Shqipëria pa armë, 9 personazhe VIP mbështesin kauzën

Shqipëria

Shqipëria pa armë, 9 personazhe VIP mbështesin kauzën

Më: 10 prill 2017 Në ora: 18:43
Armët e dorëzuara

Laert Vasili, Elia Zaharia, Ledion Zoi, Julka Dhamo, Eneda Tarifa, Ened Mato Erion Kristo, Ardit Roshi dhe Arjon Muça, 9 personazhe të njohur dhe të dashur të ekranit janë mbledhur për një mesazh promovues të fushatës “Shqipëria Pa Armë”.

Në spotin e publikuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, nismëtare e amnistisë ligjore për armëmbajtjen pa leje, përmes një loje fjalësh mes peshës që kanë pasojat e armëmbajtjes dhe lehtësisë me të cilin zgjidhet me dhunë një konflikt i çastit, ata u bëjnë thirrje qytetarëve të Republikës së Shqipërisë të gjejnë zgjidhje paqësore për konfliktet dhe të dorëzojnë vullnetarisht armën e paligjshme brenda 30 prillit.

Ky është spoti i dytë i realizuar në kuadër të kësaj fushate, pas atij bazuar në një ngjarje të vërtetë. Spotet janë pjesë e fushatës informuese dhe ndërgjegjësuese online për të nxitur dorëzimin vullnetar të armëve të zjarrit brenda amnistisë në fuqi deri në 30 prill 2017 (datë pas së cilës dënimi për mbajtjen dhe përdorimin e armës së zjarrit mund të arrijë deri në 15 vite heqje lirie).

Nisma ligjore për aministinë afatshkurtër të armëmbajtjes pa leje hyri në fuqi më 14 janar 2017, ndërsa fushatat ndërgjegjësuese janë kryer në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara (UNDP SEESAC) dhe Bashkimin Europian (programin PAMECA). Gjithashtu ligjet “Mbi armët” dhe “Mbi përdorimin e armëve” janë hartuar me asistencën e ekspertëve të BE-së dhe misioneve që ndihmojnë policinë në ushtrimin e detyrës, që janë ICITAP dhe PAMECA, si dhe me Komitetin Shqiptar të Helsinkit, në përputhje të plotë me direktivat e BE.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat