Tahiri ngeci për 23 sekonda e 94 qindtat nga fituesi i garës - Bota Sot
Tahiri ngeci për 23 sekonda e 94 qindtat nga fituesi i garës

Skijim

E mërkurë, 21 nëntor 2018

Tahiri ngeci për 23 sekonda e 94 qindtat nga fituesi i garës

Më: 22 shkurt 2018 Në ora: 12:40
Albin Tahiri

Skiatori i kombëtares së Kosovës, Albin Tahiri, zuri vendin e 39-të me kohë të kaluar për 2:02.93 minuta apo ngeci për 23 sekonda e 94 qindtat nga fituesi i garës në sllallom në Lojërat Olimpike Dimërore, suedezi Andre Myhrer. Ai zuri një pozitë mjaft të mirë nga 108 garues në disiplinën e sllallomit. Skiatori i kombëtares së Shqipërisë,  Erjon Tola, renditet në pozitën e 36-të, por me kohë më të ngadalshme për 18 sekonda e 7 qindtat se Myhrer. “Ishte një garë e vështirë, shumë garues nuk e përfunduan, unë ia dola dhe jam i lumtur për këtë. Vendi 39 nuk është i keq.

Krejt çfarë mund të them është se të gjitha garat i përfundova deri në fund dhe ky është një sukses në vete. Të jesh gati çdo ditë në borë është lodhje, andaj ju faleminderit të gjithëve këtu dhe atyre në Kosovë për përkrahjen”, tha Tahiri pas garës. Trajneri i tij, Agim Pupovci, nuk kishte pritur paraqitje të tillë në sllallom, pasi disiplinat më të mirë për Albinin janë disiplinat e shpejta. “Sot ishte gara e fundit, jemi të kënaqur, na ka befasuar me sllallom, sidomos me lëshimin e parë ku shumë garues nuk e përfunduan. Na ka befasuar për të mirë në disiplinat teknike, pasi më shumë kemi pritur në disiplinat e shpejta”, tha Pupovci.

Kujtojmë që Albini garoi edhe në katër disiplinat tjera si: kombinim alpin (vendi 37), lëshim (50), super sllallom të madh (47), sllallom të madh (56) dhe sllallom (39).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test