Importet e armëve arrijnë nivele rekord

Shqipëria

Importet e armëve arrijnë nivele rekord

Më: 3 janar 2018 Në ora: 23:49
Ilustrim

Importet e armëve dhe municioneve u rritën me 55 për qind gjatë vitit të kaluar duke shënuar rekordin më të lartë në gati një dekadë. Të dhënat zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave tregojnë se për periudhën Janar-Tetor 2017 Shqipëria importoi 830 milionë lekë ose 6.3 milionë euro armë dhe municione nga jashtë. Për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar importet ishin vetëm 533 milionë lekë.

Qeveria ka rritur blerjen e armëve nga jashtë për të armatosur policinë e shtetit, por edhe për të përmbushur detyrimet që rrjedhin nga antarësimi në NATO.

Kompanitë private të tregtimit të armëve bëjnë të ditur se blerjet konsistojnë kryesisht në armatime të lehta, të cilat shkojnë për nevojat e Ministrisë së Brendshme, asaj të Mbrojtjes, dhe autoriteteve të tjera të sigurisë, që përdorin armatime luftarake.

Të dhënat historike tregojnë se prej vitesh, vendi ynë ka qenë një eksportues neto i armëve duke shitur jashtë armë më shumë nga sa blinte. Por në tre vitet e fundit kjo ka ndryshuar dhe vlera e importit të armëve e ka kaluar atë të eksportit. Sipas të dhënave, nëse për periudhën Janar-Tetor 2017, importet e armëve ishin 830 milionë lekë, eksportet kanë qenë vetëm 61 milionë lekë.

Tregtia e armëve

Fillimisht, tregtia e armëve në Shqipëri ka qenë monopol i kompanisë shtetërore MEICO. Por pas vitit 2009, ajo u liberalizua dhe aktualisht në treg janë mbi 30 shoqëri të liçencuara që kryejnë tregti armësh.

Përpos shkëmbimeve të ligjshme tregtare, ekspertët thonë se ka dhe një tregti tjetër armësh, që zhvillohet jashtë kontrollit të autoriteteve. Që nga luftërat e Jugosllavisë në vitet 1990 dhe që pas hapjes së depove të armëve në Shqipëri në vitin 1997, në Europë lulëzon një treg i zi armësh.

Sipas një studimi të “Flemish Peace Institut” në Bruksel, furnitori kryesor i këtij tregu është Ballkani.  “Një pjesë e madhe e armëve ilegale në Evropë kontrabandohet nga vendet si Serbia, Kroacia, Bosnja dhe Shqipëria,” – thuhet në studim.

Flemish Peace vlerëson se në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor mbahen më shumë armë ilegalisht se sa në mënyrë të ligjshme dhe numri i këtyre armëve mund të arrijë deri në 2 milionë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat