Trajneri i Portugalisë, Fernando Santos ka mbrojtur mungesën e golave nga Cristiano Ronaldo duke thënë se mbrëmë ai luajti me dhimbje.
Portugalia mbrëmë mposhti Shqipërinë në “Elbasan Arena”, me golin e shënuar në fund të takimit nga Miguel Veloso. Me këtë fitore portugezët janë në rrugën e duhur në sigurimin e kualifikimit në Euro 2016.
“Ai është një lojtar i cili shënon 50 gola në sezon, sigurisht që mungesa e golave shkakton një ankth. Por, ai sakrifikoi shumë, pasi kishte dhimbje gjatë këtij takimi”, është shprehur Santos.
Ndeshjen e ardhshme Portugalia do të përballet me Danimarkën, kurse këtë takim, Santos e cilëson jetë a vdekje, raporton Goal.
“Duhet të përballemi ndaj Danimarkës si të ishte një finale. Fitorja gjithmonë është e rëndësishme, prandaj ndaj Shqipërisë së fortë bëmë një hap shumë të rëndësishëm”, ka shtuar ai.