Parkingjet në kate vetëm një premtim

Tetova

Parkingjet në kate vetëm një premtim

Më: 3 gusht 2021 Në ora: 21:34
Foto ilustrim

Në një kohë kur qytetit të Tetovës më së shumti i nevojiteshin vendet e parkingut, të njëjtit mungonin. Projekti për ndërtimin e parkingjeve në kate ka mbetur pezull. Ndonëse Komuna kishte kryer të gjitha procedurat për fillimin e ndërtimit të së njëjtit gati se dy muaj më parë megjithatë një peticion i banorëve që jetojnë në rrugën “Marshall Tito”, respektivisht pas restorantit Tivoli, ka bërë që punimet të mos fillojnë. Nga informacionet e fundit që vijnë nga Komuna e Tetovës qëndron se banorët janë ndarë në dy tabore dhe ka disa që kërkojnë ndërtimin e parkingut, dhe një pjesë tjetër që janë kundër.

Nga Komuna e Tetovës nuk japin afat të caktuar se kur do të përfundojë shqyrtimi i peticioneve të banorëve. “Për momentin punimet nuk kanë filluar sepse një pjesë e banorëve është kundër ndërtimit të këtij parkingu .Pra, këta banorë kanë paraqitur kërkesat e tyre se pse nuk duhet që të ndërtohet ky parking. Nga ana tjetër, disa banorë tjerë janë drejtuar me kërkesë që të ndërtohet ky parking në kate. Momentalisht jemi duke shqyrtuar këta peticione dhe kur të përfundojë shqyrtimi i të njëjtave, shpresoj se do të fillohet me punë. Kontrata me kompaninë që duhet të ndërtojë këtë parking është aktive”, ka deklaruar Bekim Memeti, kryetar i këshillit të Komunës së Tetovës.

Krahas këtij parkingu në kate, nga Komuna e Tetovës premtojnë se janë në plan të ndërtohen edhe dy parkingje tjera në Tetovë. “Neve kemi në plan të ndërtojmë edhe dy parkingje tjera në dy lokacione të ndryshme, ku kemi përfunduar gjysmën e procedurave dhe vijohet të punohet në këtë drejtim. Shpresojmë që sa më parë të fillojmë me punën edhe për ndërtimin e këtyre dy parkingjeve”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Sipas Komunës së Tetovës, ky parking në pjesën qendrore pritet që të ketë 160 deri 170 vende për parkim dhe kap vlerën prej 840 mijë euro. Ndërkohë, banorët e kësaj lagje kanë kundërshtuar ndërtimin e parkingut në kate me arsyetimin se ky lokacion nuk është i përshtatshëm për parking, pasi që hyrja në këtë zonë është shumë e ngushtë dhe nuk i plotëson kushtet elementare për një parking me përmasa më të mëdha. Krahas kësaj, banorët që janë ankuar janë shprehur se ndërtimi i parkingut në kate do të ndryshojë planimetrinë dhe pamjen estetike të lagjes. Mungesa e vendeve të parkimit ka qenë më e theksuar këtë verë në qytetin e Tetovës.

Problemet u shfaqen kur në vendlindje u kthyen mërgimtarët, pjesa më e madhe e tyre ishin me veturat e tyre. Kjo ka bërë që rrugët e qytetit vazhdimisht të jenë në kaos pasi që vozitësit nuk mund të gjenin vende të lira të parkimit, duke u parkuar edhe në zona të ndaluara dhe kjo i kontribuoi në masë të madhe paralizimit të komunikacionit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat