Dosja shkon në gjykatë, ja akuzat për vrasësin e Komisarit Artan Cuku

Shqipëria

Dosja shkon në gjykatë, ja akuzat për vrasësin e Komisarit Artan Cuku

Më: 12 qershor 2017 Në ora: 15:41
Emri i tij u është përcjellë pikave kufitare që prej datës 9 qershor, të njëjtën ditë kur në sistemin Tims është shpërndarë njoftimi në kufi edhe për shtetasin Bujar Daka, 35 vjeç, i dyshuar si porositësi i vrasjes së Cukut

I dyshuari si vrasës me pagesë, Mikel Shallari do dalë para Gjykatës së Krimeve të Rënda për akuzën e ekzekutimit të ish-zyrtarit të policisë Artan Cuku.

Akuza është ngritur në bazë të nenit 78/A, që parashikon vrasjen e kryer në bashkëpunim për interes hakmarrjeje apo gjakmarrjeje dhe që dënohet nga 25 vjet deri në burgim të përjetshëm.

Emri i tij u është përcjellë pikave kufitare që prej datës 9 qershor, të njëjtën ditë kur në sistemin Tims është shpërndarë njoftimi në kufi edhe për shtetasin Bujar Daka, 35 vjeç, i dyshuar si porositësi i vrasjes së Cukut.

Bujar Daka u dyshua menjëherë pas krimit përderisa rezulton se vite më parë, vëllai i tij Agim Daka u vetëvra në zyrën e ish-shefit të komisariatit numër 4, Artan Cuku, gjatë kohës që po pyetej për adresën e të vëllait.

Rezulton, thonë burimet, se Bujar Daka është dëbuar nga autoritetet zvicerane në vitin 2015, pasi ka mbyllur dënimin për çështje droge në këtë shtet.

Por të dhënat tregojnë se edhe Mikel Shallari ka qenë i dënuar, por me 3 vjet burg, po për çështje droge në të njëjtin burg ku mbahej Bujar Daka.

Ai është kthyer në Shqipëri një vit më parë dhe gjatë kësaj kohe nuk është angazhuar në punë. Edhe vëllai tjetër i Bujar Dakës, Florian Daka, i njohur me emrin e dytë Angjelin, rezulton të ketë probleme me ligjin jashtë Shqipërisë pasi në vitin 2012 ai është dorëzuar në portin e Durrësit nga autoritetet italiane.

Megjithëse pas vrasjes së Cukut familja Daka deklaroi se nuk kishte lidhje me ngjarjen, pasi kishin kryer më herët një rit fetar pajtimi, indicjet i çuan hetuesit pikërisht tek i dyshuari kryesor Bujar Daka.

Burimet shpjegojnë se grupi i hetimit ka mbledhur prova, sikurse takimet më të hershme të Mikel Shallarit, për të cilin prokurorët janë të sigurtë se është personi që shkrepi armën në deren e shtëpisë së kryekomisar Artan Cukut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat