Në kampin e ish të përndjekurve politikë në Tepelenë u zhdukën 300 fëmijë (Foto) - Bota Sot
Në kampin e ish të përndjekurve politikë në Tepelenë u zhdukën 300 fëmijë (Foto)

Shqipëria

Në kampin e ish të përndjekurve politikë në Tepelenë u zhdukën 300 fëmijë (Foto)

Nga: Beqir SINA - New York Më: 1 shtator 2015 Në ora: 22:53

TEPELENË­ - Në kuadër të ditës Ndërkombëtare të personave të zhdukur nga rregjimi komunist, në një prej kampeve më famëkeqe atë të internimit në Tepelenë, u organizua një aktivitet përkujtimorë dhe u inagurua memoriali kushtuar personave që jane vendosur në varrë pa emër, të cilët humbën jetën gjatë internimit në këtë kamp.

Aktiviteti ishte i organizuar nga Ministria e Mirëqënies sociale dhe në bashkëpunim me Institutin e të Përndjekurve Politikë.

Pelegrinazhi vjetor u zhvillua në kuadër të ditës së të humburve, ku me këtë rast në vendin ku kan mbetur gërmadhat e kampit të ish të përndjekurve, u vendos një monument përkujtimor në nder të tyre.

Pjesëmarres në këtë ceremoni, përveç të afërmeve të familjarëve të zhdukur, ishin edhe përfaqësues të shoqatave dhe organizatave,diplomatë të huaj të akredituar në Shqipëri, ambasadori i Polonisë, në Tiranë Marek Jeziorski si dhe zv.ambasadori i OSBE-së Robert Wilton.

Në mesin e dhjetëra të ish interrnuarve, në këtë përkujtimore të asaj kohe, ishin edhe disa anëtarë të familjeve dhe ish fëmijë të atij kampi, që i mbijetuan çfarrosjes, të cilët jetojnë sot në Tiranë, Shkodër, Durrës, Lushnje, Elabasan, Korçë, Vlorë, dhe Itali, Francë, Greqi, Gjermani, Angli dhe SHBA.

Simon Mirakaj - një i mbijetuar i kampit të çfarrosjes, në Tepelenë, na thotë nëpërmjet postës elektronike, se ai ka parë në këtë pelegrinazh edhe Lek Mirakën me Dine Dinen, Hakik Menën nga SHBA, pjestar të familjes së Kaloshëve, Kolgjinve, Blloshmi, Markagjonëve, familjes së Tahir Hoxhës, Ilir Bicaku, Kurt Kola, Camajt e Dibrës, Sofo Kuqeshi, Baftije Nela, Neritan Kolgjini, dhe shumë të tjerë…

Zv ministrja e ministrisë së Mirëqënies sociale dhe Rinisë, e cila mori pjesë në emër të qeverisë, shqiptare, znj. Gentiana Sula, ka pohuar gjatë ceremonisë se disponohet harta e varreve, ku rezultojnë eshtrat e rreth 6000 personave dhe database nga IPMC, është shumë i avancuar ku do të behet dhe AND e eshtrave.

“300 bebe janë zhdukur këtu dhe një pjesë e madhe e tyre vdiqën nga trajtimit çnjerëzor dhe siç e dini qeveria shqiptare ka ndërmarrë hapa konkrete për të përdorur një qasje shkencore dhe për të gjetur mbetjet e këtyre personave në këtë kamp dhe në kampe të ngjashme që Shqipëria ka edhe shumë të tjera si këto”, deklaroi Gentiana Sula, zv.ministre e Mirëqenies Sociale.

Mbi 6 mijë persona janë vrarë dhe trupat e tyre nuk dihen ende dhe sot se ku janë. Zv.ministrja e Çështjeve Sociale, Gentiana Sulaj, tha se është ngritur një bazë të dhënash dhe shumë shpejt do të nisë puna për identifikimin e tyre.

“Të dhënat, në kuptimin shkencor, që kërkon standardi i kërkimit në bazë të ADN-së do të vijë së shpejti. Kemi krijuar zyrën e kërkimit pranë Institutit të të Përndjekurve Politikë. Database shkencor ka të bëjë edhe me depozitimin në të materialit gjenetik të familjarëve që do të kombinohet pastaj me materialin gjenetik të të gjeturve”, shtoi zv.ministrja Sula.

Kurse Ambasadaori polak Marek Jeziroski - ka pohuar se po sillet eksperienca e vendeve si Polonia, Gjermania. Institucioni publik i fuqishëm i ngritur, ka një degë të rëndësishme hetimore dhe mund të hetohen rastet e krimit të komunizmit pohoi ndër të tjera ai.

Për të fshirë gjurmët e terrorit, eshtrat u zhdukën dhe tashme po punohet për evidentimin e varreve masive ku po mblidhen dëshmitë. Po ashtu edhe provat fizike dhe dokumentet e egzistencës së këtij kampi, janë zhdukur. -

Ishin vitet 1949 deri në vitin 1954, ku partia-shtet detyroi më shumë se 3 mijë familje të jetonin këtë kamp, ku masakrat ndaj njeriut nuk njihnin kufi.

Në kampin e ish të përndjekurve politikë në Tepelenë u zhdukën 300 fëmijë.

Nga arkivi i Ministrisë së Brendshme dalin skicat e realizuara nga Lekë Previzi, një ish i internuar në kampin famëkeq të Tepelenës, që u mbyll në vitin 1954

Janë këto shtatë vizatime të realizuara nga piktori Lek Previzi, i dënuar politik në atë kamp, që paraqesin një pamje të përgjithshme të jetës brenda kazermave të Kampit të Tepelenës, ku rrinin mbyllur të internuarit. Sipas statistikave të arkivit të Ministrisë së Brendshme, që më 1945-ën, që ishte dhe viti i parë i internimit, në këtë kamp vdiqën 260 vetë, sidomos fëmijë dhe pleq. Siç kujton autori i këtyre vizatimeve, Lekë Previzi, kazermat ishin me përmasa ciklopike, 25 x 14 m dhe ato mund të mbanin mbi 600 veta, sepse kishte shumë familje me fëmijë të vegjël që zinin më pak vend. Të gjithë të internuarit u vendosën në këto kazerma, rifuxho, drejt e mbi shtresën e betonit që kishin qenë të ushtrisë italiane. “Prerje e një kazerme me skelet dykatësh, ku rrinin, poshtë familjet me fëmijë, lart të rritur e beqarë”, – kujton Previzi.

Në kampin e Tepelenës u dërguan të gjitha familjet e mëdha të Veriut, si dhe familje të tjera po të krahinave veriore. Sipas udhëzimeve, aty do të grumbulloheshin të gjitha ato familje që etiketoheshin nga pushteti komunist si reaksionarë, kulakë, borgjezë, tradhtarë të deklasuar, agjentë të huaj etj. Në kampet e internimit në Berat, Kuçovë, Tepelenë, Turan, Porto- Palermo dhe më pas në Lushnjë, Shtyllas, Savër, Gradishtë, Grabjan, Çermë, nga viti 1945 deri në vitin 1990 u internuan familje të mëdha nga Veriu i Shqipërisë si: Kaloshët, Bajraktarët e Kukësit, Bajraktarët e Malësisë së Madhe, Gjonmarkajt, Manajt, Demajt, Kalajt, Previzët, Mirakajt, Gashët, Lufajt, Dinejtë dhe Ndreu.

Ndërsa në kampet e internimit në Valias, Krujë, Lezhan, Maliq, Zvërnec, nga viti 1945 deri në vitin 1954 të internuarit ishin kryesisht nga Jugu i Shqipërisë. “Ajo që të binte në sy në Tepelenë, ishin gratë e fëmijët, të cilët përbënin shumicën dërmuese. Pastaj pleqtë e plakat. Shumë ishin të rejat e të rinjtë të rritur në kondita kampi, që ishin internuar që më 1945-ën, në moshën rreth 12-14 vjeç, e tani ishin 17-18 vjeç. Më pak ishin burrat, sepse shumica e tyre mbushnin burgjet. Në Tepelenë, nga 1950-ta filluan të sillnin ata burra që kishin kryer dënimin fillestar 5-vjeçar”, –kujton Previzi. Po sipas statistikave të Ministrisë së Brendshme, të bëra publike në albumin “Terrori Komunist në Shqipëri”, nga viti 1945-1990 janë internuar gjithsej 48 217 burra dhe 10 792 gra. Nga qytete kryesore dhe nga zonat kufitare u dëbuan 11 536 familje. Kampi famëkeq i Tepelenës qëndroi gjashtë vjet dhe u mbyll më 1954, kur të internuarit u grumbulluan të gjithë në fushën e Myzeqesë të Lushnjës, të shpërndarë në disa sektorë-kampe të fermës ‘29 Nëntori’. Këto skica të Lekë Previzit janë të vetmet dokumente të mbetura nga ai kamp ku vdiqën me qindra njerëz, shumë prej tyre fëmijë, gra dhe pleq.

Shumë prej të internuarve në këtë kamp përfunduan në kampe me punë të detyruar në bonifikim, bujqësi, veprave industriale dhe kampet e punës së detyruar nëpër miniera. Sipas urdhrit të internimit të familjes Previzi, Lekë Previzi u internua në burgun e Tepelenës, për arsye se babai i tij u dënua në mungesë si kriminel lufte. Ish-komandant i forcave mercenare të Veriut, i ati u arratis pas çlirimit jashtë vendit. Familja Previzi qëndroi në internim deri në vitin 1990.

Ndërsa, duke treguar për Kampin e Tepelenës, në rrjetin social facebook, Luftar Pepmarku thotë se tezja e tij i ka treguar se: "Ishte një ditë e ftohtë dimri. Një vajzë, në kampin famëkeq të Tepelenës ishte e sëmurë. E këshilluam të mos vinte në mal, ku shkonim çdo ditë për të mbajtur dru e për ti sjellur në kamp. Ikëm në mal muarrëm nga një barrë dru dhe i sollëm në kamp. Siç duket ata e kishin kuptuar se dikush mungonte në rreshtat e të internuarave dhe na urdhëruan që fillimisht t' i shkarkonim drutë veç e veç. Rezultoi që një barrë dru mungonte. Pastaj filluan kërcënimet, kush nuk ka ardhur në mal për dru. Na thoni kush është ajo, që i është shmangur detyrës. Askush prej nesh nuk fliste. Ata sigurisht e kishin kuptuar personin, që për arsye shëndetësore kishte munguar atë ditë. Atëherë thjeshtë për të shfryrë urrejtjen që kishin ndaj nesh dhe për të treguar pafytyrësinë e tyre, na urdhëruan t' i ngarkonim edhe njëherë drutë në shpinë, t' i ngjitnim përsëri në majë të Malit e ti risillënim edhe një herë në kamp.”

Pepmarku rrefen se episode të tilla nga më çnjerëzoret, ka shumë nga ai kamp por edhe të tjerët. “Unë, shton ai e gjykova të arsyeshme që të publikoj vetëm këtë, në mungesë të marrjes pjesë në këtë tubim, për arsye moshe dhe gjendjes jo të mirë shëndetësore të tezes time, Fatime Xhemal Mena (Koleci) Bashkëshortja e të ndjerit Ramiz Mena, i cili u nda nga jeta me 24 korrik 2015. Zoti me madhështinë e tij, ua shpërbleftë mundin dhe vuajtjet të gjithë atyre që u përballën me këto mostra të egra, që nuk njihnin arsye dhe u mungonte çdo ndjenjë njerëzore” shkruan Luftar Pepmarku në faqen e interrnetit “Kampi i Tepelenës”.




Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...