Tetovë, situatë stabile me COVID-19

Tetova

Tetovë, situatë stabile me COVID-19

Më: 27 nëntor 2021 Në ora: 16:42
Foto ilustrim

Brenda ditës dozën e parë, të dytë dhe të tretë të vaksinës anti covid e marrin rreth 300 persona. Kështu njoftojnë nga Shtëpia e Shëndetit në Tetovë. Rënia drastike e personave të marrin dozën e parë ka të bëjë me atë se rreth 54 për qind e popullatës në rajonin e Tetovës tashmë kanë marrë dozën e parë apo të dytë të vaksinës, thotë drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Tetovë Borisllav Jorgaqieski.

“Në bazë ditore numrat janë rreth 300 aplikime të vaksinës, pjesa më madhe prej tyre janë të dozës së parë, një pjesë janë rivaksinime dhe disa janë të dozës së tretë. Në mënyrë konstante vazhdon ky trend, nuk ka as rënie as rritje të atyre që vaksinohen. Sigurisht kjo ka të bëjë me atë se deri më tash kemi të imunizuar rreth 54 për qind të popullatës. Pra, kemi të bëjmë me një numër të vogël të atyre që nuk janë vaksinuar”, tha drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Tetovë, Borisllav Jorgaqieski.

Megjithatë mbetet i vogël numri i atyre që vaksinohen tek mosha më e re. Ka interesim por është i ulët thonë në shtëpinë e shëndetit në Tetovë. Por akoma qytetarët sipas tij, vazhdojnë të dezinoformohen në rrjetet sociale për vaksinën prandaj tek kjo moshë ka edhe rezistencë më të madhe. Nga shtëpia e shëndetit thonë se vaksinat mbrojnë dhe nuk ka reflektime negative tek ata që e kanë pranuar. Prandaj sipas tij, ka edhe më pak hospitalizime në Spitalin Klinik të Tetovë, apo raste të reja.

“Ka numër të vogël të fëmijëve të moshës mbi 12 vjeçare që vaksinohen, por ende ka prindër të cilët vendosin që të vaksinojnë fëmijët e tyre, të cilët sipas protokolleve të Ministrisë së Shëndetësisë mund të marrin vaksinë. Brenda javës kemi 30, 40 ose 50 fëmijë që marrin vaksinën që nuk është as numër i vogël por as i lartë që të gjithë të jenë të mbrojtur. Tash ne vërejmë se edhe më të vegjlit janë të rrezikuar nga ky virus”, deklaroi Jorgaqieski.

Ndërkaq sipas informacioneve nga qendra kovid në Spitalin Klinik të Tetovës, edhe pse brenda ditës ka nga 30 deri 40 kontrolle shëndetësore, megjithatë këtyre ditëve nuk ka asnjë person në mjekim në spital dhe nuk janë pranuar pacient të ri. Apelohet që të vazhdohet me respektimin e masave anti covid dhe imunizim të popullatës. Në ndërkohë, sipas paralajmërimeve pritet që ditëve në vijim të mbyllet pika e vaksinimit në qendrën për kulturë në Tetovë, pasi që kohë më parë ishte mbyllur edhe pika tek ish shtëpia e armatës. Vaksinimi pritet të zhvillohet në objektet e shtëpisë së shëndetit në Tetovës për të gjithë kategoritë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat