A ka dëgjuar Komiteti Olimpik i Kosovës për Xhevdet Pecin, për Shalën, Muriqin, Koznikun, Junikun, Makiqin, Selmanajn...?

Sporti

A ka dëgjuar Komiteti Olimpik i Kosovës për Xhevdet Pecin, për Shalën, Muriqin, Koznikun, Junikun, Makiqin, Selmanajn...?

Nga: Kemajl Goca Më: 30 gusht 2020 Në ora: 11:44
Xhevdet Peci

Sportistët e mëdhenj duhet të kenë statusin e merituar dhe jo të lihen anash! Sportistët e mëdhenj duhet të trajtohen dinjitetshëm dhe jo të lihen në mëshirën e askujt.

Sportistët e mëdhenj mos i trajtojni dinjitetshëm vetëm kur janë në arkivol, por kur janë gjallë! Kosova ka një numër të sportistëve të mëdhenj, që meritojnë një trajtim më ndryshe, të kenë një status me të veçantë dhe jo të trajtohen sikur të janë çoban! 

Kosova ka një garniturë të sportistëve që duhet të trajtohen si sportistë të veçantë, me suksese që sollën në vitet e 60-ta, 70-ta, 80-ta! Ata nuk guxojnë t’i nëpërkëmbin! 

Nuk do të thotë vetëm nëse ke medalje olimpike, botërore apo evropiane, sportisti i merituar meriton hakun e vet! A thua kur del në pension Milot Rashica, Vedat Muriqi dhe nuk fitojnë kurrë medalje, do të trajtohet baras si sportistë tjerë që kanë luajtur nga Gryka e Kaçanikut e deri në Grykë të Rugovës.

Komiteti Olimpik i Kosovës, a thua a ka dëgjuar ndonjëherë për Xhevdet Pecin dhe për shumë emra tjerë të boksit, që në vitet e 70-ta dhe të 80-ta, me Prishtinën fituan pesë herë titullin e kamponit të ish Jugosllavisë! Ajo ligë ish jugosllave, ka qenë prej më të fortave në botë dhe garuan tetë shtete: Kroacia, Serbia, Kosova, Vojvodina, Mali i Zi, Maqedonia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Sllovenia.

Ligë shumë e fortë, ndërsa Prishtina e dominonte me yjet e boksi të asaj kohe, siç janë Xhevdet Peci, Mehmet Bogujevci, Nazif Gashi, Afrim Majanci, Sami Buzolli,  Mehmet Hashani, Aziz Salihu, Fatmir Makolli, Sami Buzolli, Nysret Rexhepi, Enver Haradinaj, Abedin Lika etj.  Përderisa Aziz Salihu dhe Mehmet Bogujevci e kanë të rregulluar statusin e tyre!A thua, në futboll Fadil Muriqi, Luan Prekazi, Kujtim Shala, Ardian Kozniku, Isa Sadriu etj. a janë sportistë me merita të veçanta? Në basketboll, Resmije Juniku, Xhevahire Mustafa,  Shemsije Stublla, Serbeze Perani etj. a janë me merita të veçanta?

Në hendboll Aziz Makiqi, Xhelal Selmanaj, Sefedin Reçica, Hasan Bajrami, Besim e Bujar Qerimi etj. a janë me merita të veçanta etj? Komiteti Olimpik i Kosovës, si institucioni më i lartë në vendin tonë, së bashku me federatat duhet të ulen dhe të punojnë, t’i përzgjedhin sportistët me merita të veçanta, të luftojnë për drejta e tyre dhe jo të na mbesin sportistë si Xhevdet Peci me një pension 90 euro dhe qesharak.  

Peci është sportist me merita të veçanta!, Kosova nuk ka emra të mëdhenj të boksit për t’i hedhur në baltë, por këto vlerat duhet të mbrohen dhe të luftohet për ta!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat