Gjykata e Lartë refuzon të lirojë djalin e Vehbi Alimuçaj, akuzohet për pastrim parash

Shqipëria

Gjykata e Lartë refuzon të lirojë djalin e Vehbi Alimuçaj, akuzohet për pastrim parash

Më: 29 korrik 2017 Në ora: 08:09
Artan Alimuçaj

Gjykata e Lartë ka refuzuar të lirojë shtetasin Artan Alimuçaj, djali i Vehbi Alimuçaj i arrestuar pak javë më parë nga Policia e Tiranës. Artan Alimuçaj do të qëndrojë në burg deri në momentin që do të shlyejë dënimin që i është dhënë nga Gjykata për veprën penale të pastrimit të parave. Alimuçaj kishte apeluar arrestimin e tij në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar të lirohej. Por kërkesa e tij nuk është marrë për bazë nga anëtarët e Gjykatës. Artan Alimuçaj është dënuar me 4 vite burg, ndërsa paraditen e 6 korrikut ai u arrestua nga Policia e Tiranës dhe tashmë ndodhet në qeli. Sipas dënimit të Gjykatës dhe hetimeve të Prokurorisë, Artan Alimuçaj është përgjegjës për pastrimin e 1 milion dollarëve. Por në një reagim për media, bashkëshortja e Artanit deklaronte se pas arrestimit qëndron ish-bosi i VEFA-s, Vehbiu i cili ka ndikuar që t’i arrestohej bashkëshorti.

Arrestimi

Artan Alimuçaj, djali i ish-pronarit të kompanisë piramidale “Vefa” është arrestuar mesditën e datës 6 korrik, pasi ishte shpallur në kërkim si i dënuar me 4 vite burg. Për këtë person, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar ekzekutimin e vendimit të datës 18 nëntor 2015, të Gjykatës së Tiranës, e cila e ka dënuar me 4 vite burg për veprën penale, “Pastrim i produkteve të veprës penale”. Artan Alimuçaj u akuzua bashkë me babanë e tij, ish-presidenti i firmës piramidale “VEFA”, Vehbi Alimuçaj. Ata akuzohen për fshehjen e një shume prej afro 1 milionë dollarësh në Hungari. “Nga hetimi ka rezultuar se shtetasi Vehbi Alimuçaj, i cili ka qenë administrator i firmës piramidale “Vefa”, është dënuar për veprën penale të “Mashtrimit” për një numër shumë të madh personash, rezulton se ka pasur një llogari bankare në një bankë në Hungari në shumën 328 mijë dollarë. Po ashtu, rezulton se në të njëjtën bankë, djali i tij, shtetasi Artan Alimuçaj ka pasur një llogari bankare në shumën 647 mijë dollarë”, thuhet në një deklaratë të prokurorisë. Shumat në fjalë mësohet se janë lënë të fjetura nga viti 1996, kur janë vendosur në bankë deri në 2010 dhe është tentuar të përdoren duke u transferuar. Sipas hetimit të prokurorisë, rezulton se këto para janë të prejardhura nga aktiviteti i paligjshëm “Mashtrim” i shtetasit Vehbi Alimuçaj deri në vitin 1997, kohë kur u rrëzua skema e tij piramidale. Alimuça, i cili ka qenë administrator i firmës piramidale VEFA, është dënuar për veprën penale të “Mashtrimit” për një numër shumë të madh personash. Sipas hetimit të prokurorisë, rezulton se paratë që rezultonin në llogaritë bankare të të pandehurve janë të prejardhura nga aktiviteti i paligjshëm “mashtrim” i shtetasit Vehbi Alimuça deri në vitin 1997, kohë kur u rrëzua skema e tij piramidale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat