Fadil Sopi gjysmë shekulli me sport - Bota Sot
Fadil Sopi gjysmë shekulli me sport

Skijim

Fadil Sopi gjysmë shekulli me sport

Nga: Kemajl Goca Më: 12 mars 2019 Në ora: 10:10
Fadil Sopi

Kosova ka një numër të sportistëve që merren me sporte ekstreme, sidomos me alpinizëm! Alpinizmi është sport mjaft i dashur në shtetin tonë dhe gjeneratat e ndryshme sprovojnë veten.  Fadil Sopi merret me sport që 52 vite apo gjysmë shekulli!  Sporti është frymëzim për Sopin dhe i jep fuqi gjithnjë! I mishëruar deri në pikën e fundit me skijim, po ashtu me bjeshkatari dhe një periudhë të gjatë ka qenë gjyqtar i hendbollit. Ai flet me modesti për gazetën kombëtare “Bota sot”, duke treguar rrugëtimin e tij në shumë sporte!

Image

Kur Fadil Sopi ngjitet në majen e Korabit

“Prej vitit 1967 merrem me sport, duke iu falënderuar prof. Ejup Maxherës. Maxherën e kisha profesor në shkollën e mesme në Prishtinë, ai me ka kyqur më shoqërinë bjeshkatare skitare Prishtina dhe prej atij viti e deri me sot u bënë 52 vite, gjysmë shekulli. Kam marr pjesë si garues i skijimit, në vitin 1970, pra anëtar i ShBS Prishtina. Pastaj në vitin 1976 kam pushtuar majën më të lartë të Evropës, Mont Blanc në Francë, me lartësi 4810 metra. Prej 30 vetave tre kemi shkuar në maje, një shqiptar, një serb e një malazez, unë i Prishtinës, një i Pejës dhe një i Ferizajt. Në vitin 1977 kam qenë në majën më të lartë të Azisë së Mesme në Iran, me lartësi 5765 metra, pra në Damavand, që është 65 kilometra larg Teheranit. Aty jemi ngjitur 13 veta, të gjithë nga SHBS Prishtina.

Image

Sopi në skijim

Pastaj në vitet tjera jam ngjitur në majat e larta të Evropës, pra majen më të lartë në Ballkan, në Rila me lartësi 2925 metra dhe në Olimp të Greqisë me 2918 metra, po ashtu ishim edhe në vendet e ndryshme në ish Jugosllavi dhe në Evropë, si në Austri, Itali e gjetiu”, tregon Sopi për peripecitë dhe sukseset që ka pasur. “Pastaj jam marr me hendboll, ku në vitin 1974 kam dhënë provimin për gjyqtar të hendbollit, kurse në vitin 1980 kam marr titullin e gjyqtarit republikan. Në vitin 1983 është nda bjeshkataria nga skitaria, pas ndarjes kam shkuar në klubin skitar. Unë e riaktivizova klubin Prishtina dhe më zgjodhën atëkohë kryetar klubi, kurse tash për momentin jam drejtor i KS Prishtina. Kam marr shumë shpërblime si nga skitaria po ashtu edhe nga bjeshkataria, kam mirënjohje nga Mont Blanc dhe Olimp etj. Për momentin jam udhërrëfyes për bjeshkatari, punoj verës dhe dimrit me grupe të jashtme, pra jashtë Kosovës.

Vitin e kaluar i kam pasur tri grupet nga Kroacia në bashkëpunim me klubin alpin Prishtina pikërisht me Nazmi Hasanramajn, me alpinistin e parë shqiptar që ka hipur në maje e Himalajes (8484 metra), bashkëpunoj më së shumti”, theksoi. Sopi tha se Mont Blanc ka qenë sfida më e vështirë në alpinizëm. “Mont Blanc ka qenë shumë i vështirë dhe atëkohë s’ka pas rekuizita jo vetëm në Kosovë por edhe në Evropë. Kemi blerë rekuizita në Austria, për atë arsye prej 33 vetave vetëm tre veta kemi hipur lart në maje të Mont Blanc dhe për shkak mungesës së rekuizitave profesionale të tjerët nuk arritën. Kështu që ka qenë shumë ftohtë atëkohë, minus 25 gradë në maje të Mont Blanc. Kështu që ne kemi kryer për 32 orë ngjitjen dhe zbritjen”, tha Sopi. “Pastaj Olimpi ka qenë maje e theksuar edhe aty çdo bjeshkatar nuk mund të hip, se është shumë problematike, e vështirë, kurse Rila është shumë më e lehtë, edhe një 80-vjeçar mund të ngjitet edhe pse është maja më e lartë në Ballkan”, nënvizoi Sopi.  Më tutje Sopi tha se Kosovës i duhen ekipet të shpëtimit: “Në vitin 1967 u mora me bjeshkatari e skitari, me hendboll nga viti 1974 dhe në vitin 1978 e kam kryer seminarin për ekip shpëtimtar. Krejt Kosovës ia kemi bërë sigurimin e skiatorëve në bjeshkët e Sharrit pikërisht në Brezovicë dhe kemi pasur në menaxhim edhe Kopaonikun. Kemi nxjerr shumë njerëz të gjallë dhe të vdekur nga orteku. Fatkeqësisht veç ka ardhur duke u shuar ekipi shpëtimit për shkak të neglizhencës së federatës bjeshkatare edhe asaj skitare të Kosovës. Në mungesë të ekipit të shpëtimit kemi me pasur probleme gjithherë dhe do të kemi sikurse siç ndodhën rastet në vitet e vitet, që po pësojnë nga ortekët. Në kohën tonë, ekipet shpëtuese nuk kemi pasur mjete të mjaftueshme por bashkëpunimi me policinë dhe ushtrinë ka qenë korrekt.

Image

Sopi duke dorëzuar mirënjohjet gjatë një gare të skijimit

Ekipet shpëtimtare kanë kufizuar vendet e rrezikut nga orteku dhe ka pasur me dhjetëra që nuk i kemi ditur, por ato që i kemi ditur i kemi nënvizuar, duke sinjalizuar për rrezikun. Kemi bërë shiritat dhe vendosëm shkopinjtë. Kisha apeluar te ministria sportit me iniciuar përmes këtyre federatave që të mbahen seminaret për ekipet shpëtimtare dhe janë më se të nevojshme. Kemi shumë njerëz, që Kosovës kanë filluar me i dal nëpër bjeshkë dhe nuk i njohin ato. Tash në federatën bjeshkatare janë të regjistruar diku 30 shoqëri, kështu që 20 mu organizuar çdo vikend me nga 50 veta, janë rreth apo mbi 1000 veta që dalin përmes shoqërisë gjatë vikendeve.

Kisha lut ministrinë t’i shkollojë rreth këtij kuadrit shpëtimtar sepse na duhen shumë”.  Ai kujton edhe disa momente të vështira me hendboll në kohën e okupimit të viteve të 90-ta: “Me hendboll kam referuar deri në ligën e dytë ish jugosllave dhe në Republikën e Kosovës. Edhe në kohën e okupimit dhe paslufte. Kemi referuar pa asnjë markë në kohën e okupimit dhe të kërcënuar nga pushtuesi serbosllav. Unë me të ndjerin Skënder Rogova kemi pasur probleme në një fshat të Shtimes, edhe në Klinë, mirëpo në Klinë kaluam pak me lehtë edhe fal të ndjerit Mehdi Jashari që ka qenë me ne. Duhet harruar të gjitha por duhet mbeten në arkivin e historisë”.  Ai tha se kemi skiator të mirë dhe në anën tjetër merret edhe djali i tij me skijim, Qëndrimi.

“Kemi skiator të jashtëm shqiptar që janë shumë të mirë. Gjeneratat e reja te ne janë të mira, nga fatosat e pionierët e rinj, kemi shpresa te ta, ndërsa për gjeneratat pak më të vjetra jo. Mund me thënë për klubin e Prishtinës, në Bankso në garat e FIS-it, të shtunën që e lamë pas morën një rezultat të mirë me skiatoren Lirika Deva e cila zuri vendi e nëntë në disiplinën në sllallom në garën ndërkombëtare për pioniere të reja, që është një sukses i mirë.

Për skiatorët e Prishtinës që kanë arritur deri këtu, duhet falënderuar prindërit dhe drejtoratin komunal të Prishtinës, ku kanë marrë pjesë si në Maqedoni, Mal të Zi dhe Bullgari. Djali im, Qëndrimi, ka qenë hendbollist i Prishtinës dhe anëtar i SHB Prishtina, tani në klubin alpin Prishtina, i cili ka pushtuar më shumë se unë maje.  Dy herë në Montçlan dhe dy herë Kilomanjaro, maja më e lartë në Afrikë, tash është edhe anëtar i skive Prishtina dhe ka qenë në garat ballkanike në Kroaci, ku prej 120 vetave zuri vendin e 11-të në Sleme, në disiplinën e sllallomit të madh”, përfundoi Sopi.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...