Dëshmia e prindërve nga Pogradeci: Foshnjën na e vranë në maternitet, do marrim hak

Shqipëria

Dëshmia e prindërve nga Pogradeci: Foshnjën na e vranë në maternitet, do marrim hak

Më: 3 tetor 2016 Në ora: 19:06
Ilustrim

Vetëm katër ditë më parë ajo u gëzua me një djalë, ndërsa sot vuan vdekjen e tij.

Semke Hyka nga Pogradeci, nënë për here të parë, me lot në sy rrëfen për “News24” çastet e tmerrshme që po përjeton me vdekjen e mistershme të fëmijës së saj në maternitetin e Pogradecit.

Ajo pohoi se fëmija lindi normalisht dhe pa asnjë komplikacion, ndërsa një ditë më pas ajo vërejti se ai kishte infeksion në lëkurë.

 “Një ditë pas lindjes fëmija nuk mundej të ushqehej. Vumë re se foshnja kishte infeksion në lëkure. Ilaçet i kemi blerë vetë sepse nuk kishte në spital.”, tregon mes dhimbjes nëna. Hyka theksoi se foshnja e saj kishte qëndruar në atë gjendje 2-3 orë, ndërsa infermieret nuk i kishin bërë asgjë.

 Ndërkohë, më i ashpër ka qenë reagimi i babait të foshnjës, Agron Hyka, i cili ka akuzuar mjekun dhe infermierët për neglizhencë, ndërsa shtoi se nëse drejtësia nuk vihet në vend ai do marr hak. Hyka bëri të ditur se foshnja i tij ishte në gjendje të mirë shëndetësore, por pasi i dolën puçrra në trup ai u përkeqësua. “Fëmija ishte në gjendje të mirë por pas puçrrave në trup u përkeqësua. Doktori nuk e mori parasysh gjendjen. Kemi paguar 200 mijë lekë doktorin dhe infermiereve. Na e vranë fëmijën. Nëse drejtësia nuk vihet në vend do marr hak ndaj doktorit dhe nuk e lë të gjallë”, tha babai.

 Sipas familjarëve foshnja lindi para 4 ditësh dhe mjekët të cilët e kishin ndjekur lindjen iu kishin thënë se fëmija ishte mirë. Mësohet se fëmija ka pasur komplikacione dhe për këtë e kishin nisur rreth drejt Tiranës por rrugës foshnja kishte ndërruar jetë. Familjarët të tronditur për humbjen kanë dyshime të forta se faji është i mjekëve pasi ata u kishin deklaruar se fëmija kur lindi pas operacionit ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Ndërkohë në maternitet mbërriti policia e Pogradecit, e cila mori në pyetje mjeket dhe familjarët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat