Paketë solidariteti dhe pensione më të larta pas reformës së pensioneve

Shqipëria

Paketë solidariteti dhe pensione më të larta pas reformës së pensioneve

Më: 24 tetor 2018 Në ora: 10:59
Edi Rama

Reforma e pensioneve hoqi tavanin e pakapërcyeshëm prej 240 mijë lekësh dhe sot pensionistët marrin pensione më të larta, bazuar në kontributet dhe vitet e tyre të punës. Qeveria ka vendosur po ashtu edhe një Paketë Solidariteti për pensionistët në fund të vitit, që kompenson të gjitha boshllëqet.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në takimin e përjavshëm me koordinatorët e bashkëqeverisjes dhe qytetarët që kanë marrë zgjidhje nga platforma e bashkëqeverisjes.

Kryeministri iu përgjigj kërkesës së një pensionisti të pranishëm në takim, i cili kërkoi rritjen e pensioneve.

“Ne kemi një paketë solidariteti për pensionistët që është tanimë e konsoliduar në zërat e buxhetit si asnjëherë më parë dhe që u shkon pensionistëve në fund të vitit, duke kompensuar edhe boshllëqet e krijuara për shkak të mungesës së pensioneve për vite të tëra”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “ata që dalin në pension pas reformës që bëri qeveria, kanë të tjera kushte nga ata që kanë dalë para reformës”.

“Deri para reformës kishim një pension tavan prej 240 mijë lekë të vjetra, i cili ishte i pakapërcyeshëm. Sot pas reformës tavani nuk ekziston më dhe pensioni bazohet tek sigurimet. Sot ka jo pak njerëz që dalin në pension dhe kanë pensione shumë të larta. Por rritja e pensioneve si më parë është një rrugë e pamundur, për shkak të mënyrës se si trajtohen pensionet pas reformës”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se qeveria ka bërë paketën e solidaritetit për pensionistët që bënë kompensimin që nuk bëhej. “Nëse më parë jepej një ‘gjeldeti’ në fund të vitit, sot bëhet fjalë për një volum më të konsiderueshëm, se sa thjesht simbolik”, tha Rama. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat