Duru: “Fake News” dëmtojnë publikun, por së pari profesionin e gazetarit

Shqipëria

Duru: “Fake News” dëmtojnë publikun, por së pari profesionin e gazetarit

Më: 3 dhjetor 2018 Në ora: 16:13
Ogun Duru

“Fabrikimet si “lajme” e dëmtojnë gazetarinë si profesion para se të dëmtojnë njerëzit e zakonshëm”, u shpreh kryeredaktori i Agjencisë turke të lajmeve Anadolu Agency, Ogun Duru në fjalën e mbajtur në konferencën ndërkombëtare me temë “Agjencitë e Lajmeve vs ‘Fake News’”, organizuar në Tiranë nga Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Duke falënderuar ATSH-në për organizimin e konferencës, Duru vuri në dukje se takimi ofron mundësinë për të diskutuar opinione të ndryshme dhe të vlefshme në atë që e cilësoi “qytet unik të Ballkanit”, në Tiranë.

“Lajmi i rremë nuk është një problem i ri me të cilin sektori ynë po përballet sot, por është një fenomen që po rritet me ritme alarmante në botën e sotme. Efektet e lajmeve të rreme, të krijuara për arsye politike, financiare dhe psikologjike, janë të mëdha. Sot është më e lehtë të shkruash dhe të përhapësh lajme të trilluara. Është gjithashtu më e lehtë t’i bindësh njerëzit që t’i besojnë ato. Siç mund ta dini, kjo nuk kërkon as një numër të konsiderueshëm në burime njerëzore, as një buxhet të jashtëzakonshëm financiar.

Ato tekste dhe pamje që janë të fabrikuara si “lajme” e dëmtojnë gazetarinë si profesion para se të dëmtojnë njerëzit e zakonshëm. Ne gjithashtu jemi dëshmitarë se si disa qeveri përdorin lajme të rreme si propagandë për arsye politike dhe ideologjike. Tekstet dhe pamjet e fabrikuara vihen në qarkullim nëpërmjet internetit. Qëllimi është që t’i bëjnë ato të duken të sakta, në sajë të efektit të përhapjes, në mënyrë që njerëzit t’i besojnë ato”, theksoi ai.

“Sot, edhe pse duket sikur është më e lehtë për të aksesuar informacionin, shoqëritë po përjetojnë sfida paradoksale. Njerëzit janë të mbushur me histori të vërteta, të dobëta dhe të rreme në të njëjtën kohë. Audienca zakonisht nuk ka kohë dhe energji për t’i verifikuar ato që ata ndeshin. Mosha dixhitale, dhe natyrisht ritmi i saj, kanë marrë kontrollin mbi gjithçka.

Edhe pse këto trende si gazetaria e mediave të reja, gazetaria e qytetarëve dhe vala e medias dixhitale duket se dobësojnë rolin e agjencive të lajmeve, ato në fakt e konsolidojnë atë. Njerëzit, të cilët kanë akses të lehtë dhe të shpejtë tek lajmet e fundit, po bëjnë gjithnjë e më shumë pyetje të tilla si “A është kjo e vërtetë?” Ose “Kujt duhet t’i besojmë?”. Në të njëjtën mënyrë, njerëzit gjithashtu vënë në pikëpyetje ato lajme që janë fabrikuar për arsye ideologjike dhe politike.

Aksesi në informacion është një e drejtë themelore e njeriut. Askush nuk mund ta mohojë përdorimin e kësaj të drejte në mënyrë demokratike. Ne nuk mendojmë që struktura pluraliste e medias apo burimeve alternative si; media sociale dhe digjitale kërcënojnë rolin tonë. Përkundrazi, e marrim këtë si një mundësi për të rritur fuqinë tonë konkurruese dhe kapacitetin tonë.

Ne zhvillojmë mjetet tona të medias dixhitale dhe sociale për të qenë të shpejtë; dhe vëmë në përdorim të gjitha kanalet për të arritur audiencën në mënyrë efektive.

Si shërbime kryesore të lajmeve, ne duhet të flasim më shumë dhë në detaje për rëndësinë e lajmeve të vërifikuara me komunitetet tona.  Ndryshe nga mediat private, agjencitë e lajmeve përballen me rreziqe më të mëdha. Ne bëjmë një përpjekje të madhe duke mos i botuar historite e paverifikuara dhe në këtë mënyrë çojmë abonentët tanë, kombin tonë dhe madje gjithë botën në një gabim të madh. /atsh

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat