Dëmet nga vërshimet, Komuna e Tetovës e pret ndihmën e Qeverisë

Tetova

Dëmet nga vërshimet, Komuna e Tetovës e pret ndihmën e Qeverisë

Më: 22 shtator 2022 Në ora: 20:04
Tetova

Komisioni për vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë elementare natyrore është themeluar në seancën e ditës së enjte të Këshillit të Komunës së Tetovës. Ky komision edhe njëherë do t’i drejtohet Qeverisë për të dëmshpërblyer dëmet nga vërshimet që u shkaktuan nga reshjet e shiut këtë vit në Tetovë.

Nëse Qeveria sërish nuk ndihmon, atëherë në Këshillin e komunës do të kërkohet që të miratohet buxhet me çka pjesërisht do të dëmshpërblehen banorët që kanë patur dëme. Kështu tha kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, lidhur me dëmet që janë shkaktuar nga vërshimet dhe kompensimin e tyre. Në ndërkohë, ai informoi se Komuna e Tetovës vazhdon të marrë masa për parandalimin e fatkeqësive.

Sipas tij, në këtë drejtim janë identifikuar disa pika kritike dhe është gati projekti që ka të bëjë me sanimin e problemit që paraqitet në pjesën tek kazerma dhe tek Lagjja Tetovarja. “Aty planifikohet të ndërtohet infrastrukturë e kanalizimit atmosferik në një gjatësi prej 1 kilometra nga kazerma e deri tek nënkalimi i hekurudhës, sepse fatkeqësisht me objektet që janë ndërtuar në atë pjesë, është dëmtuar kanalizimi që ka qenë atmosferik dhe për momentin – kanalizimi atmosferik në atë lagje futet në kanalizimin fekal dhe prandaj kemi situata ku i tërë uji rikthehet nëpër bodrume”, deklaroi Kasami.

Kreu i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, tha se gjithashtu edhe në pikat tjera kritike që janë identifikuar si në pjesën e stacionit hekurudhor dhe në hyrje të qytetit, janë duke u përpiluar projekte dhe në fazën tjetër do të fillohet edhe me realizimin e projekteve. “Gjithashtu, intervenohet edhe në pjesën e rrugës 172, ku vihen puseta më të mëdha që të mund të pastrohet ai gyp, sepse investimi që është bërë atje – është joadekuat dhe ne derisa të bëjmë projekt të ri, për të gjetur një zgjidhje afatgjate, kemi instaluar disa puseta që të mund të pastrojmë gjithmonë kur zihet i njëjti”, nënvizoi Kasami.

Ndërkohë, lidhur me problemet në rrugën e UÇK-së, Kasami nënvizoi se atje rruga është bërë në mes të shtratit të lumit dhe duhet një intervenim më serioz, ngase çdoherë kur ka reshje të shiut, ndodhin vërshime.

“Po ashtu jemi angazhuar me projekt për një zgjidhje afatgjate për rrugën që është nga objekti i vjetër i Universitetit të Tetovës deri në Malin Sharr, ku fatkeqësisht një pjesë e rrugës është në vet shtratin e lumit, kam dalë në terren e kam parë dhe është një problem i theksuar dhe atje gjithmonë kur ka reshje të shiut, kemi vërshime. Flasim për situata kur ne nuk kemi pasur projekte, por edhe projektet që kanë qenë – nuk kanë qenë adekuate. Tani flasim për riparim të të njëjtave dhe gjetje të zgjidhjeve afatgjate”, tha Kasami.

Kryetari i tetovës u shpreh se përpilimi i projekteve do të merr kohë dhe ka kosto dhe nuk mund të pritet që për një kohë të shkurtër, të ketë realizim të këtyre projekteve. Sipas tij, momentalisht bëhen vetëm intervenime aty ku paraqitet situata më kritike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat