Basha nis selektimin e kandidatëve për zgjedhjet lokale

Shqipëria

Basha nis selektimin e kandidatëve për zgjedhjet lokale

Më: 14 tetor 2018 Në ora: 08:51
Selia e PD

Pavarësisht paralajmërimeve për një bojkot të mundshëm të zgjedhjeve lokale të 2019 dhe katër kushteve të pranuara deri më tani nga mazhoranca për reformën zgjedhore, Partia Demokratike, subjekti politik më i madh në opozitë, ka nisur lëvizjet për zgjedhjen e kandidatëve për kryetar bashkie dhe këshilltarët bashkiakë.

Në partinë kryesore në opozitë po zhvillohen dy procese paralele: Mbledhja e propozimeve për kandidaturat për zgjedhjet lokale si dhe zgjedhja e kryetarëve të degëve dhe grupseksioneve, njësive bazë të organizimit të Partisë Demokratike.

Krahas zgjedhjes së drejtuesve në nivel vendor në të gjithë vendin, grupseksionet kanë nisur përgatitjen e listave me kandidaturat për kryetar bashkie dhe këshilltarë. Burime pranë PD thanë për Shqiptarja.com se lista me kandidatura do t’i paraqitet kryetarit Lulzim Basha, ndonëse sipas statutit të ndryshuar të PD, kryetari duhet të qëndrojë larg këtij procesi.

Nga ana e tij, Basha, pas konsultimeve me rrethin e ngushtë në PD, do të përcaktojë përfundimisht emrat, të cilët do t’i nënshtrohen një kalimi formal në Kryesi dhe Këshillin Kombëtar. Ashtu si në zgjedhjet e kaluara, ky proces, në një fazë të mëtejshme, kushtëzohet nga marrëveshja me partitë kryesore aleate për ndarjen zonave të influencës, për t’u përfaqësuar me kandidatë. LSI dhe PDIU pritet të propozojnë kandidatë për drejtimin e një pjesë të bashkive, ndërsa partitë e tjera aleate do të përfaqësohen vetëm me këshilltarë.

Kriteret për kandidatët

Kandidatët për kryetar bashkie dhe këshilltarë të opozitës duhet të plotësojnë disa kritere të përgjithshme dhe të veçanta. Sa i takon kritereve të përgjithshme, kandidatët duhet të kenë arsim të lartë, integritet të lartë moral, reputacion në zonën e tyre, të justifikojnë pasurinë me të ardhura të ligjshme, të mos kenë patur funksione gjatë regjimit komunist, të mos kenë qenë bashkëpunëtor të ish-Sigurimit të Shtetit si dhe të mos jenë subjekte të ligjit të dekriminalizimit.

Ndërkaq, standardet dhe rregullat e tjera më specifike do të përcaktohen nga Komisioni i Integritetit dhe Etikës në Partinë Demokratike. Kandidatët e propozuar nga grupseksionet do të verifikohen nëse i plotësojnë apo jo të dy grupet e kritereve. Më pas kryetari Lulzim Basha, në bazë të nenit 53, pika 13, shkronja ‘b’ të statusi të PD, ia kalon formalisht për miratimin Kryesisë së PD vetëm kandidatët për kryetar bashkia, pasi kandidatë për këshilltarë miratohen sipas një tjetër procedure. Nga ana e saj, Kryesia, e cila ka të drejtë për të rrëzuar kandidatë të propozuar nga baza, pasi aprovon listën, ia kalon për miratim Këshillit Kombëtar të PD, në bazë të nenit 50, pika 12, shkronja ‘b’.

Zgjedhja e kandidatëve për këshilltarë

Statuti i PD parashikon një tjetër rregull për zgjedhjen e kandidaturave për këshillat bashkiakë. Sipas nenit 12 pika 3, kryesitë e degëve vendosin për kandidaturat e këshilltarëve në njësitë vendore. Kryesia e PDSH duhet të informohet për çdo hap të procesit të miratimit të kandidaturave. Ajo ka të drejtën e ndërhyrjes sa herë që e vlerëson të domosdoshme. Përjashtimisht, për Bashkitë qendër qarku, lista e këshilltarëve përgatitet dhe propozohet nga Kryesia e Degës, dhe miratohet nga Kryesia e PDSH.

Në pikëpyetje Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve

Statuti i ndryshuar i Partisë Demokratike parashikon ngritjen një komisioni të posaçëm, Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve, i cili vlerëson kandidaturat elektorale. Anëtarët e Komisionit zgjidhen nga Këshilli Kombëtar me propozim të Kryesisë së PD. Komisioni asiston Kryesinë e PD në procesin e caktimit të kandidatëve.

Por, në rastin konkret, ky komision nuk dihet nëse do të funksionojë, për shkak të një hileje në statut. Pika 2 e nenit 62 të statusit të PD parashikon që Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve shqyrton kandidaturat e propozuara nga strukturat lokale të partisë dhe atyre të vetëpropozuara për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo pikë përjashton shqyrtimin e kandidaturave për kryetar të bashkive dhe këshilltarë, duke përfshirë vetëm kandidatët për deputetë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat