Fondi 5 miliardë lekë/ Ish pronarët, 6 dokumentet që duhen për të përfituar kompensim

Shqipëria

Fondi 5 miliardë lekë/ Ish pronarët, 6 dokumentet që duhen për të përfituar kompensim

Më: 10 nëntor 2018 Në ora: 07:14
Foto ilustruese

Pesë miliardë lekë është fondi që do të japë qeveria për kompensimin e ish pronarëve për vitin 2019. Ky fond sipas Ministrisë së Financave do të shpërndahet I gjithi për ish pronarët, të cilët do të marrin disa këste njëherësh. Bëhet fjalë për kompensimin monetar, që pritet ta marrin qindra ish pronarë të cilët plotësojnë kriteret.

Për të marrë këtë kompensim ish pronarët duhet të plotësojnë dosjet e tyre me disa dokumenta. Sipas Agjencisë së Trajtimi të Pronave, duhen 6 dokumente për të përfituar kompensimin. Të parët do të përfitojnë ata ish pronarët që kanë dorëzuar më herët dosjet dhe që nuk kanë mangësi në dokumentacion.


Dokumentat
Subjekti kërkues (subjekti përfitues/trashëgimtari ligjor/përfaqësuesi me prokurë), në momentin e plotësimit të kërkesës për kompensim, duhet të paraqesë dokumentacionin e mëposhtëm:

1.Kërkesën për kompensimin e pronës, sipas formatit tip, që i vihet në dispozicion nga ATP;

2.Dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil;

3.Prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre. (Në rastet kur nuk është e mundur të dorëzohet prokura e posaçme, secili bashkëpronar apo një pjesë e tyre, paraqesin kërkesë individuale apo të përbashkët, për pjesën takuese në pronën që kompensohet. Në rastin e kërkesave individuale të secilit bashkëpronar apo të një pjese të tyre, për çdo kërkesë të kryer, paguhet tarifë shërbimi në vlerën 2 000 (dymijë) lekë, pavarësisht se i përket të njëjtës pasuri të paluajtshme);

4.Vërtetimin origjinal të lëshuar nga një bankë e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare në emër dhe për llogari të subjektit përfitues, ku përcaktohet edhe numri i llogarisë bankare (IBAN), ku do të transferohet vlera financiare e përfituar;

5.Fotokopjen e dokumentit të identifikimit;

6.Mandat pagesën, që vërteton pagimin e tarifës së shërbimit në vlerën 2 000 lekë. Subjektet përfituese, kërkesa e të cilëve nuk është pranuar për mungesë dokumentacioni gjatë procedurave të mëparshme, kanë të drejtë të riaplikojnë. Këto subjekte nuk paguajnë tarifë shërbimi, nëse provojnë pagimin e saj gjatë aplikimit të mëparshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat