Polici dibran që vrau shokun e ngushtë, kishte bërë tjetër krim 7 vite më parë

Shqipëria

Polici dibran që vrau shokun e ngushtë, kishte bërë tjetër krim 7 vite më parë

Më: 25 dhjetor 2017 Në ora: 08:04
Autori i krimit, Naim Muliu

Efektivi që vrau kolegun dhe mikun e tij të ngushtë dy net më parë, në afërsi të Maqellarës në Dibër, ka kryer një tjetër krim shtatë vite më parë, po me armën e shërbimit. Por, asokohe, kolegët e tij e ndihmuan dhe e fshehën ngjarjen duke e kaluar gjithçka në heshtje. Shtatë vite më pas, punonjësi i Policisë Naim Muliu vrau me dy plumba pas qafe specialistin e IT-së, Ardian Roçi, i cili ishte punonjës civil në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër. Mësohet se krimi i rëndë po hetohet nga ekspertë të ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme në Tiranë.

Në gjendje të dehur siç ndodhi së fundmi, dyshohet se efektivi kreu edhe krimin shtatë vite më parë, por fatmirësisht i plagosuri shpëtoi me një plumb në këmbë. Ngjarja ndodhi në një pikë servisi elektroshtëpiakesh në pronësi të tij. Klienti i është ankuar se nuk ia kishte rregulluar një defekt në televizor, ndonëse e kishte paguar, raporton “panorama”. Pas debatit mes tyre, punonjësi i Policisë ka nxjerrë armën duke e qëlluar atë. Fatmirësisht, i plagosuri shpëtoi, ndërsa sipas të dhënave, kolegët e tij të Peshkopisë e fshehën krimin dhe Muliu nuk u arrestua.

VRASJA E KOLEGUT DY DITE ME PARE

Në prani edhe të Policisë së Peshkopisë, efektivi është marrë në pyetje fillimisht menjëherë pas ngjarjes, e më tej edhe ditën e djeshme. Sipas të dhënave, ai ka qenë në gjendje të dehur e për rrjedhojë dy dëshmitë e dhëna janë të ndryshme nga njëra- tjetra.

Ai ka pohuar se sapo kanë kaluar qytezën e Maqellarës dhe po udhëtonin drejt Peshkopisë, viktima Roçi ka nisur ta fyejë duke i përmendur nënën, gruan dhe të afërm të tjerë. Sipas pohimeve të Muliut në Polici, ai disa herë i është lutur të ndalte zhargonin fyes, sepse kurrë nuk i kishte ndodhur ta fyenin në këtë mënyrë.

“Ardiani lëshoi ndaj meje një fjalor që nuk e kisha dëgjuar kurrë në jetë. I thashë: Të lutem, mos fol me këtë gjuhë. Unë nuk duroj të shahem në këtë mënyrë. Ju e dini se nuk kam duruar askënd të më fyejë kaq rëndë. Ai u bë agresiv dhe për një moment m’u errën sytë. Nxora pistoletën dhe e qëllova dy herë. Ra mbi timon. E nxora nga makina dhe e vura në vendin ku isha unë. Lëviza me shpejtësi drejt spitalit. Pasi e çova në urgjencë, zbrita në një pikë karburanti dhe i tregova dikujt çfarë bëra. Prej këtu shkova në Komisariat dhe u dorëzova”, është shprehur Muliu për grupin hetimor.

Në deklaratën e dytë të dhënë, ai është shprehur se “ishim të pirë të dy, jam penduar për vrasjen e shokut të ngushtë”. Burime nga Policia bënë të ditur se viktima dhe autori njiheshin si persona që e tejkalonin dozën e alkoolit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat