Tahiri: Thellë në shpirtin tim ndihem shqiptar - Bota Sot
Tahiri: Thellë në shpirtin tim ndihem shqiptar

Skijim

E hënë, 19 nëntor 2018

Tahiri: Thellë në shpirtin tim ndihem shqiptar

Më: 28 shkurt 2018 Në ora: 14:56
Pamje nga konferenca

Është vlerësuar pjesëmarrje historike dhe e suksesshme paraqitja e parë e ekipit olimpik të Kosovës në Lojërat Olimpike Dimërore PyeongChang 2018. Konstatimi vjen nga drejtuesit e KOK-ut, të cilët organizuan konferencë për media, me rastin e kthimit në Kosovë të ekipit olimpik që mori pjesë në LOD PyeongChang 2018. Kosova u përfaqësua me skitarin Albin Tahiri, që garoi në pesë disiplina të skijimit alpin, derisa barti flamurin e Kosovës edhe në ceremoninë hapëse dhe mbyllëse të LOD PyeongChang 2018. Presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, në emër të Bordit Ekzekutiv të KOK-ut, shprehu mirënjohjen për performancën e lartë të Tahirit, duke thënë se parashikimet dhe pritshmëritë janë realizuar.

“Albin Tahiri e radhiti Kosovën në mesin e shteteve pjesëmarrëse aq sa kanë qenë edhe pritshmëritë tona. Ngritja e flamurit në Fshatin Olimpik, ceremonia e hapjes dhe mbylljes solemne, takime të shumta me personalitete të larta të lëvizjes olimpike ndërkombëtare, ku veçohet takimi dhe intervista me presidentin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, janë karakteristikat që e veçojnë paraqitjen e delegacionit të Kosovës në LOD PyeongChang 2018”, tha Hasani. Ai shtoi se kjo Olimpiadë do të mbahet mend edhe për organizimin e Festivalit Olimpik PyeongChang 2018, që për 17 ditë u mbajt në Prishtinë.

“Kosova ishte një nga nëntë vendet e licencuara për të qenë si pilot-projekt i Festivalit Olimpik PyeongChang 2018, që është mbajtur në nëntë vende të përzgjedhura në mesin e 209 shteteve olimpike. Mbi 8 mijë fëmijë kanë praktikuar për herë të parë patinazhin dhe mbi 4 mijë fëmijë kërlingun”, tha i pari i KOK-ut. Krenar që përfaqësoi Kosovën në PyeongChang 2018 u shpreh edhe  Tahiri, i cili tha se u mundua ta bëjë krenar popullin e Kosovës.

“Jam shumë i lumtur që isha në PyeongChang dhe ta bartë flamurin e Kosovës në ceremoninë hapëse të Lojërave Dimërore PyoengChang. Ishte kënaqësi të përfaqësojë vendlindjen e babait tim dhe njëkohësisht vendin tim, sepse thellë në shpirtin tim ndihem shqiptar, edhe pse nuk e flas gjuhën shqipe aq mirë”, tha Tahiri, sipas të cilit më vështirë ishte të përfshihet në 50 më të mirët në disiplinën lëshim, ku ishin 61 pjesëmarrës se sa në sllallom apo sllallom të madh ku garonin rreth 110 skitarë.

Sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Shasivar Haxhijaj dhe kryetari i Federatës Skitare të Kosovës, Milaim Kelmendi, e vlerësuan historike paraqitjen e Tahirit. “Albini ka lëvizur nga vendet 54, 37, që do të thotë se kjo është e mirë. Faktikisht mbetet që në të ardhmen të punohet më shumë me Albin Tahirin, por unë mendoj se është një rezultat i kënaqshëm, nuk është rezultat i keq të cilin e ka arritur, ka mundësi që prapë të përmirësohet në Lojërat e ardhshme Olimpike”, theksoi Kelmendi, njëherit nënpresident i katërt i KOK-ut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test