrimin të fshijnë nga faqja e tyre të gjitha komentet fyese që denigrojnë figurën e individit.

Znj. Bregu tha se projektligji synon të detyrojë portalet online të fshijnë të gjitha komentet e lexuesve që kalojnë përtej kriticizmit të pranueshëm dhe cenojnë nderin, dinjitetin e personalitetin e një individi, duke përdorur gjuhë urrejtje, fyerje, qëndrime seksiste, sidomos kur në qendër të lajmit janë gratë. Ish ministrja e Integrimit tha se projektligji, përcakton mënyrat dhe masat e nevojshme që duhet të ndërmerren nga administratorët e portaleve online për fshirjen në kohë të komenteve që cënojnë nderin, personalitetin apo reputacionin e një individi. “Ky draft synon përcaktimin e përgjegjësisë së portaleve elektronike, përfshirë faqet zyrtare të medias së shkruar ose vizive, për të penguar publikimin e çdo komenti që cënon nderin, personalitetin apo reputacionin e një individi. Dëmet e shkaktuara nga këto publikime do të përbëjnë dëm pasuror në cënimin e nderit, personalitetit ose reputacionit të personit, dhe do t’i ngarkohen administratorit të portalit”, - tha Bregu.

Në këtë mënyrë, projektligji sugjeron se kur një individ, qoftë i identifikueshëm apo anonim, komenton me terma denigruese në hapësirat e internetit, si faqe informative, blogje, faqe rrjetesh sociale, personi që është administrator i tyre të paguajë financiarisht për dëmtim imazhi. Deputeti z. Armando Subashi tha se nisma është pozitive, por ka nevojë që të shikohet nga ana e teknikës legjislative, për shkak se mund të mos përfshihet në Kodin Civil. “Në mënyrë të përgjithshme, pak a shumë e mbështes këtë iniciativë dhe jam me këtë lloj përkufizimi, sigurisht të gjitha komentet që bëhen duhet të kenë një lloj përgjegjshmërie për këto.

Ndërhyrjen e kam më shumë në aspektin procedural, për të fituar pak më shumë ditë kohë, sepse duhet të jemi pak më shumë të kujdesshëm”,- tha z. Subashi. Ndërhyrjet në legjislacionin penal propozohen në një moment kur media sociale po merr gjithnjë e më shumë terren dhe informacionet shpesh shoqërohen nga komente të cilat në një pjesë të tyre janë denigruese dhe fyese, duke tejkaluar normat e etikës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test