15 dhjetor 1942, vdiq Faik Konica

Speciale

15 dhjetor 1942, vdiq Faik Konica

Më: 15 dhjetor 2015 Në ora: 07:34

1791 - Karta amerikane e të Drejtave bëhet ligj pas ratifikimit nga dy të tretat e 14 shteteve. Ndikuar nga Karta angleze e të Drejtave (1689), dhe dokumentet e mëparshme politike angleze, si Magna Karta (1215), Karta amerikane ndjek shembullin e Deklaratës së të Drejtave të Virxhinias, hartuar nga George Mason më 1776. Karta e të Drejtave përmban 10 amendamentet e para të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara. Një nga 14 kopjet origjinale të saj është në shfaqje publike në Arkivat Kombëtare në Uashington, D.C. Karta e të Drejtave rendit liritë që nuk përmenden në mënyrë të veçantë në tekstin kryesor të Kushtetutës, siç janë; liria e fesë, e fjalës, e shtypit, e kuvendimit, mbledhjes, grumbullimit, e drejta për të mbajtur armë, liri nga kontrolle e konfiskime të pa-arsyeshme, siguri të gjërave personale, liri nga fletë-arreste pa shkak të mundshëm, garanci për gjykim të shpejtë të hapur me juri të pa-anshme, ndalimi i ndjekjes, gjykimit ose dënimit 2 herë për të njëjtën vepër penale.

1832 - Në Dizhon të Francës lindi Aleksandër Gustave Eiffel inxhinier dhe arkitekt francez; bëri emër me ura të ndryshme për rrjetin hekurudhor francez, para se të merrte famë botërore me Statujën e Lirisë, Nju Jork (1886) dhe Kullën e ndërtuar për Ekspozitën Universale në Paris (1889). Kulla mban emrin e tij, Eiffel. Por reputacioni i tij do të dëmtohej rëndë; në vitin 1888, Eifel u përfshi në projektin e një kanali në Panama për një lidhje të shkurtër midis Oqeaneve Atlantik e Paqësor; ndërkohë, kompania franceze e ndërtimit të Kanalit falimentoi dhe Eiffel u implikua në skandalin financiar dhe politik që pasoi; u akuzua për keqpërdorim fondesh; më 1893 shpallet fajtor; dënohet me gjobë të madhe dhe 2 vjet burgim. Më pas (1904), Kanali i Panamasë do të merrej përsipër nga amerikanët, dhe do të përfundonte më 1914.

1939 - Filmi amerikan “Shkoi bashkë me erën” shfaqet për herë të parë në në Atlanta, të shtetit Xhorxhia, SHBA. Suksesi ishte i menjëhershëm. Filmi është kritikuar për devijime historike dhe ngjyrime optimiste të skllavërisë, por edhe është vlerësuar për nxitjen e ndryshimeve në mënyrën se si afrikano-amerikanët janë përshkruar në filma.

1942 - Në Uashington, vdiq Faik Konica, “njeri me kulturë të lartë” (Noli), “enciklopedi shëtitëse” (Apolineri), eseist, estet, botues, gazetar, themelues i kritikës letrare shqipe, diplomat, veprimtar politik, polyglot; solli një model të ri në mendësinë shqiptare; “Ndërroj jetë me mejtimin se ju jeni njerëzit që më keni kuptuar më qartë në këtë dhe. Nuk do të më tretë dheu, nëse ti imzot Noli dhe ti Lamja im i vogël dhe gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë nuk do ta çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë. Kam lënë menjanë edhe harxhimet e rrugës për trupin pa jetë dhe shumën për dy metra vend në Shqipëri”, thuhet në testamentin e Konicës.Në atë kohë Shqipëria ishte përfshirë nga lufta, dhe Faik Konica u varros në Boston, përkohësisht. Me këtë rast, Fan Noli mbajti një elegji për mikun e tij dhe premtoi përmbushjen e amanetit. Gjithësesi, sistemi komunist që u vendos në Shqipëri pas luftës ndaloi jo vetëm emrin dhe veprat e Konicës, por edhe kthimin e eshtrave të tij. "Noli dhe “Lamja i vogël” (Selfulla Maleshova) nuk mund të bënin gjë. Eshtrat e Konices u kthyen në atdhe vetëm pas 53 vjetësh, më 1995, me rastin e 120 vjetorit të lindjes, dhe u vendosën në Parkun e Tiranës, pranë varreve të vëllezërve Frashëri. Kështu, shqiptarët e Amerikës plotësuan amanetin i tij.

"Në ç'vend kemi lerë?
Ku na bejnë nderë?
--Në Shqipëri.
Po njeriu vetë,
cilë do në jetë?
--Do vend' e tij.
Ku i duket balta
m'ë e embël se mjalta?
--Në vend te tij.
Ku munt të gëzojë
dhe me nder të rrojë?
--Në Shqipëri.
Përse të punojë
dhe të lakëmojë?
--Për vend' e tij."
(Çajupi)

1960 - Richard Paul Pavlick arrestohet për përpjekjen për të vrarë me eksploziv presidentin e sapo zgjedhur amerikan John F. Kennedy, 4 ditë më parë.

1961 - Në Jeruzalem, nazisti gjerman Adolf Eichmann dënohet me vdekje pasi u shpall fajtor për 15 akuza, përfshi ato për krime kundër njerëzimit, krime kundër popullit hebre. Gjatë luftës së dytë botërore, Eichmann, officer i lartë SS, ishte përgjegjës për menaxhimin e logjistikës së transportimit masiv të hebrenjve në getot dhe kampet e shfarosjes në Evropën e pushtuar Lindore. Në vitin 1960, Eichmann u kap në Argjentinë nga shërbimi informativ izraelit, Mossad. Pas gjetjes fajtor, ai u ekzekutua me varje në vitin 1962.

1980 - Bejsbollisti amerikan Dave Winfield bëhet lojtari më i paguar në historinë e ekipeve sportive në SHBA, ndërsa nëshkruan një kontratatë 10 vjeçare me skuadrën Yankee të Nju Jorkut kundrejt një shume prej 22 milionë dollarësh.

1989 - Një kryengritje popullore në Rumani rezulton në përmbysjen e regjimit komunist 42 vjeçar. Revolucioni filloi në qytetin Timişoara dhe u përhap shpejt në të gjithë vendin. Ky ishte rrëzimi i fundit i regjimit komunist në një vend të Paktit të Varshavës gjatë ngjarjeve të vitit 1989, dhe e vetmja kryengritje që përmbysi me forcë një qeveri komuniste dhe rezultoi në ekzekutimin me vdekje të udhëheqësit të saj, Nikolae Çaushesku.

2001 - Kulla e anuar e Pizës rihapet për publikun, pas një pune restauruese 10 vjeçare, prej 22 milionë dollarësh, për të shmangur rrëzimin e saj.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat