Tetovë: Në janar, 204 vozitës u larguan nga komunikacioni

Tetova

Tetovë: Në janar, 204 vozitës u larguan nga komunikacioni

Më: 6 shkurt 2021 Në ora: 21:00
Foto ilustrim

Sipas shifrave të janarit të publikuara nga policia e Tetovës, bëhet e ditur se ka më pak aksidente në krahasim me janarin e vitit 2020.

Gjatë muajit janar të këtij viti, zyrtarët policorë të Sektorit për Punë të Brendshme Tetovë në rajonin e Tetovës kanë zbuluar dhe sanksionuar ligjërisht 1681 parregullsi, përkatësisht shkeljeve të trafikut. Sipas shifrave të policisë së Tetovës, akoma në komunikacion hasen vetura me regjistrim të skaduar. Në ndërkohë, dukuria e drejtimit të automjetit pa leje për vozitje në Tetovë vazhdon të jetë e zakonshme ndër vite. Policia raporton se vetëm gjatë janarit janë hasur 120 persona që kanë drejtuar automjete pa leje për vozitje. “Në aktivitete të rregullta të kontrollit, aktivitete të intensifikuara dhe aksionet kontrolluese, për shkak të shkeljeve të konstatuara, 49 automjete janë përjashtuar nga trafiku. Shumica e automjeteve të përjashtuara kishin të skaduar regjistrimin mbi 30 ditë, në 7 automjete janë konstatuar parregullsi teknike dhe në 1 automjet mbingarkesë. Muajin e kaluar, 204 shoferë kanë qenë të përjashtuar nga trafiku, nga të cilët 120 që kanë vozitur pa patentë shoferi, 36 kanë qenë nën ndikimin e alkoolit, 35 shoferë fillestarë, 2 me kategori të papërshtatshme dhe 11 me masë mbrojtëse ‘ndalesë’ të vlefshëm të vozitjes” njofton Fatmir Rexhepi, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë.

Përveç këtyre, sipas policisë, gjatë kësaj periudhe 54 patentë shofer dhe 40 leje trafiku janë revokuar përkohësisht, ndërsa “shërbimi i karrotrecit” në Tetovë ka ngritur gjithsej 147 automjete të parkuara në mënyrë të paligjshme. Në janar, gjithashtu 22 automjete janë konfiskuar përkohësisht për shkak të regjistrimit të skaduar për më shumë se 6 muaj. Sipas shifrave të janarit të publikuara nga policia e Tetovës, bëhet e ditur se ka më pak aksidente në krahasim me janarin e vitit 2020. “Sa i përket aksidenteve në trafik, numri i tyre muajin e kaluar ishte 65 dhe është për 7 më pak krahasuar me janarin e vitit të kaluar. Në këto aksidente, numri i viktimave dhe personave të lënduar rëndë ose lehtë është dukshëm më i ulët se periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Dyzet e tetë nga aksidentet ishin në zona banimi dhe 17 në autostradë, ndërsa arsyet më të zakonshme janë shpejtësia e pa përshtatur sipas kushteve të rrugës dhe veprimi i parregullt. Shumica e aksidenteve kanë ndodhur në rrugët e Tetovës dhe në autostradë” thotë zëdhënësi Rexhepi. Policia apelon për më shumë kujdes gjatë kësaj kohe sidomos gjatë orëve të natës ngase paraqiten ngrica në shumë rrugë të Tetovës dhe rrethinës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat