Hyn në fuqi Ligji i Vettingut

Shqipëria

Hyn në fuqi Ligji i Vettingut

Më: 7 tetor 2016 Në ora: 09:21
Ilustrim

Sot hyn në fuqi ligji i Vettingut, që bashkë me ligjin e SPAK, janë pjesa më kyçe e paketës ligjore të reformimit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

Ligji parashikon vlerësimin e përgatitjes profesionale, integritetin moral, si dhe të zbulojë shkallën e pavarësisë së gjyqtarëve dhe prokuroreve shqiptare nga ndikimi i krimit të organizuar, korrupsionit dhe pushtetit politik.

I miratuar në parlament më 30 gusht, vetëm me votat e mazhorancës së majtë, ligji u publikua më 23 shtator në Fletore Zyrtare, ndërsa sot merr fuqi të plotë.

Për Vettingun nuk u shpreh me dekret Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, duke bërë kështu që ai të hyjë në fuqi automatikisht.

Vettingu është pjesë e paketës prej 7 ligjesh që do të mbështesin zbatimin e reformës në drejtësi. Ligji u ankimua dy ditë më parë në Gjykatë Kushtetuese nga Partia Demokratike, qe kërkon pezullimin e tij, pasi sipas saj, është në shkelje të Kushtetutës.

Në kuadër të zbatimit te reformës në drejtësi, Kuvendi miratoi dje dhe pesë ligje të tjera mbështetëse, ku vetëm për ligjin e SPAK-ut (struktura e posacme antikorrupsion), opozita dha voten ‘pro’, ndërsa për katër të tjerat refuzoi t’i miratoje, duke i konsideruar antikushtetuese.

Miratimi i kësaj pakete i hap rrugën zbatimit të reformës kushtetuese, pjesë e së cilës janë dhe 30 ligje të tjera, që rregullojnë organizimin dhe funksionimin e institucioneve të sistemit të drejtësisë, përfshirë ato kushtetuese.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat