Tetova një vit pa vrasje

Tetova

Tetova një vit pa vrasje

Më: 8 dhjetor 2020 Në ora: 17:27
Tetova

Vrasjet klasike të cilët cilësohen si krim nga ana e policisë, në rajonin e Tetovës viteve të fundit shënojnë rënie, sidomos në dy vitet e fundit, duke përfshirë edhe këtë vit që po përmbyllet. Kësisoj, deri në fillim të muajit dhjetor në rajonin më të gjerë të Tetovës, nuk është regjistruar asnjë vrasje. Kështu thonë të dhënat e Policisë së Tetovës, respektivisht Sektorit për Punë të Brendshme. Përderisa në rajonin më të gjerë të Tetovës nuk është shënuar asnjë vrasje, që cilësohet si krim, nuk kanë munguar tentimet për vrasje. Gjegjësisht, nga policia e Tetovës pohojnë se të gjitha këta tentime për vrasje janë zbuluar.

“Gjatë këtij viti në Sektorin e Punë të Brendshme në Tetovë, nuk është regjistruar asnjë vrasje respektivisht në rajonin më të gjerë të Tetovës. Ndërkaq 5 vrasjet në tentativë në këtë periudhë janë zbardhur dhe rrumbullakuar plotësisht me parashtresa adekuate”, thotë për gazetën Koha, Fatmir Rexhepi, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë. Trendi i numrit të vogël të vrasjeve ka vijuar nga viti në vit. Gjatë vitit të kaluar respektivisht 2019, janë shënuar vetëm dy vrasje, kurse numri i tentimeve për vrasje ka qenë pesë.

“Gjatë vitit 2019 kanë ndodhur 2 vrasje të cilat janë zbardhur plotësisht dhe 5 tentativa për vrasje, nga të cilat 4 janë zbardhur, kurse 1 prej tyre është në fazën e fundit të pastrimit”, pohon zëdhënësi policor Fatmir Rexhepi. Sa i takon viteve paraprake, gjegjësisht në vitin 2018, në rajonin e Tetovës, pa komunat e Gostivarit janë shënuar tre vrasje. Edhe këta vrasje janë zbardhur nga ana e policisë.

“ Në vitin 2018, numri i përgjithshëm i vrasjeve në këtë zonë kishte të bëj me 3 raste. Dy janë zbardhur plotësisht, si dhe 9 tentativa për vrasje që janë zbardhur plotësisht dhe për të cilat janë përgatitur parashtresat adekuate”, njofton për Gazetën Koha, zëdhënësi i Sektorit të Punëve të Brendshme në Tetovë, Fatmir Rexhepi.

Në ndërkohë profesori universitar Qebir Avziu, thotë se vrasjet kanë shënuar shifra të ulëta në të gjitha vendet e botës që nga fillimi i pandemisë.” Sipas qëndrimeve kriminalistike dhe kriminologjike, gjatë kohës së pandemisë, thuaj se në të gjitha vendet e botës, kriminaliteti klasik, sidomos vrasjet shënojnë ulje të dukshme. Kjo është evidente, edhe në disa vende të BE-së, siç janë Kroacia dhe Sllovenia, si dhe vendin jonë, Republika e Maqedonisë së Veriut. Kështu gjatë këtij viti (2020), fatmirësisht në rrethinën e Tetovës, nuk ka pasur asnjë vrasje”, thotë për gazetën Koha profesori Avziu. Më tej ai pohon se edhe krahas pandemisë, megjithatë një faktor tjetër që ka ndikuar në uljen e shifrave është edhe migrimi i shumë kriminelëve nga Maqedonia e veriut në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian.

“Edhe gjatë viteve të kaluara, numri vrasjeve ka qenë shumë i vogël, ndërsa nuk ka pasur pandemi. Kjo më së shumti vjen si shkak i asaj që viteve të fundit, në vendet e BE-së, nuk kanë migruar vetëm qytetarët që kanë kërkuar punë, por edhe një numër i konsiderueshëm i kriminelëve të njohur, të cilët tash më gravitojnë në vendet e BE-së dhe janë pjesë e organizatave të ndryshme kriminale. Por edhe gjatë kësaj periudhe disa lloje të veprave penale, shënojnë rritje të madhe, sidomos dhuna në familje”, shprehet Avziu. Në ndërkohë, nga viti 2015 e deri në vitin 2017, në rajonin që mbulon Sektori për Punë në Tetovë janë regjistruar 12 vrasje, kurse viti më i zi ka qenë 2015, me gjithsej 7 vrasje, por në këta shifra janë regjistruar edhe vrasjet në rajonin e Gostivarit. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat