Vrasja e teknologut të naftës, hakmarrje pas 49 vitesh, ja detajet

Shqipëria

Vrasja e teknologut të naftës, hakmarrje pas 49 vitesh, ja detajet

Më: 11 tetor 2017 Në ora: 10:20
Shefo Duraj

Policia e Fierit ka mundur të zbardhë pas afro një viti një krim të ndodhur në muajin nëntor të vitit 2016, ku në pyllin e fshatit Kalenjë në Mallakastrës u gjet nga një bari kufoma e Shefo Duraj, teknolog në uzinën e Ballshit. Viktima i moshës 57-vjeçare, ishte shpallur në kërkim për largim nga banesa që në datën 14 nëntor 2016, për t’u gjetur i vdekur pas 12 ditësh. Burime zyrtare nga Policia e Fierit bënë të ditur se nga hetimet që zgjatën prej afro një viti, gjatë ditës së hënë, u bë i mundur finalizimi me sukses i operacionit të koduar “Shkunjëza”, duke u arrestuar autori i dyshuar për krimin.

Në pranga është vënë shtetasi Feti Yzeiraj, 41 vjeç, banues në fshatin Aranitas, Mallakastër. Pas hetimeve të kryera, Prokuroria e Fierit ka nxjerrë urdhër-ndalimi ndaj tij për veprën penale “Vrasje me dashje”, pasi Yzeiraj është autor i dyshuar i vrasjes së Shefo Duraj. Sipas burimeve të Policisë, gjithçka ka ndodhur për motive hakmarrje pasi babai i viktimës, dyshohet të ketë vrarë një të afërmin e të dyshuarit. Në cilësinë e provës materiale, autorit të dyshuar i është gjetur në banesë celulari i viktimës.

Image

Ngjarja

Vrasja e teknologut në uzinën e Ballshit është zbuluar më datë 29.11.2016. Në orët e pasdites, në vendin e quajtur “Bregu i Shkunjëzës”, që të çon për në fshatin Kalenjë, Mallakastër, u gjet i djegur kufoma e shtetasit Shefo Duraj, me banim ne fshatin Kalenjë. Për këtë shtetas, familjarët më datë 15.11.2016, kanë bërë kallëzim në komisariatin e Policisë Mallakastër, për humbjen e 57-vjeçarit. Kufoma u konstatua se ishte i djegur. Nga akti i ekspertimit mjekoligjor, më datë 30.11.2016, ka rezultuar se në trupin e viktimës së shtetasit Shefo Duraj vërehen: Thyerja e vërejtur në kokë në regjionin parietal të majtë është shkaktuar me mjete prerëse-çarës, thyerja e brinjëve janë shkaktuar me mjete të forta jo të mprehta. Djegia e lëkurës është shkaktuar nga veprimi i temperaturave të larta mbi trup.

Motivi dyshohet hasmëria

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se viktima Shefo Duraj, mund të jetë vrarë për motive hasmërie, pasi babai i tij, Llane Duraj ka vrarë rreth viteve 1968 një bashkëfshatarin e tij që quhej My. G., dhe se djali i My. G., i cili quhet Mu. G., ka dijeni për vrasjen e shtetasit Shefo Duraj. Për këtë, janë kryer kontroll në banesën e shtetasit M. G., në të cilën u gjet ky i fundit, gruaja e tij dhe djali i tij. Në kontrollin e banesës u gjeten dy sëpata të vogla, një sëpatë e madhe, një kosore, një bel si dhe dy bidonë plastik 1.5 litra, njëri i mbushur plot dhe tjetri deri në 1/3 e tij me lëndë të dyshimtë djegëse. Këto materiale u sekuestruan me cilësinë e provës materiale për ekspertime të mëtejshme.

Në deklarimin që i është marrë familjarëve të viktimës dhe konkretisht gruas së tij, Shyqyrije Duraj. Kjo e fundit ka treguar se burri i saj, Shefo Duraj punonte në Uzinën e Përpunimit të Naftës në Ballsh, në sektorin e transportit. Më datë 13.11.2016, Shefo ka qenë me shërbim turni i tretë, të cilën e merrte në orën 23:00 dhe e linte në orën 07:00 të mëngjesit të ditës së nesërme.

Sipas saj, Shefo ka dalë nga shtëpia rreth orës 21:30, duke i thënë asaj se të nesërmen pasi të linte punën, do të shkonte në fshatin Gjerbëz për ngushëllim te shtetasi N. B. Të nesërmen, më datë 14.11.2016, Shyqyrija nuk pati mundësi që të komunikonte në telefon me Shefon, pasi nuk kishte lekë në telefon dhe duke qenë se pas ngushëllimit ku do të shkonte, ishte po turn i tretë në punë dhe mendoi se Shefo mund të flinte tek motra e tij ne qytetin e Ballshit. Sipas saj, vajza i kishte bërë telefonatë rreth orës 08:30 të datës 14.11.2016 dhe kishte konstatuar se ishte i fikur.

Duke qenë se edhe më datë 14.11.2016 Shefo nuk erdhi në banesë, atëherë ata e kanë kërkuar dhe kanë bërë kallëzim në Komisariatin e Policisë Mallakastër për humbjen e tij. Në lidhje me këtë ngjarje, ajo ka thënë se Shefo nuk ka pasur konflikte, por dyshonte se njëherë në muajin Gusht apo Shtator të vitit 2016, ka ardhur një nipi i M. G., nga Berati dhe kishte pyetur Shefon se ku kalohej për në Aranitas dhe Shefo ia kishte treguar rrugën. Këtë dyshim Shyqyrija e kishte, pasi para viteve 1990, babai i Shefos që quhej Llane, ka vrarë me thikë babanë e shtetasit M. G.

Viktima

Viktima Shefo Duraj, në momentin e vrasjes dispononte dy aparate telefonike celularë, njëri prej të cilëve u gjet në vendin e ngjarjes kurse aparati tjetër nuk është gjetur. Organi i prokurorisë ka hetuar për gjetjen e aparatit tjetër telefonik celular . Nga hetimi rezultoi se aparati telefonik që dispononte viktima kishte numër IMEI. Sipas përgjigjes së shoqërisë telefonike, më datë 04.10.2017 rezulton se aparati telefonik me këtë numër IMEI është regjistruar në emër të shtetasit Feti Baki Yzeiraj, banues në fshatin Aranitas të rrethit të Mallakastrës.

Rezulton se ky shtetas është nipi i shtetasit M. G., djali i motrës, shtetas me të cilin dyshohet se viktima kishte hasmëri. Deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, prokuroria thotë që provohet se telefoni që viktima kishte me vete në momentin e vrasjes është marrë nga shtetasi Feti Yzeiraj, me familjen e të cilit viktima dyshohet se kishte hasmëri. Nga aktet e këtij procedimi penal, rezulton se ka dyshime të arsyeshme se shtetasi Feti Yzeiraj është autor i veprës penale të “Vrasje me dashje”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat