100 milionë euro mbështetje për fermerët, nuk përfitojnë ata që nuk konsultohen

Shqipëria

100 milionë euro mbështetje për fermerët, nuk përfitojnë ata që nuk konsultohen

Më: 24 shkurt 2018 Në ora: 15:48
Edi Rama

Në një takim me ministra dhe drejtues vendorë të këtij qarku, kryeministri Eid Rama foli edhe për subvencionimin e fermerëve në të gjithë vendin.

Mbi 100 mln euro mbështetje për fermerët premtoi kryeministri, para këto nga buxheti i shtetit dhe nga fondi i Komisionit Europian, i përfituar për herë të parë.  Por, kërkohet që shpenzimi i tyre duhet të bëhet sipas skemave të hartuara nga Ministria e Bujqësisë.

Rama: "Parashikojmë, që vetëm me mbështetjen financiare të këtij viti, të mbjellim gjysëm milionë dru frutorë, ama të gjithë duhet të informohen se për çfarë ekzaktësisht dhe ku ekzaktësisht. Nese dikush do të mbjellë mollë në Divjakë (në Divjakë jo, se nuk ka më budallenj), por le të themi afër Divjakës, mund ta bëjë, por s'do marrë asnjë kokërr leku për të mbjellë mollë atje. Nëse dikush do të mbjellë patate në Maliq, mund ta bëjë, por nuk duhet të vijë të qahet më se s'ka treg, sepse ka arsye strukturale faktikisht pse kjo është e gabuar. Nëse  dikush do të mbjellë perime në Tropojë mund ta bëjë, por nuk ka asnjë arsye të vijë të kërkojë  mbështetje financiare". 

Ai gjithashtu foli për zhvillimin e serave si dhe investimet në dru frutorë, sipas skemës së hartuar nga Ministria, duke iu përshtatur klimës së vendit. 
 
Rama: "Çdo fermer është i lirë të bëjë çfarë të dojë, por jo çdokush do të mbështetet nëse bën çfarë do. Janë përcaktuar qartësisht nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural kulturat që do mbështeten, përtej atyre kulturave s'ka asnjë kacidhe nga shteti për askënd.Janë bërë shumë  të qarta dhe do vazhdojnë të bëhen të qarta çdo ditë nga AZHBR-ja dhe duhet të bëhen të qarta çdo ditë nga strukturat këtu përfaqësuese por edhe nga bashkitë që kanë tani dimensionin  rural që deri dje nuk e kishin, edhe të gjitha rrugët si mund të bëhet financimi. Kemi një trupë studentësh të Institutit Bujqësor që janë në terren edhe tani që flasim ne nëpër fusha për të përcjellë informacionin. Do ta bëjmë këtë në të gjitha qarqet ku kemi zhvillimin më intensiv bujqësor." 

Kryeministri njëkohësisht theksoi se aplikimi i fermerëve do të bëhet nëpër Zyrat Rajonale të Bujqësisë me asnjë dokument, duke shmangur kështu radhat dhe mundësinë për korrupsion nëpër zyrat e shtetit. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat