Tetova me 11 qendra për zhvillim të hershëm

Tetova

Tetova me 11 qendra për zhvillim të hershëm

Më: 24 maj 2021 Në ora: 19:05
Foto ilustrim

Në territorin e Komunës së Tetovës ka vijuar hapja e paraleleve për zhvillim të hershëm fëmijëror. Së fundmi një qendër e këtillë është hapur edhe në Shkollën fillore “Migjeni” e cila është e dedikuar për fëmijët e moshës 3 deri në 5 vjeçare. Këtë e ka bërë të ditur kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, e cila ka nënvizuar se kjo qendër do të funksionojë në kuadër të Çerdhes për fëmijë “Rinia”. “Kjo qendër ka kapacitet për 60 fëmijë, do të shërbejë në 2 ndërrime dhe do të funksionojë në kuadër të kopshtit për fëmijë ‘Rinia’ në Tetovë”, theksoi kryetarja Arifi.

Sipas saj, gjithsej në Tetovë janë hapur 11 qendra të këtilla. “Kjo është një nga 11 qendrat për zhvillim të hershëm fëmijëror, të cilat i kemi hapur gjatë këtyre 8 viteve, dhe qëllimi ynë është të arrijmë në çdo lagje, fshat apo vendbanim të Komunës së Tetovës”, ka deklaruar kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

Ndërkohë, efektet e këtij lloji të arsimit janë të shumta, thonë nga Sektori për arsim në Tetovë. “Efekti është i shumëllojshëm, fëmijët nga mosha tre vjeçare sistemohen në arsimin parashkollor dhe kjo është e treguar që ato fëmijë që e fillojnë arsimin në moshë më të re kanë edhe rezultate më të theksuara, kjo është edhe e treguar në shtetet të cilët e kanë të zhvilluar këtë lloj të arsimit përmes testimit Pisa, ku fëmijët kanë rezultate më të mira në krahasim me ato shtet që nuk kanë qendra të këtilla”, thotë Ahmed Qazimi, udhëheqës i Sektorit për Veprimtari Publike në Komunën e Tetovës.

Këto qendra, sipas tij, ndërtohen në ato vende ku mungojnë çerdhet për fëmijë. “Po ashtu kjo është një mundësi e mirë që edhe nënat të mund të kyçen në tregun e punës për shkak se janë më të lira, pra ka edhe efekt ekonomik. Po ashtu bëhet përgatitja e tyre për në arsimin fillor dhe ndikon në ngritjen e cilësisë së arsimit në Komunën e Tetovës”, tha Qazimi.

Qendrat e këtilla kanë kosto me të ulët, ndërsa hapja e tyre bëhet në vendet rurale dhe të margjinalizuara, ku hapja e kopshteve kushton shumë dhe para disa viteve e para e kësaj natyre ishte hapur në fshatin Sellcë dhe më pas ka vijuar edhe në shumë vendbanime tjera. Në Komunën e Tetovës mbi 70 për qind e fshatrave kanë qendra për zhvillim të hershëm fëmijëror, respektivisht fëmijët ndjekin proces edukativ nga mosha tre deri në moshën 5 vjeçare.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat