“Java Evropiane për Demokracinë Vendore” në Kamëz, Mziu: 60% e buxhetit për investimet

Shqipëria

“Java Evropiane për Demokracinë Vendore” në Kamëz, Mziu: 60% e buxhetit për investimet

Më: 10 tetor 2018 Në ora: 15:54
Foto

Bashkia Kamëz nisi sot veprimtaritë në kuadër të “Javës Evropiane për Demokracinë Vendore”, me dëgjesën publike me qytetarët për buxhetimin me pjesëmarrje, ku mori pjesë përfaqësuesi i Delegacionit të BE-së, z. Alessandro Angius; drejtuesja e projektit “Bashkitë për në Evropë”, znj. Jolanda Trebicka, si dhe të ftuar të tjerë.

Të pranishëm ishin dhe përfaqësues nga shtresa të ndryshme të popullsisë, siç janë ndërlidhësit me komunitetin, përfaqësues të arsimit, të biznesit, të shëndetësisë, të kulturës, rinisë, gruas, sportit, të pensionistëve, të fermerëve, të OJQ-ve, të komunitetit rom-egjiptian etj. Veprimtaritë e Bashkisë Kamëz në kuadrin e “Javës Evropiane për Demokracinë Vendore” do të vijojnë me organizimin e parlamentit rinor të qytetit, me shfaqje artistike, si dhe me veprimtari të tjera.

Kjo javë, e kthyer në traditë prej vitesh në Kamëz, është një veprimtari që zhvillohet në kuadër të programit “Bashkitë për në Evropë”. “Java Evropiane për Demokracinë Vendore” organizohet në çdo vit, në kujtesë të nënshkrimit të “Kartës Evropiane për Autonomi Vendore” më datë 15 tetor 1985, si dhe me rekomandim të Kongresit të Autoriteteve Vendore bazuar në Rezolutën 238 (2007) - Propozim për Javën e Demokracisë Vendore.

Përfaqësuesi i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, z. Alessandro Amgius, falënderoi kryebashkiakun Mziu për organizimin e “Javës Evropiane të Demokracisë Lokale” dhe për ftesën për të marrë pjesë në këto veprimtari, duke u shprehur se ishte shumë i lumtur që ndodhej në Kamëz.

Gjithashtu, ai përcolli edhe urimet e ambasadorit të BE-së në vendin tonë, z. Luigi Soreca. Ndër të tjera ai pohoi se ky takim kishte shumë rëndësi për të, si dhe për institucionet e BE-së, sepse është i lidhur jo vetëm me informacionin dhe transparencën, por veçanërisht me buxhetin dhe sfida e autoriteteve është që të kthejnë shifrat në gjëra reale, të prekshme për publikun.   

Në fjalën përshëndetëse, kryetari i Bashkisë Kamëz, z. Xhelal Mziu, u shpreh se kjo javë tashmë është kthyer në traditë, e mundësuar falë bashkëpunimit dhe partneritetit të Bashkisë Kamëz me institucionet e Bashkimit Evropian dhe binjakëzimeve me qytete evropiane, duke bërë kështu që qyteti dhe Bashkia e Kamzës të ketë përfitime konkrete, siç janë financimi i projekteve në fusha të ndryshme apo shkëmbimi i përvojave të qeverisjes vendore.

Në këtë kuadër, një prej praktikave më të mira ka qenë buxhetimi me pjesëmarrje, i cili ka bërë të mundur që Bashkia të hartojë një buxhet social me shpërndarje të investimeve aty ku ka pasur më shumë nevojë komunitetit. Sipas kryebashkiakut Mziu, kjo javë do të jetë një impuls më shumë për Bashkinë Kamëz, e cila është një ndër 12 bashkitë evropiane, 12 qytetet yje (12 Star City) të Bashkimit Evropian e publikuar kjo edhe në faqen zyrtare përkatëse të BE-së, ku Kamza është bashkia e vetme që përfaqëson Shqipërinë në këtë projekt dhe përbën një vlerë të shtuar për qytetin dhe Bashkinë e Kamzës.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat