Këshilli Mbikëqyrës me tre anëtarë në Bankën e Shqipërisë, nuk merr dot asnjë vendim

Shqipëria

Këshilli Mbikëqyrës me tre anëtarë në Bankën e Shqipërisë, nuk merr dot asnjë vendim

Më: 9 dhjetor 2018 Në ora: 14:35
Foto ilustrim

Edhe mbledhja e radhës, e planifikuar më parë për më 5 dhjetor, e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, ka përfunduar pa asnjë vendim.

Sipas njoftimit të Bankës qendrore, më 7 dhjetor u zhvillua vetëm një takim informues, në të cilin Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës, si dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, zëvendësguvernatorja e dytë, Natasha Ahmetaj dhe Tonin Kola u njohën me aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë.

Në axhendën e njoftuar më parë, organi drejtues i BSH duhej të njihej me analizën e qendrueshmërisë e sektorit bankar dhe sistemit financiar në Republikën e Shqipërisë, si dhe me analizën e dytë kushtuar sistemit bankar.

Në fakt, ndryshe nga planifikimi, në takimin e së premtes u diskutua mbi zhvillimet e fundit ekonomike dhe monetare, si dhe u mor informacion mbi administrimin dhe veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë; zbatimin e politikës monetare; mbarëvajtjen e sistemit bankar dhe financiar dhe gjendjen e tregjeve të parasë dhe valutore.

Më tej, u vijua me prezantimin e analizës së sistemit bankar për tremujorin e tretë të vitit 2018, ku u vlerësua se gjatë periudhës, veprimtaria bankare u zgjerua, performanca financiare mbeti e mirë dhe sektori bankar qëndroi i mirëkapitalizuar e likuid. Teprica e kredisë u rrit lehtë, ndërsa raporti i kredive me probleme ka rënë si ndaj një tremujori, ashtu edhe ndaj një viti më parë. Rezultatet e ushtrimit të provës së rezistencës përgjithësisht tregojnë që në skenarin bazë dhe të moderuar, treguesit e kapitalizimit paraqiten të qëndrueshëm.

Por, thekson njoftimi zyrtar, gjatë takimit nuk u morën vendime. Çështjet e planifikuara për vendimmarrje do të trajtohen në mbledhjet e ardhshme, atëherë kur Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë të ketë numrin e nevojshëm të anëtarëve për zhvillimin e mbledhjeve dhe marrjen e vendimeve përkatëse.

Kështu, në Bankën qendrore të shtetit shqiptar është përsëritur e njejta situatë që u shfaq edhe më 7 nëntor, kur mbledhja nuk u zhvillua fare dhe më 21 nëntor 2018, kur sërish guvernatori dhe dy anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, të cilëve nuk ju ka mbaruar mandati, u njohën me të njejtat probleme, por pa marrë asnjë lloj vendimi.
Kujtojmë se më 21 nëntor duhej të ishte miratuar edhe buxheti i Bankës së Shqipërisë për vitin e ardhshëm.

MandatetProblemi qendron në atë që tashmë mandati i gjashtë anëtarëve të Këshillit ka kohë që ka përfunduar, por ende nuk po miratohen emrat e zëvendësve të tyre, çka e vendos Kuvendi i Shqipërisë. Pranë tij, tashmë janë depozituar emrat e 15 pretendentëve, por ende nuk është arritur në procedurat për miratimin e kandidaturave.
Nga ana e saj, qeveria i ka propozuar Kuvendit tre anëtarët për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, që i propozon ajo. Mes 38 aplikantëve Këshilli i Ministrave në një nga mbledhjet e fundit ka vendosur për dy gra, Suela Popa dhe Edlira Luçi, si dhe ish-ministrin demokrat të Financave Ridvan Bode, që do të zëvendësojnë tre prej anëtarëve të mëparshëm: Elisabeta Gjoni, Ela Golemi, Dhori Kule, Petraq Milo, Arben Malaj dhe Denada Prifti.

Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë zgjidhen nga Parlamenti me mandate shtatëvjeçare me të drejtë rizgjedhjeje mbështetur në propozimet e bëra për pesë anëtarë nga Kuvendi, tre nga Këshilli i Ministrave dhe një nga vetë Këshilli Mbikëqyrës. 

Por vetë Kuvendi ende nuk ka asnjë kandidaturë. Kreu i Komisionit të Ekonomisë Erjon Braçe tha para pak ditësh se emrat e përmendur ditët e fundit janë spekulime dhe se Kuvendi nuk ka nisur ende procedurën për të bërë tre propozimet përkatëse. E ndërsa opozita nuk ka bërë asnjë propozim për emrat në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës Qendrore, Braçe refuzoi të komentonte kandidaturën e Ridvan Bodes.

Ndërkohë që emrat, të cilët qarkulluan si propozime të Kuvendit ishin ish-ministri socialist Arben Malaj, dekani i fakultetit juridik Artan Hoxha, si dhe deputeti demokrat Florjon Mima. Ky i fundit do të largohej nga posti i deputetit të PD, duke i hapur rrugë Agron Dukës, por ende nuk ka një konfirmim për këtë lëvizje.

KuvendiAsnjë procedurë nuk është parashikuar ende për zëvendësimin e anëtarëve të organit drejtues të institucionit qendror bankar në Shqipëri nga ana eKuvendit. Më datë 13 dhjetor është parashikuar të miratohet një projektvendim “Për një shtesë dhe ndryshim në strukturën dhe organikën e Autoritetit të Konkurencës”, ndërkohë që më 20 dhjetor projektvendimi “Për emërimin e një anëtari të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit”. Por asnjë datë nuk është caktuar për Bankën. Në mungesë të një vendimi, kjo e fundit do të mbetet edhe këtë vit në pamundësi për të marrë vendime. Duke paralizuar këtë institucion qendror jetik për vendin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat