Arifi lufton për normë olimpike

Sporti

Arifi lufton për normë olimpike

Nga: Kemajl Goca Më: 24 gusht 2018 Në ora: 11:45
Arifi lufton për normë olimpike

Karateisti Orges Arifi (-60 kg) mëton rezultate sa më të mira në garat e Premier Leagues po ashtu lufton që të përgatitet sa më mirë edhe për Kampionatin Botëror, që mbahet në muajin nëntor. Anëtari i kombëtares së Kosovës njëherësh i klubit Ippon nga Prishtina, është në formë të mirë para sfidave të reja. Synimi i tij është që të tubon sa më shumë pikë për normën olimpike.  

“Bota sot”: Jeni në vlugun e përgatitjeve, cila është sfida e radhës?

Orges Arifi:  Jemi duke i bërë përgatitjet e fundit dhe gara e parë është në Premier League, ku marrin pjesë vetëm 64 garues më të mirë në kategori. Njëkohësisht është gara e parë që fillon për pikë për normë olimpike, ndërsa pas kësaj vazhdon Premier League tjetër e radhës në Tokio, si dhe Kampionati Botëror në nëntor.

“Bota sot”:  Cilat janë synimet?

Orges Arifi: Synimet janë që të mbledhi sa më shumë pikë në dy aktivitetet e Premier Leagues, si dhe ndonjë plasman në Kampionatin Botëror.

“Bota sot”: Cila është gara më e vështirë gjatë këtij viti?

Orges Arifi: Të gjitha garat janë të njëjta, pasi janë edhe garuesit e njëjtë të cilët i prijnë renditjes botërore, mirëpo për nga pesha është Kampionati Botëror.

“Bota sot”: Sa jeni i kënaqur me kushtet?

Orges Arifi: Mund të themi që kushtet janë minimale, si mungesa e sallës adekuate e shumë pajisje të tjera.

“Bota sot”: Çfarë iu duhet më shumë apo çka iu mungon?

Orges Arifi: Mungojnë kampet ndërkombëtare me garues cilësorë, ku dihet niveli i konkurrencës dhe patjetër duhet të jemi në shumë kampe gjatë vitit me garues cilësorë. Mirëpo deri me tani nuk kemi qenë në asnjë kamp të tillë me garues të huaj.

“Bota sot”: Ku stërviteni më shumë dhe a iu mungon konkurrenca në Kosovë?

Orges Arifi: Stërvitem në klubin e karatesë Ippon të Prishtinës i cili është një ndër klubet më të mira në Ballkan për nga cilësia edhe rezultatet. Vlen të ceket që jemi klubi i dytë në gjithë Ballkanin që kemi më së shumti garues në top 50 të renditjes botërore (4 garues). Sa i përket konkurrencës në Kosovë nuk është në nivelin e duhur, që 6 vite prej që jam seniorë. Jam kampion shteti dhe nuk kam asnjë humbje në kategorinë time, si dhe pesë herë kampion mbarëkombëtar gjithashtu asnjë humbje.

“Bota sot”: A e keni synim olimpiadën?

Orges Arifi: Olimpiada është një ëndërr për të gjithë sportistët edhe për mua, mirëpo konkurrenca do të jetë jashtëzakonisht e fortë dhe kriteri për karatenë do të jetë shumë i fortë, pasi janë bashkuar kategoritë, si dhe kualifikohen vetëm për kategori. Mirëpo ne kemi dëshmuar që kemi potencial, pasi kemi medalje evropiane, si dhe botërore (Herolind Nishevci) dhe nuk do të dorëzohemi deri në momentin e fundit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat