OSHEE, pagesa e energjisë përmes celularit shmang abuzimet

Shqipëria

OSHEE, pagesa e energjisë përmes celularit shmang abuzimet

Më: 25 nëntor 2016 Në ora: 01:01
Ilustrim

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, z. Damian Gjiknuri, i shoqëruar nga administratori i Operatorit të Shpërndarjes, z. Adrian Çela, ndoqën nga afër prezantimin e aplikacionit OSHEE Mobile përmes të cilit qytetarët mund të kryejnë shërbimet online, në telefonin e tyre, pa pasur nevojë të shkojnë në zyrat e Kujdesit ndaj Klientit.

Me anë të aplikacionit OSHEE Mobile, çdo përdorues i një telefoni “smart” mundet të regjistrohet për të pasur llogarinë online pranë kompanisë; të kontrollojë konsumin dhe faturën mujore; të kryejë pagesa të faturave pa komision; të kryejë një kërkesë apo ankesë, si dhe të ndjekë statusin e saj; të aksesojë portalin e punësimit dhe të aplikojë për një vend pune pranë kompanisë. Gjithashtu krijohet mundësia që të denoncohet çdo abuzim me të cilin ndeshet qytetari, duke e shoqëruar me fotografi dhe të dhëna konkrete. Qytetarët mund të shikojnë në hartë dhe të informohen edhe mbi Qendrat e Kujdesit ndaj Klientit apo aktivitetet e produktet e Operatorit të Shpërndarjes.

Ministri Gjiknuri deklaroi se përmes rimëkëmbjes financiare të kompanisë dhe sektorit në tërësi, po bëhet e mundur që të kryhen investimet aq të domosdoshme si në infrastrukturën e rrjetit, ashtu edhe në shërbimin ndaj konsumatorëve.

“Këto investime janë shumë të rëndësishme, pasi në qendër të tyre është klienti. Qytetarët e kanë mirëpritur investimin në teknologji dhe gjithnjë e më shumë po përdorin format alternative të pagesave dhe informimit”, u shpreh z. Gjiknuri.

Duke ju referuar aplikacionit OSHEE Mobile, ai theksoi se “ka ende probleme pasi ka edhe punonjës të papërgjegjshëm. Çështja është të gjejmë format dhe mundësitë për t’i kontrolluar ata gjithnjë e më shumë. Aplikacioni është mundësi e mirë për të gjurmuar ankesa, për të kryer denoncimin në kohë reale duke dhënë mundësinë e ndjekjes së saj, ndëshkimin e personave përgjegjës dhe zgjidhjen e problemit. Përmes denoncimeve do t’i jepet mundësia kompanisë të korrigjojë edhe performancën e saj”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat