Basha flet për takimin me Ramën, jep detaje

Shqipëria

Basha flet për takimin me Ramën, jep detaje

Më: 3 maj 2017 Në ora: 19:16
Kreu i PD-së, Lulzim Basha

Kreu i PD-së, Lulzim Basha, duke folur nga ‘çadra e lirisë’ ka dhënë detaje në lidhje me negocimin më të fundit për të gjetur një zgjidhje për krizën politike. 

Basha është shprehur se opozita nuk do të rri duarkryq, por ka punuar dhe do të punojë fortë për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme. 

Kreu i PD-së deklaroi se kryeministri Edi Rama është tërhequr edhe nga propozimet e një jave më parë nga ndërkombëtarët. 

 “Shkova në këtë tryezë me vullnetin e plotë dhe të palëkundur për të mos marrë asgjë për përfitime politike të miat.

Po kështu, nuk doja të lëshoja asgjë nga të drejtat legjitime të qytetarëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Unë shkova me zotimin që u kishim bërë ndërkombëtarëve se PD nuk do të linte asnjë mundësi pa eksploruar për një marrëveshje politike me kushtin e vetëm për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Dy janë kolonat e vullnetit politik pa të cilat nuk funksionojnë. Shqipëria është në krizë politike, dhe kërkohet zgjidhje politike.

Ky që kishte fërkuar duart bashkë me lobistët e tij që paguhen me para droge, kishte shpresuar të pamundurën. Që ne luftëtarët kundër krimit dhe drogës të tregoheshim me gisht si fajtorë të krizës.Dje e kuptoi se edhe me paratë e drogës nuk mund ta fshehin të vërtetën. Droga dhe krimi janë kërcënimet kryesore të zgjedhjeve në Shqipëri.

Nuk do të ketë bojkot, pasi ne nuk do të rrimë duarkryq teksa bëhen zgjedhjet farsë. Rama u tërhoq sot edhe nga oferta e javës së kaluar”, -tha Basha.

Kreu i PD-së Lulzim Basha dhe kryeministri Edi Rama për më shumë se 3 orë zhvilluan një takim në presidencë për të gjetur një zgjidhje politike, por pa rezultat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat