PD kërkon hetim të Ramës, ministrave dhe gjithë shtetit

Shqipëria

PD kërkon hetim të Ramës, ministrave dhe gjithë shtetit

Më: 27 shkurt 2018 Në ora: 08:24
Sali Berisha

Partia Demokratike kërkon ngritjen e një komisioni hetimor të pazakontë për çështjen e kultivimit dhe trafikimit të drogës.

Objekti i komisionit është çështja e drogës, por numri i funksionarëve dhe institucioneve shtetërore që kërkohen të merren në hetim, është i pakufizuar.

Në kërkesën e zbardhur nga Shqiptarja.com, Partia Demokratike kërkon që të marrë nën hetim që nga kryeministri Edi Rama, ministrat dhe një numër të pakufizuar institucionesh shtetërore dhe zyrtarësh, për rolin, dijeninë dhe përgjegjësinë e tyre në parandalimin dhe ndëshkimin e fenomenit të kultivimit të kanabisit apo trafikimit të lëndëve narkotike .Gjithashtu, Partia Demokratike kërkon hetimin e veprimeve dhe sjelljen e pretenduar të kryeministrit, ministrave dhe të çdo zyrtari publik në intimidimin e prokurorisë për hetimin e çështjes ‘Tahiri’. 

“Komisioni hetimor, i ngritur sipas këtij vendimi, bashkë me raportin përfundimtar i paraqet Kuvendit në seance plenare rekomandime në lidhje me nxjerrjen e përgjegjësive institucionale, ndryshime apo miratime ligjesh, dhe sipas rastit, njoftimin e prokurorisë për marrjen e masave të mëtejshme ligjore”, thuhet në kërkesën e PD.Mbetet për t’u parë nëse Partia Socialiste do ta miratojë kërkesën në këtë formë apo do të kërkojë modifikimin e saj, por ajo që dihet është se deri më tani, të gjitha komisionet hetimore kanë dështuar. 

Kërkesa e plotë e PD 

I. Ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për shqyrtimin e kërkesës së një grupi deputetësh, për të kontrolluar ligjshmërinë e veprimeve administrative të organeve të pushtetit legjislativ apo ekzekutiv në kultivimin dhe trafikun e lëndëve narkotike, përfshirë çështjen për të cilën akuzohet ish-ministri i Brendshëm z. Saimir Tahiri, ndërhyrjeve të këtyre pushteteve në ushtrimin e ndjekjes penale në mënyrë të pavarur nga organi i prokurorisë në hetimin penal të këtij rasti, si dhe efektet që kanë ardhur nga kjo ndërhyrje e paligjshme. Ky hetim do të synojë mbrojtjen e parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, shtetin e së drejtës dhe demokracinë funksionale, me qëllim parandalimin e pasojave negative për shtetin, qytetarët dhe interesin publik, çimentimin e kulturës së pandeshkueshmërisë në radhët e zyrtarëve të lartë publike, si dhe nxjerrjen e përgjegjësive konkrete institucionale.

II. Objekti i punës së komisionit hetimor është:

1) Roli, dijenia dhe përgjegjësia e kryeministrit, anëtarëve të tjerë të Këshillit të Ministrave, Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera shtetërore, veprimet apo mosveprimet e tyre, në parandalimin dhe ndëshkimin e fenomenit të kultivimit të kanabisit apo trafikimit të lëndëve narkotike;

2) Arsyet e veprimeve dhe sjelljes së kryeministrit dhe anëtarëve të tjerë të Këshillit të Ministrave në intimidimin e organit të prokurorisë mbi çështjen për të cilën akuzohet ish-ministri i Brendshëm z. Saimir Tahiri;

3) Vlerësimi i rrethanave mbi dijeninë e kryeministrit dhe anëtarëve të tjerë të Këshillit të Ministrave për veprimtarinë kriminale apo ligjshmërinë e veprimtarisë së tyre shtetërore në drejtim të parandalimit të paligjshmërisë për të cilën akuzohet ish ministri i Brendshëm dhe drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit;

4) Verifikimi i ligjshmërisë dhe efekteve të vendimit administrativ të Kuvendit për pengimin e organit të prokurorisë që të kërkonte në gjykatë arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm z. Saimir Tahiri, si dhe nxjerrja e provave që përbejnë sekret hetimor nga anëtarët e Këshillit;

5) Veprimet dhe sjellja e kryeministrit dhe anëtarëve të tjerë të Këshillit të Ministrave, si dhe e çdo zyrtari tjetër publik, në pengimin apo intimidimin e organit te prokurorisë që të veprojë në mënyrë të pavarur dhe paanshme në hetimin e çështjes penale ndaj ish-ministrit të Brendshëm z. Saimir Tahiri;

6) Ndërhyrjet nga organet e pushtetit legjislativ apo ekzekutiv në hetimin e kësaj çështje, si dhe efektet që kanë sjellë këto ndërhyrje;

7) Evidentimi i pengesave që ka hasur organi i prokurorisë në hetimin e këtij zyrtari të lartë, nga veprime apo mosveprime të paligjshme të organeve të tjera të administratës shtetërore;

8) Ligjshmëria e ekstradimit të personit tjetër nën hetim për të njëjtën çështje dhe efektet që sjell ky ekstradim në ushtrimin e ndjekjes penale ndaj ish-ministrit të Brendshëm;

9) Rreziqet që paraqiten për hetimin e pavarur, të shpejtë, efikas dhe të gjithanshëm të kësaj çështje, dhe mjetet që duhet të përdoren për eliminuar në mënyrë kushtetuese dhe ligjore këto rreziqe;

10) Vlerësimi mbi nevojat e organit te prokurorisë, për burime financiare dhe njerëzore, për hetimin e plotë, të pavarur dhe të paanshëm, të kësaj çështje, si dhe verifikimi nëse këto burime janë vënë në dispozicion. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat