Kush është anglezi që vizitoi Shijakun, lidhja e tij me armët që dërgoheshin me postë

Shqipëria

Kush është anglezi që vizitoi Shijakun, lidhja e tij me armët që dërgoheshin me postë

Më: 31 gusht 2017 Në ora: 23:10
Gjatë qëndrimit të tij, në harkun kohor 20-23 gusht, dyshohet se ai ka bërë një vizitë edhe në zonën e Shijakut ku ka qenë i shoqëruar nga një femër.

Prokuroria për Krimet e Rënda po heton rreth një shtetasi britanik, i cili dyshohet të ketë lidhje me tentativën e trafikut ndërkombëtar të armëve me pakove postare, të zbuluar pak ditë më parë në Rinas.

Burime pranë hetimit, sqaruan për "Panorama" se bëhet fjalë për një person konkret, shtetas anglez, i cili ka qenë në Shqipëri për pak ditë gjatë muajit gusht. Gjatë qëndrimit të tij, në harkun kohor 20-23 gusht, dyshohet se ai ka bërë një vizitë edhe në zonën e Shijakut ku ka qenë i shoqëruar nga një femër.

Sipas burimeve, përfaqësuesit e Krimeve të Rënda dhe të Antiterrorit u kanë kërkuar ndihmë autoriteteve britanike për informacion në lidhje me këtë shtetas. Nga ana tjetër, për shkak se ky shtetas është larguar nga Shqipëria përmes Aeroportit të Rinasit, mësohet se pjesë e hetimit do të jetë edhe këqyrja e kamerave të sigurisë së aeroportit. Informacioni i siguruar do t’u përcillet më pas autoriteteve britanike.

Hetimi i deritanishëm ka zbuluar se adresat e destinacionit të pakove të bllokuara në aeroport ishin me emra fiktivë. Dy prej tyre ishin postuar për në Bedford dhe një për në Uatford, lokalitete të Londrës. Po ashtu, edhe dërguesit e tyre ishin emra fiktivë. Ndonëse të postuara në një agjenci postare ndërkombëtare nga një person i arrestuar tashmë, emrat e dërguesve në to përkonin me emrat e tre të moshuarve nga Shijaku.

Këta të fundit nuk kanë pasur asnjë dijeni për faktin. Pakot postare me pjesë të armës automatike tip “Kallshnikov” të fshehura në to, u gjetën të enjten nga skanerat e sigurisë të bagazheve në Rinas.

CULLHAJ

Deri më tani, për tentativën e trafikut të armëve përmes tri pakove postare, që peshonin në total 13 kilogramë, është arrestuar Sajmir Cullhaj, i akuzuar si personi që postoi pakot. Ndërkohë, është shpallur në kërkim i dyshuari Neritan Faria, i cili mendohet të ketë përdorur Cullhajn për të postuar tri pakot.

Dy ditë më parë, gjatë seancës gjyqë- sore për caktimin e masës së sigurisë në Gjykatën për Krimet e Rënda, i arrestuari Sajmir Cullhaj pranoi të kishte postuar dy pakot me adresë mbërritjeje Londrën në Mbretërinë e Bashkuar. Ai tha se këtë ia kishte kërkuar si nder shoku i tij me emrin Tani, por mohoi të kishte pasur dijeni për brendinë e pakove.

“I kam postuar, pasi ma kërkoi një shoku im sepse unë kisha makinë. Nuk e kisha idenë së çfarë ndodhej brenda në to”, u shfajësua Cullhaj në sallën e gjyqit. Deklarimi i dhënë prej tij në sallën e gjyqit, i konfirmuar më tej edhe nga mbrojtësi ligjor, nuk e shpëtoi të dyshuarin nga masa e sigurisë “arrest në burg”, që caktoi gjykata për të.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat