“Shkodra, më shumë të majtë se të djathtë. Projektojmë 20-30 vitet e ardhshme”

Shqipëria

“Shkodra, më shumë të majtë se të djathtë. Projektojmë 20-30 vitet e ardhshme”

Më: 14 prill 2018 Në ora: 21:47
Senida Mesi

Në një intervistë për DITA dhënë gazetares Entela Resuli, e cila botohet e plotë nesër në versionin print të gazetës, zv.kryeministrja Senida Mesi flet për qeverisjen, situatën ekonomike në vend dhe ndryshimet në jetën e saj pas emërimit.

Ekonomistja shkodrane, sot numri 2 i qeverisë, thotë se “ekonomia në Shqipëri është në një moment pozitiv, por ka ende shumë për të bërë për të thelluar reformat që përmirësojnë klimën e të bërit biznes në vend, lehtësojnë thithjen e investimeve dhe mbështesin bizneset e vogla që kanë një peshë të rëndësishme në punësim”.

Mesi mendon se disa prej kryetarëve të Bashkive duhet të punojnë më shumë për zhdukjen e hendeqeve mes zonave të ndryshme të vendit.

Bashkëshortja e një mjeku dhe nëna e dy fëmijëve thotë se është në borxh me familjen për kohën e pakët që kalon me ta pas emërimit.

Duke folur për Shkodrën, ajo thotë se “Shkodra ka më shumë të majtë se të djathtë”

“Votojnë mesatarisht më pak se gjysma e votuesve; duhet të bindim të majtët që të shkojnë për të votuar të majtët. Me pak punë, edhe të djathtët. Shkodra nuk është një qytet i lehtë dhe jo vetëm për të majtët” – thotë znj.Mesi dhe rendit projektet që qeveria ka planifikuar për qytetin e rëndësishëm verior.

E pyetur nga Dita se përse u desh një protestë e dhunshme që të uleshit për të sqaruar njerëzit lidhur me tarifën e vendosur për Rrugën e Kombit, znj.Mesi komenton:

“Ajo rrugë i la shqiptarët me shumë borxhe dhe është akoma e papërfunduar. Për t’u mirëmbajtur, sigurisht që kërkon shumë fonde, të cilat qeveria shqiptare nuk i disponon dot. Opsioni më i mirë është patjetër dhënia e konçesionarit për mirëmbajtje dhe sigurisht roli i qeverisë është ta monitorojë atë.  Askush nuk është i pagabueshëm, por rëndësi ka që ka vullnet për të dëgjuar, reaguar e ndryshuar gjërat për mirë. Mendoj që Kryeministri dhe kolegët ministra e kanë shpjeguar pozicionin e Qeverisë dhe jam e bindur që dialogimi dhe bashkëpunimi për një zgjidhje më të përshtatshme janë instrumentet e duhur”

Mesi mendon se e majta do qëndrojë gjatë në pushtet. E pyetur nga Dita për ambiciet e saj në politikë ajo thotë:

“Dua të kem mundësinë që  të projektojmë Shqipërinë e 20-30 viteve nga sot dhe të punojmë të gjithë së bashku për ta realizuar, me konsistencë dhe përgjegjshmëri të lartë. Unë jam një njeri i zakonshëm që mu dha një mundësi për të bërë më shumë dhe më mirë se dje, dhe dua ta shfrytëzoj maksimalisht, jo për karrierën time personale, por për çdo të mirë, sado të vogël, që do të bëj për vendin dhe bashkëqytetarët e mi. Investoj gjatë dhe me hapa të ngadaltë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat